Si më përjashtuan nga Partia

Përurimi i hekurudhës Tiranë–Durrës
Përurimi i hekurudhës Tiranë–Durrës

Kaluan vite prej se kish rënë komunizmi. Të rinjtë që kishin ikur nga Shqipëria tashmë kishin rregulluar letrat. Dhe ca kishin kursyer aq para dhe kishin mbledhur aq mall sa të ktheheshin në shtëpitë e tyre, të paktën për të parë atë që lanë pas.

Po çmalleshin me njerëzit e vjetër. Po kujtonin kohët e vjetra. Dhe po bisedonin pa ngurrim për të mirat e të këqijat e atyre moteve. Dy shokë takuan një nga ata burrat e guximshëm që nuk e kishin duruar dot tiraninë.

— Ke hequr shumë, o Xhafo. Po na thuaj, përse të nxorën nga partia? — e pyetën.

— Epo, — u përgjigj Xhafua, — më dhanë disa vërejtje. Dhe herën e tretë, më përjashtuan.

— Po si u bë? Na thuaj.

— Vërejtjen e parë ma dhanë kur vdiq shoku Hysni Kapo. Pasi varrosëm Hysniun, unë thashë: «Me këto të holla që shpenzuam për ceremoninë e shokut Hysni do të kishim varrosur të gjithë Komitetin Qëndror». Dhe më dhanë vërejtjen e parë.

— Ua! Po herën e dytë?

— Herën e dytë, — dëftoi Xhafua, — më ardhnë shokët e partisë në vizitë në shtëpi. Dhe kur panë në mur fotografitë e Enverit dhe Mehmet Shehut pranë njëra-tjetrës, më thanë: «Po përse s’e ke hequr atë qelbësirë nga muri?». Unë ua prita: «Cilën?». Dhe kështu më dhanë vërejtjen e dytë.

— Po kjo e fundit, si u bë?

— Këtë radhë, më mori në telefon sekretarja dhe më pyeti: «Pse nuk ishe në mbledhjen e fundit të partisë?». «Vërtet?», i thashë unë. «Po ta dija se po mbanit mbledhjen e fundit, mbase dhe do të vija». Dhe për këtë fjalë goje mora vërejtjen e tretë dhe të fundit. Më hoqnë nga partia!

(Përshtatur nga rrëfimi i shokut Adnan Mustafa, ndjesë pastë, për Xhafon e Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë. Ripostuar me ndryshime.)

Nga Getoar Mjeku

Njeri i lirë dhe avo­kat prej Prish­tine të Dar­da­nisë. Shkrun për shqip­tarët, gju­hën, histo­rinë, e poli­ti­kën. Lexon çkamos. Ndih­mon me mirë­mbajtë saj­tin për shqip­tari, Plisi.org.