«Copë-copë»



Rreze Abdullahu

Shkrimtare dhe psikologe nga Dardania. Shkrun për gratë dhe shoqërinë shqiptare. Autore e librit me kujtime, «Nuk du luftë».

Çdo ditë e shof se si shuhet jeta e një gruaje të re. Jeta e asaj që ndryshe s’mund t’ia del, përveq t’i bindet asaj që shoqëria kërkon prej saj, nënshtrimit. E kam parë presionin që i rri ngjitur për trupi për të heshtë, dhe pranuar gjithcka që kushdo i kërkon. E shof çdo ditë atë dhimbje shpirti që kalon drejt syve, e kërkon me i zgjatë dorën, në heshtje, pa u vërejtë, e bindur dhe në fund e shkatërruar.

E kam taku, e kam pas afër meje atë lloj dhimbje kur gruaja 35 vjeçare rri e pamartuar, po dhimbje! Sepse këtu, ishin 1001 vetë për t’i përkujtu se ishte pika e zezë e familjes, e kështu s’do të duhej të ndodhte, sepse ‘femrat’ janë të derës huaj. Dhe s’kishte më një vend për të, as një copë qielli, por ajo vetë përbënte copën e dhimbjeve të mëdha kur je grua.

E kam taku atë grua që u nda prej burrit, e të gjithë i kthyen shpinën. E kam ndje në shpirt lotin e saj se çdo kund është e tepërt. S’ka as shkollë, as punë, as kulm mbi kokë. Femrave kurrë s’u jipet hise, janë të derës huej. Edhe një copë tjetër prej dhimbjes që nuk i dihet kurrë fundi.

E kam pa atë vajzë të re që u martua tetëmbëdhjetë vjece, e kam pa tek bëhej një nuse e mirë, punëtore dhe pa gojë. Madje ajo vetë u mburr se kjo ishte urtësi dhe se e kishte për kënaqësi tu shërbente gjithë ditën me çaj e mos të ulej kurrë kur të dëshironte me pushu, mos të flinte kurrë kur t’i flihej. E kam pa si pranoi se ky ishte fati i femrës, e ajo ishte shumë e lumtur me fatin e saj.

Kam parë edhe kur nënat insistojnë t’i martojnë vajzat e reja, edhe pse atfo janë martuar vetë në këtë moshë. Kanë hequr, vuajtur, e s’kanë jetuar kurrë. E shof ende nëna të tillë që inistojnë se martesa është gjëja më e rëndësishme në jetë, që shpërlajnë trurin e një feëmije intelegjent, e bind të ndjek rrugën e tyre të pashpresë. Të martohet vajza e re që ajo me u mburr me shoqet e mahalles që përgjojnë të tjerat prej birave ku hyn çelësi.

E kam parë edhe pafuqinë e mikes sime për t’i thënë një horri mjaft se jeta e saj i përket vetëm asaj. Ajo do zgjedhi vetë mënyrën se si të jetojë, pa të, më e lumtur dhe më e fuqishme, të paktën s’do të bëjë dashuri nën presionin e ndarjes, por do e bëjë nga dashuria dhe përkushtimi.

Këtyre dhe të gjithave, kam dashur tu bërtas se kjo nuk është jeta. Edhe gruaja është njeri, dhe të gjitha ato janë njerëz, sikur burrat që në jetën tyre i kanë njohur. Një grua mund t’i bëjë sa vjet të dojë, e mund të martohet por mund edhe të mos martohet. Eshtë zgjedhje e saj, dhe nuk ka këtu asnjë krim, jeta është më e thjeshtë seç u kanë mësuar të tjerët atyre. Një grua mund të ndahet prej burrit kur ta shikojë se më nuk shkon, dhe jeta prapë vazhdon, nuk i dihet ndoshta edhe më mirë. Kjo është e sigurt, ta lësh dhimbjen dhe poshtërimin tutje, është një hap drejt jetës reale, asaj se ti je njeri. Një vajzë e re do të bënte mirë nëse do zgjidhte të shkollohej, urtësia veç ka robëruar gratë, asgjë tjetër. Të përgatisësh për të tjerët që më pastaj të mburresh, dhe të të lavdërojnë nuk përbën një shkollë, veç tregon se si do të rriten fëmijët e tu; duke parë nënën e tyre si robëreshë dhe të pazonja për vetën e saj, e dikur duke të shikuar me keqardhje që nuk ka lënë asnjë gjurmë në jetë, madje edhe duke të fajësu. Cdo grua mund të martohet e re, por gratë e zgjuara sado nën trysninë e mentalitetit primitv, i’a dalin dhe përpiqen për të ndryshu gjërat. Këto gra martohen, por martohen kur kanë gjetur dikë që s’kërkon t’i robërojë e tu shërbejë, por të ecin krah për krah e të luftojnë së bashkë, të paktën për të ardhmen e fëmijëve të tyre. Asnjë vajzë nuk duhet të tolerojë kur ndien se dikush luan me të, ti ke vlera që nuk maten me cipën e virgjërisë, vlerat kështu i matin veç budallenjtë dhe ata që na kanë lënë këtu ku jemi sot. Ti mund të lësh prapa, dhe mos të kthesh kokën kurrë, shoqëria ka më shumë nevojë për ty se sa një dashnor që vret një grua e e bënë copë-copë.

NE MUNDEMI ME IA DALË ME PA JETËN NDRYSHE!



Komente & ndërlidhje

  1. Rreze ja plot rreze për shoqerin shqiptare. Me ty jam krenare. Ti je diell. Të lumtë . E madherishme je. As Dalai Lama për keso tema nuk mundet me mire. Te lumte

  2. Bravo ,shumê mirê e keni shkrue ashtu duhej te ishte ather por edhe tash edhepse gjanat kan ndryshue me tê kaluemen