Ne që na pëlqen të shkruajmë poezi përmendim shpesh fjalën “dashuri” dhe tingëllojmë shpesh shuuumë romantikë. S’e kam fjalën për Charles Bukowskin dhe Enkeleda Ristanin, po për ne vdektarët e thjeshtë pra.
Por e vërteta është se poetëve s’u zihet besë. Do të më urrejnë për këto fjalë, ashtu siç urrehen nga esnafi magjistarët që zbulojnë mashtrimet. Por do ta them hapur, unë s’gënjej në kohën e lirë. Poetët e mëdhenj s’bien kurrë në dashuri me dikënd më fort se me artin e vet.
Në mbrojtje të poetëve, njësoj ndjejnë dhe të gjithë artistët e mëdhenj. Prozatorët, piktorët, valltarët, artistët e cirkut si Houdini. Por edhe të gjithë shkencëtarët e mëdhenj, matematicienët, fizikantët, biokimistët që fitojnë çmimin Nobel. Biles edhe politikanët idealistë dhe shitësit e zotë, sipas një studimi amerikan. A e di sa shumë nga ata janë single a të ndarë, mendja s’ta merr.
Pse kështu? Epo, ndal e përfytyro një çast neurokiminë e trurit. Kur një person i fantaksur fort pas një ideje arrin një sukses — një varg perfekt. një ekuacion të përkyer, një zbulim të ri, një shitje të plotë — ky person do të ndjejë andje që i ngjan andjes seksuale.
Të njëjtat shkrepje në të njëjtat sinapse, të njëjtat hormone, e njëjta ndjenjë oqeanike e andjes. E njëjta lagështi. I njëjti ereksion. Dhe kjo pa i dhënë kujt raport pse mbete kaq vonë rrugëve të botës 😀
Në ëndërrat e veta romantike, këta njerëz ravijëzojnë ëndërra relacionesh ku janë bashkë — po e përdor këtë togfjalësh këtu qëllimshëm si idiomë të dashurisë — me dikë që e kupton talentin e tyre, e arrin ta ndajë e ta stimulojë atë. T’ia qesë pikën, si themi ne në Kosovë. Ndryshe dallëndyshe, kur talenti dhe përkushtimi i tyre bie në konflikt me një relacion njerëzor, ky i dyti del rregullisht humbës.
Dashuria në dyadë mes dy individësh është thjesht mënyra burimore për të arritur transcendencën — atë gjendjen e mrekullueshme kur njeriu i kapërcen si me magji caqet e kufizimet e lëkurës vetjake, e bëhet hise e një diçkaje më të madhe. Dikur moti, në zanafillë, kjo shkrirje e unit kish detyrë ta lehtësojë mbijetimin lakuriq të species.
Por me kohën, specia jonë fantastike ka sajuar përmes analogjisë edhe mënyra tjera. Ne e kemi zgjeruar hapësirën tonë. Religjioni u bë ndër format e hershme për të arritur transcendencë. Gradualisht, gjatë evolucionit, zhvilluam mënyra më të sofistikuara, shtatë artet, politikën, filozofinë, shkencën, sportin. Kur janë analizuar imazhet trunore dhe kampionet e gjakut të shkencëtarëve në çastin kur bëjnë një depërtim, janë gjetur nivele hormonesh që arrihen gjatë orgazmës. Truri e shpërblen transcendencën, kudo që ta gjejë.
Dhe truri, si dihet, ka mekanizma kompenzues. Nëse humb shikimin, të mprehet dëgjimi, dhe anasjelltas. Nëse je tepër i dhënë në ndonjë fushë, nuk ua ndjen nevojën njerëzve tjerë. Prof James Coan nga U.Va College of Artis & Sciences është ndër ekspertët më të njohur botërorë në fushën e kreativitetit dhe neurobiokimisë së trurit. Ai ka vënë re që njerëzit e talentuar nuk kanë aq shumë nevojë për praninë fizike të njerëzve tjerë. “Njerëzit e afërt me ta bëhen pjesë integrale e trurit të tyre”, thotë ai. “Dhe kjo nuk është metaforë a poezi, po shumë reale”.
Natyrisht që bëhen, këtë mund t’jua thoja dhe unë pa ndonjë hulumtim të shtrenjtë. Ti që po lexon këto, je më gjallë në trurin tim se në realitet, LoL 😀
Atë që dua ta them, shkurt, është kjo. Herën tjetër që lexon një poet tek flet për dashuri. Mos mendo se atij i mungon dashuria. Se po të dërgon ty sinjale sekrete. Mos i jep vetes detyrë fisnike ta shpëtosh poetin nga vetmia. Ç’vetmi muti, ç’janë këto gjepura. Poeti e ka dashurinë e vet përditë, ashtu si s’e kanë tjerët. Rron me të, e ushtron përditë, e ta dëfton ty hapur, me të zezë në të bardhë, në letër. Apo në fcb, who cares.
Thelbi është njësoj në të gjitha rastet. Dashuria e vërtetë e poetit është — poezia.
Shkurtegëza për këtë postim: https://plisi.org/?p=472