Profesor Blerim Reka po garon për kryetar republike përballë dy pretenduesve sllavë. Ndonëse shqiptarët nuk janë shumicë në Maqedoni, arsyet për ta zgjedhë Rekën janë më të shumta.
Këtë muaj, shteti i vogël evropian do të mbajë zgjedhjet e gjashta presidenciale në gati tri dekada pavarësie. Shqiptarët asnjëherë nuk kanë përkrahë një kandidat të vetëm.
Më 1994, nuk kishin asnjë, e në zgjedhjet tjera herë dy e herë tre. Kur e patën vetëm një, më 2014, e përkrahën në masë kundërshtarin e tij maqedon, që e humbi garën.
Humbësi qe profesor Stevo Pendarovski, kandidati i Lidhjes Social-Demokrate, që gjatë luftës në Maqedoni shërbeu si nëpunës kyç në ministrinë e brendshme dhe pastaj këshilltar për siguri në presidencë. Ai po kandidon sërish sivjet, me bekimin e partisë së vet dhe të shqiptarëve të Bashkimit Demokratik për Integrim e të Partisë Demokratike Shqiptare.
Pendarovski ka përballë nacionalisten Gordana Siljanovska-Davkova, që s’i duron shqiptarët e gjuhën shqipe, s’e pranon marrëveshjen për emrin që Maqedonisë së Veriut ia çel udhën për Nato e BE, dhe shpëtimin e sheh te Rusia e Putinit.
Të dy janë shterë: Stevoja si njeri i kahmotshëm i qeverisë nuk e ka përkrahjen e popullit, e Gordana djathtiste nuk do të bëjë gjë të mirë për popullin. Zgjedhja e vetme për të ardhmen euroatlantike të vendit është shqiptari Blerim Reka.
Është i pastër dhe i pakorruptueshëm. I vetmi kandidat i pavarur, as është anëtar partie e as përzihet me partitë. Mëvetësia politike e kreut të shtetit, që prore u sjell dobi republikave parlamentare, i ka munguar Maqedonisë së Veriut.
Është kandidati që bashkon. Atë po e përkrahin si nacionalistët shekullarë të Ziadin Selës, ashtu dhe krahu fetar i Bilall Kasamit. Por dhe shqiptarët e BDI-së e PDSh-së do t’i shpërfillin direktivat mendjengushta të partisë, duke mbështetë prof. Rekën.
Është intelektual e diplomat evropian. E respektojnë shqiptarët në Kosovë e Shqipëri, ashtu dhe kolegët e tij në Evropë e Amerikë. Ka doktoruar në Graz të Austrisë, ka studiuar me bursë Fulbright në Shtetet e Bashkuara dhe ka qëndruar me punë pasdoktorale në Harvard, duke lënë në hije kundërshtarët e vet në rrafshin akademik. Si ish-ambasador i Maqedonisë në Bruksel, ka përvojën e duhur për ta ndihmuar rrugëtimin drejt BE-së, kurse si profesor i respektuar i së drejtës, ka dijen dhe guximin për të mbrojtë kushtetutën dhe sundimin e ligjit në Maqedoninë e Veriut.
Është i vetmi kandidat që i flet dhe i përdor të dy gjuhët zyrtare të Maqedonisë. Ai zotëron dhe një varg të tjerash, dy herë më shumë se kundërkandidatët e tij së bashku.
Shkupjani Blerim Reka është zgjedhja e duhur, dhe çdo kandidat tjetër — e thashë — është i përcaktuar të dështojë. Prof. Rekën duhet ta përkrahin jo vetëm shqiptarët, por të gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut që duan demokraci e anëtarësim në BE.
Shqiptarët e Maqedonisë votuan për Pendarovskin më 2014, braktisën partitë e tyre për të mbështetë LSDM-në kryesisht sllave në zgjedhjet parlamentare më 2016, dhe luajtën rol kyç në ratifikimin e marrëveshjes së Prespës, që i dha fund kontestit të kahershëm rreth emrit të vendit. Tani ka ardhë koha që shumica maqedone ta shtyjë tutje traditën e besimit të ndërsjellë dhe bashkëpunimit drejt një qëllimi të përbashkët e sublim.
(Lejohet kopjimi e ribotimi sipas licencës CC BY-ND 4.0)
Shkurtegëza për këtë postim: https://plisi.org/?p=5898