Qe shqip çfarë mendonte për gjuhën shqipe shkrimtari osman Namık Kemal, figurë qendrore e liberalizmit dhe nacionalizmit turk dhe nji nga autorët kryesorë të kushtetutës së parë osmane të 1876-ës. Në nji libër mbi reformat kulturore në Turqi, nji studiuese moderne përshkruan kështu pikpamjet e mendimtarit të shek. XIX:
Gjatë viteve 1870, debati u zhvendos nga reformimi i alfabetit të atëhershëm tek përcaktimi për nji alfabet me bazë latine. Në këtë kohë, intelektualët osmanë shqiptarë ishin në përpjekje e sipër për ta bë abëcënë latine alfabet të përbashkët për të gjithë shqiptarët. Autoritetet myslimane në Perandorinë Osmane nuk pranuan ta miratojnë përdorimin e shkronjave latine nga nënshtetasit myslimanë shqiptarë për arsye fetare, por zhvillimi i gjuhës së shkruar shqipe me germa latine vazhdoi krahas zhvillimit të nacionalizmit shqiptar. Osmanët e rij si poeti dhe shkrimtari Namık Kemal parapriheshin me kundërshtu përcaktimin për germat latine për shkak të pasojave të mundshme politike të nji zgjedhjeje të tillë. Namık Kemali i dha alfabetit arab nji funksion të rëndësishëm ideologjik në ruajtjen e tërsisë së Perandorisë. Ai argumentonte se ishte e mundshme me ua mësu turqishten myslimanëve joturq të Perandorisë për aq kohë sa turqishtja shkruhej me germa arabe. Si rrjedhojë e kësaj politike, shpresonte ai, gjuhët si lazishtja e shqipja do harroheshin. Ai besonte gjithashtu se po të bëhej turqishtja me alfabet latin, atëherë edhe gjuhët e tjera të popujve myslimanë do zhvilloheshin ndaras si gjuhë të shkruara, çfarë do mund të ndihmonte me ndezë zjarrin e nacionalizmit ndër ata popuj. Tjetër shqetsim për Namık Kemalin ishte se përcaktimi për alfabetin latin do ta ndante Perandorinë Osmane nga pjesa tjetër e botës islame dhe nga trashëgimia e saj kulturore islame.
Hale Yılmaz, Becoming Turkish: Nationalist Reforms and Cultural Negotiations in Early Republican Turkey, 1923–1945 (Syracuse UP, 2013), f. 141–42.
Shkurtegëza për këtë postim: https://plisi.org/?p=416