38 VJET BURG për dy shqiptarë, dy ditë pas zgjedhjeve në Maqedoni

Mija maqedonë sllavë e dhjeta-mija shqiptarë morën guximin e ëndërru për një republikë të të gjithë qytetarëve këtë të diel kur votunë prof. Blerim Rekën për prijatar. Por shumica e frikësuar i mundi ata. Dhe sot Maqedonia e Veriut e vijoi avazin e vjetër si shtet i një shtrese sunditarësh, që popullin e shtypin dhe e nxitin me u largu.

Ç’dëshmi ma të fortë me lypë për këtë se vendimin e një gjykate shkupjane për t’i ndëshku dy të rij shqiptarë me dënimin maksimal për një vepër që ma shumë ngjall dyshime se tërbimin e një qytetari të ndërgjegjshëm?

Besir Bela, 20, dhe Skender Demiri, 21, morën të dy nga 19 vjet burg, sepse vjet e rrahën Nikolla Sazdovskin. I njohur si Sazdo, viktima ishte anëtar i tifogrupit ultranacionalist Komiti, që brohoriste «Dhoma gazi për shqiptarët», mes thirrjesh tjera raciste. Besiri e Skenderi thonë se Sazdoja ka rrëshqitë dhe është përplasë për një shtyllë që ia ka marrë jetën. Gjykata thotë se dy të dënuarit e kanë vra atë mizorisht. Dy të dënuarit gjasshëm do të ndëshkoheshin me burg të përjetshëm sikur të ishin 21 vjeç në kohën e krimit.

I dyshuari i tretë ndodhet në arrati. Maqedonët po thonë se është i afërm i një zyrtari të lartë i partisë shqiptare në pushtet, BDI.

Në një vend ku gjyqësia nuk shquhet për ndershmëri, rasti i Sazdos lë mbresën e një taksirati. Tre të rij të një komuniteti të përbuzur, e shpeshherë viktimë e dhunës së Komitëve, kanë provu t’i përgjigjen shovenizmit po me dhunë, mënyrën e gabuar. Në shpjegimin ma gjakftohtë, rasti ishte një përleshje mes tifozave — Shfercerave të Shkupit dhe Komitave të Vardarit — dhe mes dy grupeve etnike. Ultrat rëndom nuk janë qytetarë shembullorë.

Por sille kah t’e sillsh, ky rast qe faqe e zezë për Maqedoninë, që rinisë së vet i jep dy udhë: mërgimit ose jetën e zymtë në vendlindje. Ata që vujnë ma së keqi qëllojnë gjithmonë qata që s’janë shumicë. Çare gjejnë vetëm ata që kanë lidhje me hyqmetin.

Më 5 maj, qytetarët e këtij shteti të brishtë të dalin sërish në votime, për ta zgjedhë kreun e shtetit mes kandidatëve Gordana Siljanovska-Davkova e VRMO-DPMNE-së dhe Stevo Pendarovski i LSDM-së. I pavaruri Blerim Reka, që besonte në republikë për të gjithë qytetarët, tanimë është jashtë gare.

Se si do të votojnë shqiptarët — apo a do votojnë fare — mbetet me u pa. Gogoja e Stevoja do përpiqen me i joshë me premtime boshe. Por as kandidatët e as partitë e tyre nuk kanë ndonjë histori të mirë me shqiptarët.

Udhëheqësi i ndjerë Arbën Xhaferi dikur vërente:

VMRO-DPMNE kultivon një nacionalizëm transparent që shihet dhe që të lë kohë të mbrohesh nga ai, ndërkaq LSDM-ja kultivon një nacionalizëm tinëzak, ose të kamunfluar, që synon të vërë në gjumë si faktorin shqiptar ashtu edhe atë ndërkombëtar. Ky moderacion i tyre është po aq kanosës, në mos edhe më shumë se edhe radikalizmi transparent i VMRO-DPMNE-së.

Arbën Xhaferi nuk është ma mes nesh. Por nacionalizmi i dy partive maqedone nuk është zhdukë. Vërtet, Maqedonia e Veriut ka bë hapa historikë me Zoran Zaevin në krye të qeverisë: një shqiptar u zgjodh kryetar Kuvendi, u zgjidh çështja e emrit, u përmendën shqiptarët në preambulë, u miratu ligji për gjuhët.

Por këto në radhë të parë i bënë shqiptarët duke u organizu politikisht dhe duke qëndru (sado pak) të bashkuar. Asgjë nuk u dha Zaevi pa interes, dhe asgjë nuk do t’u japë askush, pa e kërku dhe pa e fitu ata vetë.

Andaj, në balotazhin para Shëngjergjit, shqiptarët duhet të pyesin së pari se ç’po bën Maqedonia për ta si komunitet. Sepse vetëm ashtu mund të bëjnë diçka për Maqedoninë si qytetarë.

Nga Getoar Mjeku

Njeri i lirë dhe avo­kat prej Prish­tine të Dar­da­nisë. Shkrun për shqip­tarët, gju­hën, histo­rinë, e poli­ti­kën. Lexon çkamos. Ndih­mon me mirë­mbajtë saj­tin për shqip­tari, Plisi.org.