Me 15 qershor 1826, në Stamboll, ndodhi ajo që nuk e kishte mendu kush. Ndër shqiptarë ka me u njohë si Vaka-i Şerriyye (Vakia e Sherrit), ndërsa në Stamboll u qujt Vaka-i Hayriye (Vakia e Hajrit). 135 mijë jeniçerë ngritën krye kundër vendimit të Sulltan Mahmudit II për demobilizimin e jeniçerëve për me i zavendësu këta me një ushtri moderne.
Sulltani e bani këtë për shumë arsye. Jeniçerët kishin zanë pozita shumë të randësishme dhe kishin marrë në dorë fuqi të madhe. Aq të madhe sa përcaktonin edhe kush mun bahej sulltan e kush jo, kush e përbante qeverinë e kush jo. Sa herë që ndonjë sulltan ishte përpjekë me ba ndonjë ndryshim të statusit të tyne, aj ose ishte rrëzu nga pushteti, ose ishte egzekutu.
Jeniçerët kishin qenë shtylla e Perandorisë Otomane për shekuj të tanë. Ata ishin fëmijë të krishtenë që mobilizoheshin në ushtrinë otomane dhe luftonin tanë jetën si ushtarë. Shumica e këtyne ushtarëve ishin shqiptarë dhe kjo ishte ushtri elite e Perandorisë, diçka si marinsat amerikanë sot.
Sot historianët thonë se Sulltan Mahmudi II vetë e shkaktoi kryengritjen për me mujtë me i qëru hesapet me jeniçerët shqiptarë. Ishte një grushtshtet i sulltanit kundër jeniçerëve, sepse aj kishte parapërgatitë ushtrinë numerikisht shumë ma të madhe të spahijve të cilët i detynë jeniçerët me u kthy në kazermat e tyne. Masandej, me armë artilerike bombardoi këto kazerma, i dogji dhe i bani hi, tue mbytë 4000 jeniçerë. Edhe ma shumë jeniçerë u masakrunë në rrugët e Stambollit. Ata që u zunë rob u burgosën. E ma vonë u egzekutuen me heqje të kokës në një fortesë të Selanikut i cili u qujt “Fortesa e Gjakut”. Rreth 100 jeniçerë që provunë me ikë nga burgu në Stamboll u mbytën në një rezervuar të ujit i qujtun Binbirdirek Sarnici (“rezervuari i një mijë e një shtyllave”). Ndërsa gjithë pasunia e tyne u konfisku.
Mbas fitores mbi jeniçerët, sulltan Mahmudi II, i dha urdhën kronikanit të tij, Mehmet Esad Efendi, me shkru librin ku përshkruhen këto ngjarje, Üss-i Zafer (Themelet e Fitores), i cili u shtyp në Stamboll në vitin 1828.
Prej kësaj lufte të mbrendshme përfituen ata që s’kishin asnjë rol në këtë muhabet: rumunët dhe serbët, sepse në këtë kohë trazinash Sulltan Mahmudi II u detyru me nënshkru Marrveshjen e Akkermanit (7 tetor 1826), me të cilën Perandori Otomane ia kthente Serbisë territoret e marra me 1813 dhe i lejonte qytetarëve të Serbisë lëvizje të lirë nëpër territoret e Perandorisë Otomane. Rumunëve të Vllahisë e të Moldavisë u lejohej që divanet e tyne lokale me i zgjedhë “gospodarët” e tyne për shtatë vjet.
Pjesa ma interesante e kësaj historie mbaron, si zakonisht, në trojet shqiptare. Shumica e atyne që arrijtën me shpëtu e me ikë, tue qenë se ishin shqiptarë, u strehuen në malet e Shqipnisë. Tarikati i bektashijve, i cili ishte institucion esencial i jeniçerëve, u bart gjithashtu në trojet shqiptare dhe kjo asht arsyeja që këto troje u rrit ndikimi i bektashijve, sidomos në Shqipninë Jugore. Prej kësaj fryme kryengritëse u zhvillu edhe ndjenja për një autonomi të Shqipnisë në tarikatin bektashi. Nga kjo u frymëzunë edhe vëllaznit Frashëri, të cilët – sidomos Abdyli e Naimi – i panë si ide frymëzuese idetë anti-otomane bektashiane për me e mobilizu popullin shqiptar kundër Perandorisë Otomane, si një mënyrë për me arrijtë pavarësinë e Shqipnisë. Kjo asht arsyeja pse Naim Frashëri botoi fletoren “Fletore e bektashinjët” (1896), me të cilën përpiqej të përhapte idenë që fe kombtare e shqiptarëve me u ba bektashizmi me synimin që kjo të çojë drejt pavarësisë shpirtnore të Shqipnisë, e cila kish me i parapri pavarësisë politike.
Krejt kjo histori m’u kujtu tash që nga ushtria e Turqisë po spastrohet nga elementet kryengritëse me prejardhje shqiptare. Historia përsëritet në trajta nga ma të ndryshmet. Ndonjëherë ndodhitë ngjajnë aq shumë mes vete sa ia vlen me i rikujtu. Në këto ngjarjet e sotme Vakia e Hajrit në Stamboll po përjetohet si Vakia e Hajrit edhe në trojet shqiptare. Një frymë e lashtë kryengritëse shqiptare, e mërgume shumë shekuj ma parë, si duket po shëndrohet vetëm në një kujtim dhe gjurmë në ranë, të cilën era e kohëve të reja po e rrafshon.
Pikturë: Benjamin Constant, “Jeniçeri dhe hudumi” (Janissaire et eunuque, 1876)
Shkurtegëza për këtë postim: https://plisi.org/?p=4643