Ky mur ka m’u rrëzu!

Gjatë vizitës së tij në Berlin, në qershor 1987, kryetarit amerikan Ronald Reagan i kish ra në sy një parullë grafiti në murin namkeq që ndante qytetin: KY MUR KA M’U RRËZU. BESIMI BËHET ZHGANDËRR.

Presidenti Reagan e përmendi këtë parullë në po atë fjalim ku ftoi udhëheqësin sovjetik Mihail Gorbaçov me e rrënu murin.

Profecia u përmbush në mbrëmjen e 9 nëntorit 1989 — sonte 30 vjet — kur zëdhënësi i partisë së Gjermanisë Lindore lexoi publikisht rregulloren që do të lejonte udhëtimin në Perëndim. Masa qe hartu si përgjigje ndaj protestave popullore, dhe parashihej me nisë zbatimin të nesërmen. Por zëdhënësi i hutuar, që s’kish pasë kohë me u përgatitë, u tha gazetarëve se rregullorja hynte «në fuqi menjëherë, pa vonesë».

Në 19:04, agjencia e lajmeve e Gjermanisë Lindore nxori lajmin për rregulloren e re. Pamjet nga konferenca u shfaqën në televizion në Lindje e Perëndim.

Sakaq, berlinasit nga Lindja i mësynë Perëndimit, duke zënë rojet në befasi. Ushtarët nuk bënë pengesë, turmat nuk e ndalën hovin, dhe kështu ra muri që për katër dekada kishte nda më dysh kryeqytetin gjerman.

Pas Luftës së Dytë Botërore, Aleatët vendosën në Gjermani katër zona pushtimi: amerikanët, francezët e britanikët në Perëndim, dhe sovjetikët në Lindje. Njëlloj u nda Berlini, në katër sektorë. Gjermanët në zonat perëndimore themelunë Republikën Federative të Gjermanisë më 1949, kurse Lindja shpalli Republikën Demokratike Gjermane (DDR), ndonëse nën zgjedhën sovjete.

Më 1961, sovjetikët ngritën një mur të fortifikuar përreth Berlinit Perëndimor, për ta pengu largimin e qytetarëve. Qindra vetë u vranë në përpjekje për të ikë nga Lindja. Përpjekjet e Moskës për reforma në fundvitet 80 sollën ndryshime politike që çunë në rënien e murit.

Një vit pas bashkimit të Berlinit u bashku dhe Gjermania. DDR-ja u shpërbë, dhe trevat në Lindje u bënë shtete të Republikës Federative të Gjermanisë.

Nga Getoar Mjeku

Njeri i lirë dhe avo­kat prej Prish­tine të Dar­da­nisë. Shkrun për shqip­tarët, gju­hën, histo­rinë, e poli­ti­kën. Lexon çkamos. Ndih­mon me mirë­mbajtë saj­tin për shqip­tari, Plisi.org.