Linuxi në vend të Windowsit

Windows 7 > Linux Mint


Getoar Mjeku

Njeri i lirë dhe avo­kat prej Prish­tine të Dar­da­nisë. Shkrun për shqip­tarët, gju­hën, histo­rinë, e poli­ti­kën. Lexon çkamos. Ndih­mon me mirë­mbajtë saj­tin për shqip­tari, Plisi.org.

Ke kompjuter me Windows 7? Me siguri të ka dalë në ekran njoftimi se Microsofti nuk e mbështet ma këtë version të sistemit operues dhe të fton me ble Windows 10-shin. Ma së miri është mos me ble asgjë, por me këqyrë Linuxin.

Qe një minutë shpjegim pse dhe si me kalu në Linux!

Linuxi vjen falas, me liri të plotë të përdorimit, me lloj-lloj programesh brenda, dhe me privatësi e siguri — pa virusa e vegla që të shpiunojnë. Kush thotë se Linuxi është veç për programera, rren! Linuxi është i lehtë dhe i këndshëm me përdorë. Instalohet ma shpejt e ma lehtë se Windowsi, dhe qysh në start vjen me drajverat dhe programet kryesore që të duhen për punë të përditshme.

Tash Linuxi është familje e shumë sistemeve operuese. Këto sisteme apo variante të Linuxit, që ndërtohen mbi bërthamën Linux, njihen si distro (distribucione). Por kjo laramani nuk bën me të frigu. Për dallim nga Windowsi, çdonjëri ka të drejtë me ndërtu ose me përshtatë sistemin e vet mbi bërthamën e Linuxit. Windowsi ka një distro e Linuxi shumë.

Cilindo me zgjedhë, buk gabon. Dy distro madje kanë nxjerrë versione me emra që lidhen me shqiptarët: Manjaro Linux më 2018 botoi versionin Illyria, sipas asteroidit të pagëzuar me emrin e lashtë të vendit tonë, kurse antiX qysh më 2008 ka pasë versionin Vetëvendosje!

Për fillestarët — sidomos ata që kalojnë nga Windowsi — ekspertët rekomandojnë distron Linux Mint.

Provoje Linux Mintin qysh tash. Nëse të pëlqen, instaloje dhe përdore në kompjuter. Qe udhëzimet:

1. Shkarkoje versionin e mbramë të Linux Mintit nga sajti zyrtar https://www.linuxmint.com/. Linux Minti vjen në një fajll ISO. Ky fajll është një imazh i diskut që përmban të gjitha fajllat e duhura të Linux Mintit.

2. Për ta përdorë fajllin ISO, duhet ta regjistrosh në një DVD të zbrazët ose në një drajv USB. Zen hapësirë rreth 2GB.

3. Për ta regjistru fajllin ISO në drajv USB, shkarko programin UNetbootin këtu: https://unetbootin.github.io/. Hape programin dhe ndiqi udhëzimet.

4. Resetoje kompjuterin dhe nise (boot) prej DVD-së ose USB-së me Linux Mintin. Provoje njëherë, e pastaj instaloje. Nuk ke me u pendu.

Linuxi është softver i lirë — i lirë si shqipja, jo si sheqeri — që respekton të drejtat tua. Për ma shumë rreth softverit të lirë, lexo këtu.

Softverin e lirë e mban gjallë një bashkësi njerëzish të përkushtuar. Nëse të vyn ndihmë, pyet. Në mos u përgjigjsha unë, ka me pasë njerëz të tjerë të komunitetit që ta gjejnë çaren.

Pamja: Tryeza e Linux Mintit 19.3, me në prapavijë foto të Thethit, shkrepë nga miku im Ilir Seci