1. Të ashpërsohen sanksionet ligjore për vepra individuale të dhunës së burrave kundër grave. Të hiqet neutraliteti i rrejshëm i tekstit ligjor dhe të ceket qartë se dhuna e burrave kundër grave do të sanksionohet më ashpër.
2. Të vendoset rekuizita e dhunës së përsëritur patriarkale: dhuna e përsëritur, qoftë edhe me partner të ri, të ketë sanksion të ashpërsuar në shkallë progresive.
3. Të hiqet mundësia që viktima të tërheqë kallëzimin penal. Çdo rast dhune të hetohet nga policia dhe dorëzohet te prokurori pavarësisht dëshirës së palëve.
4. Të përcillet rregullisht çdo rajon policor si procedon lëndët, e çdo prokurori themelore sa lëndë dhune i ndjek në gjyq. Suksesi në ndjekje penale të këtyre lëndëve të bëhet kriter bazë për vlerësim të prestacionit dhe rrogë në të gjitha nivelet.
5. Këshilli Gjyqësor të organizojë kurse standarde për gjykatës për dhunën e burrave kundër grave. Pjesëmarrja dhe certifikimi në kurs të bëhet i detyrueshem, si dhe kriter bazë për vlerësim të prestacionit dhe caktim të rrogës. E njëjta të vlejë dhe për prokurorinë publike.
6. Dhuna e burrave kundër grave të bëhet pjesë e kurrikulës standarde të arsimit dhe trajnimit të kadetëve të policisë. Instruktorët të jenë të certifikuar nga Qendra për Studime Gjinore.
7. Të krijohet një buxhet solid për të financuar Qendrën për Studime Gjinore si pjesë të universitetit publik. Qendra të ketë tri profesura të përhershme në kulturë, kriminologji, e studime gjinore, që emërohen me mandat dyvjeçar në bazë të arritjeve shkencore. Dhuna e burrave kundër grave të bëhet pjesë e kurrikulave të fakulteteve ku ligjërohet kriminologji, juridikë, sociologji, si dhe punë sociale. Të mos certifikohen themelata arsimore ku kjo mungon.
8. Barazia gjinore të bëhet pjesë e kurrikulave dhe themel certifikues që nga parashkollorja. Barazia gjinore të jetë pjesë obligative e lëndës së edukatës qytetare në fillore. Poashtu, edukata qytetare të jetë pjesë e detyrueshme e kurrikulave të shkollës së mesme.
9. Barazia gjinore të jetë pjesë e skemës programore të televizionit publik dhe radios publike. Të gjitha institucionet publike të kenë plane të barazisë gjinore, duke përfshirë këtu institucionet publike të artit dhe të kulturës.
10. Të ndryshojë kuadri ligjor i kodit të familjes, etërit që dënohen nga gjyqi për dhunë kundër nënës së fëmijëve të përbashkët të humbin automatikisht kujdesin ndaj fëmijës në favor të nënave. Etërit që humbin kujdesin të obligohen ligjërisht për alimentacion. Në qoftë se etërit nuk duan apo nuk munden të paguajnë hisen e vet, shteti t’u paguajë alimentacionin nënave, e t’u kërkojë pastaj etërve rimbursim përmes zyrave të përmbarimit.
Nuk është hiç vështirë, për atë që do.
Shkurtegëza për këtë postim: https://plisi.org/?p=5111