«Më fal që më pështyve». Kështu tingëllon kërkimfalja e pasinqertë e atyne që e ftuan Çolliqin në Tiranë.
U mundova ta shpërfill punën e kangëtarit sllav, por rraptima e nji jave ma parë vijon të jehojë ende. Pandi Laço, që shoqnoi Zdravko Çolliqin në Shqipni, kish thanë se nuk e ka dijtë se ahengxhiu i huaj e ka përkrahë regjimin anmik të Sërbisë.
Por problemi nuk asht këtu. Se ka shum shqiptarë që s’kanë dijtë për të kaluemen e Çolliqit, ashtu ka të tillë që s’kishin ndie kurrë për te. Çka na shqetson ne shqiptarët e ndërgjegjshëm asht se sa e padijtun për veten dhe sa e përulët asht shtresa e qullacëve të komunizmit. P. Laço me shokë i përkasin asaj shtrese.
Këta i njohin fare mirë artistët e ish-Jugosllavisë, por nuk e njohin Dardaninë si pjesë të pashkëputun të kombit që i përkasin. Dhe nëse ndonjiherë detyrohet me tregue, sa për sy e faqe, pak ndërgjegje, këte e bajnë gjoja për hir të «kosovarëve», jo të shqiptarëve.
Qe dhe letra idioteske që Sandri – i nënshkruem me mononim si gilipterat e barabat sërbë Arkan, Cipiripi e Legija – ua paska dërgue artistave nga Dardania. Në vend se të tregojë keqardhje, drejtuesi i TV Klanit fyejti edhe ma zi, tue la lloçin me baltë.
Simbas Sandrit, nuk asht dashtë me e ftue Çolliqin në Tiranë sepse asht katundar. Madje Sandri thotë se kur shkau i Bosnjës këndonte me Llepa Brenën dukeshin «provincialë» si Silva Gunbardhi me at artistin që këndojnë «Të ka lali shpirt».
«Provincialë» janë vetë «kosovarët» ndaj Tiranës si kryeqendër e Shqiptarisë. Katundarë jemi dhe na vetë që u prekëm kur pamë Çolliqin në sallën e TV Klanit. Dhe se ç’artist asht ai për ne ka pak randësi. Na e kemi hallin te bagazhi politik, që simbas ndërgjegjes së shëndoshë do t’ia mbyllte dyert edhe nji mjeshtri të madh si Andrea Bocelli.
Nuk ka nevojë as me kërkue falje. Çdokush turpnohet kur e pështyjnë. Por jo të gjithë janë të vetëdijshëm që mos me e pru punën aty.
Asht fati i hidhun i Shqipnisë që, tue kalue nga nji regjim në tjetrin, të lëngojë si kurrënjiherë nga njerëz të pandërgjegjshëm që gëzojnë nam e pushtet në çdo fushë të jetës. Por asht fatbardhësia jonë që vendi ynë asht i lirë dhe njerzit nuk ngurrojnë të shfaqin fytyrën e vërtetë.
Kanuni i Lekë Dukagjinit thotë: «Nderen seicilli e ká per vedi e nuk mund t’i perzihet kush kuej . . . » (§ 596). Kësaj i thonë liri.
Shkurtegëza për këtë postim: http://pli.si/20ma59E