George Orwell, «Liria e shtypit»



Getoar Mjeku

Njeri i lirë dhe avo­kat prej Prish­tine të Dar­da­nisë. Shkrun për shqip­tarët, gju­hën, histo­rinë, e poli­ti­kën. Lexon çkamos. Ndih­mon me mirë­mbajtë saj­tin për shqip­tari, Plisi.org.

Parathanie e Fermës së gjâve (Animal Farm, 1945)

Për kët libër u mendu së pari herë, sa i përket idesë qendrore, më 1937, por nuk u shkru deri kah fundi i 1943-tës. Rreth kohës kur ma në fund u shkru, ishte e qartë se do kish vështirësi të mëdha për ta botu (përkundër mungesës së tashme të librave, që siguron se çkado që mun i thuhet libër do «shitet»), dhe me at rast e shkagunë katër botues. Vetëm njani prej këtyne pati shtytje ideologjike. Dy kishin vite që botonin libra antirusë, dhe tjetri s’kish ndonji ngjyrë të vërejtshme politike. Nji botues besa nisi tue e pranu librin, por mbasi bani ujdinë paraprake, vendosi me u këshillu me Ministrinë e Informimit, të cilët duket t’ia kenë tërheqë vërejtjen, ose të paktën ta kenë këshillu fuqishëm, mos me e botu. Qe nji shkëputje prej letrës së tij:

E përmenda reagimin që kisha marrë nga nji zyrtar i randësishëm në Ministrinë e Informimit rreth çashtjes së Fermës së gjâve (ang. Animal Farm). Më duhet të rrëfej se kjo shprehje mendimi më ka ba të mendoj seriozisht… mund ta shoh tani se mund të merret si diçka që do ishte tejet e pavend për ta botu në kët kohë.

Po t’i drejtohej fabulla përgjithsisht diktatorëve dhe diktaturave në tansi, atëherë botimi do ishte në rregull, por fabulla e ndjek, siç e shoh tani, aq në plotni përparimin e sovjetëve rusë dhe të dy diktatorëve të tyne, se mund t’i përshatet vetëm Rusisë, tue i përjashtu diktaturat tjera. Nji tjetër gja: do ishte ma pak fyese sikur kasta mbizotnuese e fabullës të mos ishin derra. [Nuk asht shum e qartë në ky ndryshim i sugjeruem asht ideja e vetë zotni . . . , apo ka buru prej Ministrisë s’Informimit, por duket si me e pasë shtypë me vulë zyrtare. (Shënim i autorit.)] Mendoj se zgjedhja e derrave si kastë sunduese padyshim do fyjë shum njerëz, dhe veçanarisht kenddo që asht pak i prekshëm, siç jan padyshim rusët.

Ky farë sendi nuk asht simptomë e mirë. E qartë se nuk asht e dëshirueshme që nji dikaster qeverie të ketë çfarëdo tagri censure (përveç censurës së sigurisë, të cilën askush s’e kundërshton në kohë lufte) mbi libra që nuk sponsorohen prej shtetit. Por rreziku kryesor ndaj lirisë së mendimit dhe fjalës në kët çast nuk asht ndërhymja e drejtpërdrejtë e MI-së ose nji trupi shtetnor. Nëse botuesit dhe redaktorët bajnë çmos me i mbajtë jasht shtypi do tema të caktueme, nuk asht pse i tuten përndjekjes, por pse i tuten mendimit botor. Në kët vend, qyqania intelektuale asht anmiku ma i keq, me të cilin duhet të përballet nji shkrimtar a gazetar, dhe ky fakt nuk më duket se e ka gëzu diskutimin që e ka hak.

Çdo njeri mendjedrejtë me përvojë gazetarie do e pranojë se gjat kësaj lufte censura shtetnore nuk ka qenë gjithaq e bezdisshme. Nuk i jemi nënshtru llojit të «bashkërendimit» totalitar që ka qenë e arsyeshme me pritë. Shtypi ka disa ankesa t’arsyeshme, por në krejtsi qeveria asht sjellë mirë dhe ka qenë befasueshëm toleruese ndaj mendimeve të pakicës. Fakti i praptë për censurën letrare n’Angli asht se â kryesisht vullnetare. Idetë jopopullore mund të heshten, dhe faktet moskuvenduese të mbahen në terr, pa nevojën e nji ndalese shtetnore. Kushdo që ka jetu gjat në nji dhé të huej do dijë raste lajmesh të bujshme — gjana që me meritë do zenin kryetituj të mëdhej — që jan mbajtë krejtsisht jasht shtypi britanik, jo pse qeveria ka ndërhy, por shkaku i nji marrëveshjeje të pathanun e gjithëpërfshimëse se «nuk ban» me e përmendë qat fakt të caktuem. Përsa u përket gazetave ditore, asht leht me e kuptu këte. Shtypi britanik asht skajshmënisht i qendërsuem, dhe shumica e tij asht pronë e burrave të pasun që kan çdo shtytje për të qenë të pandershëm në kryetema të caktueme. Por e njejtafarë censure e msheftë vepron edhe në libra dhe të përkohshme, si dhe në shfaqje, film, dhe radio. Në çdo çast, ka njifarë ortodoksie, nji trup idesh që pandehen se të gjithë njerzit që mendojnë drejt do i pranojnë pa pyetë. Nuk asht bash e ndalueme me e thanë këte, tëhe, ose ate, por «nuk ban» me e thanë, ashtu siç në mes të motit viktorian «nuk ban[te]» me i përmendë pantollët në prani të nji zoje. Kushdo që e sfidon ortodoksinë mbizotnuese e gjen veten gojëmbyllë me efektshmëni befasuese. Nji mendim njimend i jashtëmodshëm kurrë nuk gëzon ndigjim korrekt, qoftë në shtypin popullor a në të përkohshme mendare.

Në këtë çast, çka lyp ortodoksia mbizotnuese asht nji admirim jokritik ndaj Rusisë sovjete. Çdokush e din këte, gati gjithkush vepron simbas saj. Kritika serioze ndaj regjimit sovjetik, zbulimi i fakteve që qeveria sovjetike do donte me i mbajtë msheft, asht kojshi i të pabotueshmes. Dhe kjo heqsi mbarëkombtare me e lajkatu aleatin tonë zen vend, mjaft kureshtazi, kundrejt nji prapavije të toleresës së njimendtë intelektuale. Meqë nuk të lejohet me e kritiku qeverinë sovjetike, të paktën je i lirë me e kritiku tonën. Zor se dikush e shtyp nji sulm ndaj Stalinit, por asht krejt sigurt me e sulmu Churchillin, në çfarëdo rrethanash, në libra e të përkohshme. Dhe gjat pesë vjet lufte, dy a tri prej të cilave qemë tue luftu për mbijetesë si komb, libra, pamflete, e artikuj të panumërt që banin thirrje për paqe kompromisi jan botu pa pengesë. Madje, jan botu pa nxitë qaq shmiratim. Për aq sa prestigji i BRSS-së nuk asht në pyetje, parimi i lirisë së shprehjes asht përkrahë goxha mirë. Ka tjera tema të ndalueme, dhe do i përmend ca prej tyne tani, por qëndrimi i përhapun ndaj BRSS-së asht simptoma ma serioze. Asht, si me thanë, i vetvetishëm, dhe s’asht shkaku i veprimit t’asnji grupi trysnie.

Puthadorsia me të cilën pjesa ma e madhe e inteligjencisë angleze e ka përbi dhe përsëritë propagandën ruse prej 1941-tës e tëhu do ish tejet mahnitëse sikur këta të mos ishin sjellë ngjashëm në disa raste ma parë. Në nji çashtje kundraverse mbas tjetrës, kandvështrimi rus asht pranu pa shqyrtim, dhe pastaj botu me shpërfillje të plotë ndaj së vërtetës historike dhe ndershmënisë intelektuale. Me e përmendë vetëm nji rast, BBC-ja kremtoi 25-vjetorin e Ushtrisë së Kuqe pa e zanë në gojë Trockin. Kjo asht qaq e saktë sa me e përkujtu Betejën e Trafalgarin pa e përmendë [heroin e saj] Nelsonin, por nuk zgjoi kurrfarë kundërshtimi prej inteligjencisë angleze. Në rropatjet e mbrendshme në shum prej vendeve të pushtueme, shtypi britanik, gati në të gjitha rastet, ia ka mbajtë anën krahut të pëlqyem prej rusëve, dhe ka folë kundër krahut opozitar, nganjiherë tue asgjasu dëshmi qensore për t’ia dalë mbanë. Nji rast veçanarisht ndriçues qe ai i kolonelit Mihajlloviq, udhëheqësit të çetnikëve jugosllavë. Rusët, që kishin protezheun e tyne jugosllav në mareshalin Tito, e akuzunë Mihajlloviqin për bashkëpunim me gjermanët. Kët akuzë e përvetësoi menjiherë shtypi britanik: përkrahësve të Mihajlloviqit nuk iu dha mundësi me u përgjigjë, dhe faktet kundërthanëse thjesht u lanë jasht shtypi. Në korrik 1943, gjermanët ofrunë shpërblim prej 100 mijë kurunash t’arta për kapjen e Titos dhe nji shpërblim të ngjashëm për kapjen e Mihajlloviqit. Shtypi britanik e «bojatisi» shpërblimin për Titon, por vetëm nji gazetë e përmendi (me germa të vogla) shpërblimin për Mihajlloviqin: dhe të shtimet për bashkëpunim me gjermanët vijunë. Shum gjana të ngjashme ndodhën gjatë luftës qytetare spanjolle. Edhe atëherë, togjet e krahut republikan, që rusët ishin të përcaktuem me i shkelë, u sulmunë dalldisshëm në shtypin majtist anglez, dhe asnji kumtesë në mbrojtje të tyne, qoftë dhe në formë letre, nuk u pranu për botim. Tani, jo vetëm që kritika serioze ndaj BRSS-së shihet si e denueshme, por edhe fakti se ka kritikë të tillë mbahet msheft në disa raste. Për shembull, pak para se me vdekë, Trocki kish shkru nji jetëshkrim të Stalinit. Dikush mun e merr me mend se s’ka qenë libër krejt i paanshëm, por qart ka qenë i shitshëm. Nji botues amerikan ish ba gati me e botu, dhe libri ndodhej në shtyp — besoj se kopjet e para ishin dërgu për korrigjim — kur BRSS-ja hyni në luftë. Libri u tërhoq menjiherë. Astenji fjalë për këte s’u shfaq ndonjiherë në shtypin britanik, megjithëqë të qenët e nji libri të tillë, dhe shumja e tij, qe lajm që meritonte me ia kushtu do paragrafë.

Asht me randësi me dallu mes llojit të censurës që inteligjencia letrare angleze vullnetarisht ia mponon vetes dhe censurës që nganjiherë mund ta vejnë grupet e trysnisë. Vlen me cekë, disa tema s’un diskutohen për shkak t’ «interesave të caktuem». Rasti ma i njohun asht mashtrimi me barnat e patentueme. Prap, Kisha Katolike ka ndikim të theksuem në shtyp dhe mund të shukatë kritikën ndaj saj deri dikund. Nji skandal që përfshin nji prift katolik nuk merr kurrë nam, kurse nji prift anglikan që futet në telashe (p.sh., Rektori i Stiffkeyt [që u shpall fajtor për jomoralitet dhe u shkishnu]) asht kryetitull lajmesh. Ndodh shum rrallë për çkado me primje kundërkatolike me u shfaqë në skenë ose film. Cilido aktor të tregon se shfaqja ose filmi që e sulmon ose tallet me Kishën Katolike rrezikon me u bojkotu në shtyp dhe gjasshëm do dështojë. Por kyfarë sendi s’asht i damshëm, ose të paktën asht i kuptueshëm. Secila organizatë e madhe do i mbrojë interesat e veta sa ma mirë që të mundet, dhe propaganda e ashiqarshme s’asht për t’u kundërshtu. Dikush s’kish me pritë ma shum prej gazetës Daily Worker (Puntori ditor) me botu fakte të papëlqyeshme për BRSS-në se ç’kish me pritë prej Catholic Herald-it (Lajmëtari katolik) me e denu papën. Por pastaj, çdo njeri me mend në krye i din Daily Worker-in e Catholic Herald-in për qashtu qysh jan. Për t’u shqetsu asht se, kur jan në pyetje BRSS-ja dhe politikat e saj, dikush s’un pret kritikë të mençun e madje, në shum raste, as ndershmëni të thjeshtë nga shkronjarët e gazetarët liberalë, që s’jan nën kurrfarë trysnie të drejtpërdrejtë me i fallsifiku mendimet e tyne. Stalini asht i sakërshejtë dhe disa aspekte të politikës së tij nuk lejohet me u diskutu seriozisht. Kjo rregull asht ndjekë gati gjithsishëm prej 1941-tës, por ka vepru, ma fort se që vërehet nganjiherë, për nja 10 vjet ma heret. Gjat asaj kohe, kritika nga e majta ndaj regjimit sovjetik mund të gjente ndigjues vetëm me vështirësi. U prodhu me të madhe literaturë antiruse, por gati e tana ish prej kandit konservator dhe ashiqare e pandershme, e vjetrueme, dhe e nxitun prej shtytjeve t’ulta. N’anën tjetër, pat nji rrymë po aq të gjanë dhe gati njisoj të pandershme të propagandës proruse, dhe që përbante bojkot për kenddo që mundohej me diskutu çashtje të fortrandësishme si njerëz të rritun. Mundeshe, njimend, me botu libra antirusë, por po t’i botojshe, e kishe të sigurtë me të shpërfillë ose keqndërpretu gati i tanë shtypi mendar. Haptazi e privatisht ta tërhiqshin vërejtjen se «nuk ban» me ba qashtu. Çka kishe me thanë mund t’ishte e vërtetë, por ishte «e pakohë» dhe «i jepte përparsi» këtij ose atij interesi reaksionar. Kjo qasje rëndom mbrohej me arsyen se gjendja ndërkombtare, dhe mbëhia e ngutshme për aleancë anglo-ruse, e kërkonte; por qartë, ky ishte arsyetim. Inteligjencia angleze, ose nji pjesë e mirë e saj, kish zhvillu nji besnikni kombtariste ndaj BRSS-së, dhe në zemrat e tyne ndjenin se me vu pikë dyshimi mbi urtinë e Stalinit do thoshte zotshamje. Ngjarjet në Rusi dhe ngjarjet tjetërkund gjykoheshin me standarde të ndryshme. Përmbarimet (ekzekutimet) e pafundme në spastrimet e viteve 1936–38 u duertrokitën nga kundërshtarët e përjetshëm të denimit me vdekje, dhe shihej njilloj me vend me i botu lajmet e zisë së bukës kur ngjante n’Indi dhe me i mshefë kur zia ndodhte n’Ukrainë. Dhe nëse kjo ish e vërtetë para lufte, atmosfera intelektuale sigurisht s’asht aspak ma e mirë tash.

Por me iu kthy tash qëtij librit tim. Reagimi ndaj tij i shumicës s’intelektualëve anglezë do jetë fare i thjeshtë: «S’asht dashtë të botohet». Natyrisht, ata kritikë që e kuptojnë artin e denigrimit nuk do e sulmojnë nga pikpamjet politike por letrare. Do thonë se asht libër i plogët, teveqel, dhe bjerrje e turpshme e letrës. Kjo mund të jetë e vërtetë, por s’asht tregimi i plotë. Dikush s’un thotë se nji libër «s’asht dashtë të botohet» vetëm pse asht libër i keq. Tek e mbramja, me hektarë bërllog shtypen përditë, dhe kurrkujt s’i bahet vonë. Inteligjencia angleze, ose shumica e saj, do e kundërshtojë kët libër sepse e përgojon Udhëheqësin dhe (siç e shohin ata) i ban dam kauzës së përparimit. Po ta bante të kundërtën, ata s’do kishin asgja për të thanë kundër tij, edhe sikur cenet letrare t’i kish dhjetë herë ma verbuese nga ç’i ka. Mbërritjet e, për shembull, Klubit Majtist të Librit përgjat nji periudhë katër a pesëvjeçare tregojnë sa të gatshëm jan me toleru shkrimin fjalështhurun e gojëshlirë, përderisa thotë çka duen me ndi ata.

Çashtja këtu asht fare e thjeshtë: A e meriton çdo mendim, sado jopopullor — sado i budallmë, madje — mundësinë me u ndigju? Thuje qashtu, dhe gati secilit intelektual anglez ka me iu dukë se duhet të thotë «Po». Por jepi nji trajtë ma të prekshme, dhe pyet, «Po nji sulm ndaj Stalinit? A e meritoka qai mundësinë me u ndigju?», dhe përgjigjja shum ma shpesh ka me qenë «Jo». N’at rast, ortodoksia e tashme sfidohet, dhe parimi i fjalës së lirë shket. Tani, kur dikush kërkon liri të fjalës dhe të shtypit, nuk asht tue kërku liri të pakufizueme. Gjithmonë duhet të ketë, ose sidoqoftë, gjithmonë ka me pasë, noj sasi censure, përsa të ketë shoqni t’organizueme. Por liria, siç ka thanë Rosa Luxemburgu, asht «liri për dostat tjerë». Të njejtin parim e gjen dhe në fjalët e lavdishme të Volterit: «Ma shpif çka je tue thanë; por do e mbroj me jetë të drejtën tande me e thanë». Nëse liria intelektuale, që pa asnji dyshim ka qenë nji nga shejat dalluese të qytetnimit perëndimor, domethanë diçka, atëherë domethanë se secili duhet ta ketë të drejtën me thanë dhe me shtypë çka mendon se asht e vërteta, me kusht që nuk i damton të tjerët në nji mënyrë të pamohueshme. Si demokracia kapitaliste ashtu dhe versionet perëndimore të shoqalizmit e kan marrë at parim deri vonë për të mirëqenë. Qeveria jonë, siç e kam cekë tashma, ende shpreh njifarë respekti për te. Gjindja e rëndomtë në rrugë — pjerësisht, mbase, pse nuk u interesojnë mjaftueshëm idetë sa për të qenë mostolerues ndaj tyne — ende vagullsisht shpallin se «mendoj secili ka të drejtë me pasë mendimin e vet». Jan vetëm, ose të paktën kryesisht, inteligjencia letrare dhe shkencore, mu gjindja që ish dashtë me qenë sogjetarë të lirisë, që po nisin me e përbuzë, në teori e në praktikë.

Nji nga dukunitë e veçanta të motit tonë asht liberali mjekërlëshues. Përveç pandehjes së njohun marksiste se «liria borgjeze» asht shpresëkotë, â përhapë tani nji primje me argumendu se mund ta mbrojmë demokracinë vetëm me metoda totalitare. Nëse dikush e don demokracinë, ia thotë argumendi, ai duhet me i shtypë anmiqtë e saj me pamarrëparasysh çfarë mjetesh. Dhe kush jan anmiqtë e saj? Gjithmonë duket se jan jo vetëm ata që e sulmojnë haptazi dhe me vetëdije, por ata që «objektivisht» e rrezikojnë tue përhapë mësime të gabueme. Me fjalë tjera, me mbrojtë demokracinë domethanë edhe me shkatrru krejt pamvarsinë e mendimit. Ky argumend u përdor, për shembull, për t’i arsyetu spastrimet ruse. S’besonte thujse as ma i zjarrti rusdashës se të gjitha viktimat ishin fajtore për të gjitha gjanat që u ngarkoheshin, por se tue mbajtë mendime heretike, ata «objektivisht» e damtunë regjimin, dhe rrjedhimisht ishte e drejtë jo vetëm me i masakru, por me i diskreditu me akuza të rrejshme. I njejti argumend u përdor për t’i arsyetu gënjeshtrat e vetëdijshme të shtypit majtist për trockijistët dhe pakicat tjera republikane në luftën qytetare të Spanjës. Dhe u përdor prap si arsye për me lehë kundër së drejtës m’e sfidu burgimin e paligjshëm (habeas corpus) kur u liru [udhëheqësi i fashistëve britanikë, Oswald] Mosleyi, më 1943.

Këta gjind nuk e shohin se nëse u jep zemër metodave totalitare, ka me ardhë koha kur do të përdoren kundra teje në vend se për ty. Baje shprehi me i burgu fashistat pa gjyq, dhe ndoshta ecunia s’ka me u ndalë me fashistat. Pak mbasi gazetës së ndalueme Daily Worker iu rileju botimi, isha tue ligjeru në nji kolegj të klasës puntore në Londrën Jugore. Ndigjuesia përbahej prej puntorësh dhe intelektualësh të klasës së mesme t’ulët — e njejta ndigjuesí që dikur takohej nëpër degët e Klubit Majtist të Librit. Ligjerata e preku lirinë e shtypit, dhe në fund, për habinë time, shum pyetës u çunë e më vetën: A nuk mendojsha unë se ish gabim i madh me ia heqë ndalesën Daily Worker-it? Kur i pyeta pse, thanë se asht gazetë me besnikni të dyshimtë dhe nuk duhet toleru në kohë lufte. Më ra mue me e mbrojtë Daily Worker-in, që ma shum se njiherë e ka ba mundin me shpifë kundër meje. Por kah e kishin mësu këta njerëz kët botëkuptim qensisht totalitar? Fort me të sigurtë, e kishin mësu prej vetë komunistave! Tolerimi dhe mirësjellja i kan rrajët thell n’Angli, por nuk jan të pashkatrrueshme, dhe duhet me i mbajtë gjallë pjesërisht me përpjekje të vetëdijshme. Rrjedhoja e të predkuemit të mësimeve totalitare asht me dobsu pamendimsinë (instinktin) me të cilën njerzit e lirë e dijnë se çka asht e çka s’asht e rrezikshme. Rasti i Mosleyt e shembullon këte. Më 1940, ishte krejt në rregull me e syrgjynu Mosleyn, pa marrë parasysh a kish kry ndonji krim. Ishim tue luftu për mbijetesë, dhe s’mund të lejojshim nji kuisling me u sjellë i lirë. Me e mbajtë mbyllë, pa gjyq, më 1943, ish nëpërkambje. Dështimi i përgjithshëm me e pa kët dallim asht simptomë e keqe, ndonse asht e vërtetë që agjitimi kundër lirimit të Mosleyt qe pjesërisht i sajuem e pjesërisht arsyetim i paknaqsive tjera. Por sa prej shkamjeve të tashme kah mënyrat fashiste të mendimit kan rrjedhë prej «anti-fashizmit» të këtyne dhjetë vjetëve të mbrama dhe prej paskrupullsisë që e ka pru?

Asht me randësi me e kuptu se rusomania e tashme asht vetëm simptomë e dobsimit të përgjithshëm të traditës liberale perëndimore. Sikur Ministria e Informimit t’i kish futë hundët dhe ta kish ndalu përfundimisht botimin e këtij libri, shumica e inteligjencisë angleze s’do kishin pa asgja shqetsuese prej asaj pune. Besniknia jokritike ndaj BRSS-së rastis me qenë ortodoksia e tanishme, dhe aty ku preken interesat e pandehun të BRSS-së, ata jan të gatshëm me toleru jo vetëm censurën, por fallsifikimin e qëllimshëm të historisë. Për me përmendë nji rast, kur vdiq John Reedi, autori i librit Ten Days that Shook the World (10 ditë që e dridhën botën) — nji tregim i dorës së parë për ditët e hershme të Revolucionit Rus — e drejta e autorit mbi veprën i kaloi Partisë Komuniste Britanike, së cilës besoj se Reedi ia kish lanë me testamend. Disa vjet ma vonë, komunistat britanikë, mbasi e kishin zhdukë botimin e parë ngamos që e kishin gjetë, e nxorën nji version të ngatrruem, prej të cilit i kishin heqë përmendjet e Trockit e madje hymjen e shkrueme nga Lenini. Po të kishte ende inteligjenci rrajtare (radikale) në Britani, kjo vepër fallsifikimi kish me u vu në pah dhe kallxu në çdo gazetë letrare në vend. Por në rrethanat tona, pat pak a aspak kundërshtim. Shum intelektualëve anglezë u dukej krejt e natyrshme kjofarë pune. Dhe ky tolerim i pandershmënisë s’ashiqarshme difton ma shum se faktin që Rusia ka hy në modë në kët çast. Me shum gjasë, ajo modë s’ka me zgjatë. Ma merr mendja, deri sa të botohet ky libër, pikpamja ime për regjimit sovjetik mund të jetë pikpamja përgjithsisht e pranueme. [Pra, gati të gjithë mund të bahen kritikë ndaj BRSS-së.] Por ç’e mirë do na sjellë kjo? Me këmby nji ortodoksi me nji tjetër nuk asht medoemos përparim. Anmiku asht mendja gramafon, pa marrë parasysh a pajtohet kush me pllakën që asht tue u lujtë në kët çast.

Jam provu mirë me të gjitha argumendet kundër lirisë së mendimit dhe shprehjes — argumende të cilat përtendojnë se ajo liri s’mund t’ekzistojë dhe argumende që përtendojnë se nuk duhet t’ekzistojë. Thom thjesht se s’më bindin dhe se qytetnimi ynë gjat nji periudhe 400-vjeçare asht ndërtu mbi vërtetimin e së kundërtës [s’atyne argumendeve]. Ka mbi nji dekadë tashma që besoj se regjimi i tashëm rus asht kryesisht gja e ligë, dhe kambëngul në të drejtën me e thanë këte, megjithë faktin se jemi aleatë me BRSS-në në nji luftë që shpejt due me e pa të fitueme. Po të më duhej me zgjedhë nji tekst për ta arsyetu veten, do duhej m’e zgjedhë rreshtin e Miltonit: «simbas rregullave të dituna të lirisë së lashtë».

Fjala lashtë e thekson faktin se liria intelektuale asht traditë rrajëthellë, pa të cilën do ish krejt e dyshimtë nëse kish me ekzistu kultura jonë karakteristike perëndimore. E qasaj tradite, shum prej intelektualëve tanë ashiqare po ia kthejnë shpinën.

E kan pranu parimin se nji libër duhet me u botu ose ndalu, lavdu ose mallku, jo simbas meritave por simbas dobisë politike. Dhe të tjerët që s’jan të këtij mendimi e japin pëlqimin pos prej tute. Nji shembull i kësaj asht dështimi i paqetarëve të shumtë e të zashëm anglezë m’e ngritë zanin e tyne kundër adhurimit të kaqpërhapun ndaj ushtarakizmit rus. Simbas atyne paqetarëve, çfarëdo dhune asht e ligë, andaj na kan nxitë në secilin hap të luftës me u dorzu ose të paktën me ba paqe kompromisi. Por sa syresh kan sugjeru ndonjiherë se lufta asht gjithashtu e ligë kur e ban Ushtria e Kuqe? Qartë, rusët kan të drejtë me u mbrojtë, por na me u mbrojtë asht mëkat i randë. Kjo kundërthanie shpjegohet vetëm në nji mënyrë: pra, nga dëshira qyqane mos me i prishë punët me shumicën e inteligjencisë, që ka ndjenja atdhetare për BRSS-në në vend të Britanisë. E dij se inteligjencia angleze ka shum arsye me ngurru e me qenë e pandershme; njimend, i dij përmendsh argumendet me të cilat e arsyetojnë veten. Por të paktën, të mos shesim ma kopalla kinse po e mbrojmë lirinë ndaj fashizmit. Nëse liria domethanë nojgja, domethanë e drejta me u thanë njerëzve çka s’duen me ndi. Njerzit e rëndomtë ende vagullsisht e ndjekin at doktrinë, dhe veprojnë simbas saj. Në vendin tonë — nuk asht njejt në të gjitha vendet; nuk ka qenë kështu në Francën republikane, dhe nuk asht kështu sod [më 1945(!)] në Shtetet e Bashkueme — jan liberalët ata që i tuten lirisë dhe intelektualët ata që duen me i hedhë lloç intelektit: për ta vu në pah kët fakt e shkrova kët parafjalë.


Origjinali: George Orwell, «Freedom of the Press», Animal Farm (1945). E përktheu: Getoar Mjeku (2016).

Shih edhe:

(Pamje: Orwell, thanie për gjuhën politike)
George Orwell, «Politika dhe anglishtja» (ese, 1946)