Për lirinë e Shqipërisë



Getoar Mjeku

Njeri i lirë dhe avo­kat prej Prish­tine të Dar­da­nisë. Shkrun për shqip­tarët, gju­hën, histo­rinë, e poli­ti­kën. Lexon çkamos. Ndih­mon me mirë­mbajtë saj­tin për shqip­tari, Plisi.org.

Shqipnia nuk u çliru më 29 nandor 1944. Çlirimi i njimendtë filloi në dhjetor 1990, kur studentët u ngritën për «Shqipërinë si gjithë Europa», dhe vijon edhe sot.

Tue folë së voni për arsimin në Shqipni, Kryeministri Edi Rama e lidhi sërish t’ardhmen e vendit me trashigiminë e diktaturës komuniste. Së pari, na kujtoi se vendi qenka çliru më 29 nandor. Dhe së dyti, i doli në mbrojtje gjuhës zyrtare që vendosën komunistët, ndërsa qortoi ashpër ata që nxisin shqipen të zhvillohet e lirë mbi thesarin e gjuhës së popullit.

Z. Rama gaboi randë. Dijetarëve ua caktoi kufijtë e mendimit të lirë, popullit i hodhi krypë në varrët e pamejtuna të së kaluemes, kurse të vërtetën e shtremboi simbas nevojës së vet. Por qysh, tek e pse?

E lirë si Shteti i Kongos

Kreu i qeverisë gaboi. Sepse Shqipnia nuk u çliru më 29 nandor 1944. Vendi mbeti i robnuem për dekada mbas asaj date. Gjysma e kombit lëngoi sërish nën pushtim jashtë kufijve të shtetit shqiptar. Ndërsa prijësit komunistë në Tiranë kremtuan Ditën e Çlirimit në të njejtën datë me Jugosllavinë e Titos.

Kur ushtari i mbramë gjerman lëshoi truallin e Shqipnisë Londinare, flamurit kombtar iu kthyen xhinglat e robnisë. Nazistët kishin leju Dheun e Arbënit ta ngritte po at flamur që ka sot – pa fashat romake dhe mbishkrimin e çoroditun latin që Italia ia pati vu përreth shqiponjës dykrenore. Por në krye të motit, partizanët i sollën sërish nishanet e pushtuesit, tue ia shtu shpendit sipri yllin e verdhë të komunizmit.

Dhe siç tregon ate që kish pa me sytë e vet At Zef Pllumi, partizanët nuk u mjaftunë me pesëcepëshin bolshevik. Pranë flamurin tonë dhe mbi te, zu të valojë trobojnica e nji shteti tjetër, të cilin komunistët shqiptarë e quanin me plot miradashje, «Jugosllavi[a] motër».

Tri vjet mbasi kishin futë hundët në punët e Shqipnisë, komunistët jugosllavë arrijtën me e shti në dorë vendin tonë. Të dërguemit e Titos kishin themelu Partinë Komuniste Shqiptare, marrë përsipër radhët e partizanëve shqiptarë, dhe pengu me çdo kusht përpjekjet e popullit të vorfun evropian për demokraci e bashkim kombtar. Tani që Gjermania po kapitullonte, jugosllavët baheshin gati me shndërru Shqipninë në tokë të tyne.

Me përmendë tash tokën, shteti shqiptar i 29 nandorit tkurri menjiherë shtatin, duke heqë dorë gjysma e truallit që i takonte. Viset e banueme me shqiptarë që ishin bashku me «shtetin amë» më 1941 u shkëputën sërish, ndërsa qeveria e re në Tiranë – nën udhrnat e Jugosllavisë – njohu kufijtë e paraluftës.

Shqipnia mbeti sapërsyefaqe shtet i lirë e i pamvarun në rrafshin ndërkombtar. Por pushtimi jugosllav dhe mëkambësit gjakatarë të Titos ia tretën kuptimin mëvetsisë arbënore. Në vendin tonë u shfaq përleshja e dikurshme për Afrikën: Shqipnia e 29 nandorit ishte Shteti i Pamvarun i Kongos, çifligut vetjak të Leopoldit II të Belgjikës. Shteti ishte i lirë dhe populli skllav i tij.

E deshti fati që, në nji kyç të historisë, mëkambësit e Beogradit të ndërronin udhë. Tue ia kthye shpinën zotit të vjetër, komunistët shqiptarë u banë vasalë të Moskës. Dhe kur sërish ndërrunë rendet botnore, shpunë njerëz nga Peqini në Pekin për ta lidhë vllazninë e praptë me diktatorin ma gjakatar të historisë, shokun Mao.

E deshti prapë fati që Tirana e kuqe të mbetej qyqe e vetmueme e komunizmit ndërkombtar. Kamba e nji kryetari amerikan, tek shkeli në Kinë, këputi penin e miqsisë sino-arbënore, tue përplasë despotin shqiptar për pemën që e kishte përbuzë me dekada të tana. Enveri, çuditnisht, iu kthye trungut kombtar, bekoi forcat vetanake dhe u foli ambël edhe shqiptarëve jashtë shtetit amë.

Por për 50 vjet, mëkambësit e dikurshëm të Titos e shkatrrunë Shqipninë. Dhe për gjithë at gjysmë shekulli s’pranë kurrë së kremtuemi Ditën e Jugosllavisë. Më 29 nandor 1943, në nji fshat të vogël të Bosnjës, komunistët jugosllavë u pajtunë që mbas çlirimit të vendit ta krijonin nji shtet federativ. Nji vit ma vonë, shteti satelit i Jugosllavisë shpalli veten të lirë – dhe krejt rastësisht – në po at datë.

Çlirimi i njimendtë filloi në dhjetor 1990, kur studentët u ngritën për «Shqipërinë si gjithë Europa». Nisi atëherë dhe vijon në njifarë mënyre edhe sot, ndërkohë që shqiptarët forcojnë demokracinë, ani pse mendësia e vjetër komuniste mëton hera-herës t’ia ndalë hovin. 29 nandori ishte ditë robnie, dhe kryeministrit Rama s’i përket ta thotë ate që s’ishte.

Për dorën e këputun

Rama foli ma shum se ç’i takonte. Dhe sakaq ma kujtoi përsëri Leopoldin.

Në gjysmën e dytë të shek. XIX, mbreti belg mblodhi të holla në vendin e tij e gjetkë, krijoi nji shoqatë bamirëse për Afrikën dhe çoi njerëz për ta dërgue qytetnimin perëndimor në pjesën e mbrame të kontinentit ku ende s’kish shkelë kambë evropiani.

Pak vjet mbas Kongresit të Berlinit për Shqipninë, fuqitë perëndimore u tubunë sërish në kryeqytetin gjerman, me vendosë kësaj radhe për Afrikën. Leopoldin II e njohën për hiç ma pak se pronar të truellit që sot përban Kongo-Kinshasën. Për dy dekada, Shteti i Pamvarun i Kongos veproi si nji biznes i ndytë, që veç xeheve, fildishit e kauçukut u mori dhe jetën gjysmës së popullsisë.

Vendasit e shkretë, shkrunte Mark Twaini, «ngritin llanët e gjymtueme dhe vajtojnë sepse duart u janë këputë si ndëshkim pse nuk kanë sjellë sa duhet kauçuk dhe . . . si dëshmi se zaptijet me të vërtetë e me përpikmëni ua kanë dhanë ndëshkimin e duhun».

Nji shekull ma vonë, vajin e kauçukvjelësve e ndijmë ndër shqiptarë. Këta vajtojnë gjymtimin e gjuhës shqipe. Komunistët ia këputën njanën nga dy kryefolmet. Por për dallim nga kongolët që s’i kthenin dot duert e coptueme, shqiptarët e dijnë se shqipen mund ta bajnë të plotë sërish. Prandaj rënkojnë.

Gjamën ua ndiu edhe kryeministri, ndonëse s’i ndjejti as i kuptoi. Në fjalimin e tij për arsimin, Rama lëshoi kushtrimin kundër ithtarëve të shqipes së lirë. «[D]isa gjysmë injorantë dhe gjysmë të ditur», tha, «duan të na pëplasin përtokë gjuhën . . . duan ta ndajnë prapë, në dy gjysma, gjuhën shqipe».

Por shqiptarët thjesht po kërkojnë gjysmën që e veçoi dhe leçiti tjetërkush shum para nesh. Gjuha komunishte që ia mponoi popullit regjimi i vjetër duhet t’ia lëshojë vendin gjuhës shqipe. E lirë dhe e plotë, shqipja ka gegnishten dhe toskërishten, pa dallim.

Dy ligjeronjat janë dy duert e shqipes. Dhe shqiptarëve u duhen të dyja. Lenaini shlirë!

Shum nga ne do ta zgjedhim dorën që dikur ka qenë e ndalueme. Dhe shumkujt do t’i duket mbrapsht, pastaj, kur ta shohë shoqin mëngjarash tek e kap lapsin sdijseqysh. Por ç’do të bajë, kishim me thanë. T’ia lidhë at dorë? Ta detyrojë të shkruajë me të djathtën? S’janë të paktë ata që besojnë se e majta asht vetëm për nji punë.

Shkenca paralajmëron rreziqet e kthimit me forcë. Studimet tregojnë po ashtu se detyrimi as që jep fryt çdoherë. Madje, siç mund të diftojë nana ime, për kët punë s’vyn as me u lutë. Kot na mori dhe me të mirë. As ky e as tjetri evlad s’e ndigjoi të shkrunte me dorën e djathtë (dhe pastër në gjuhën e njësuar), ani pse motra e nanës ia pati dalë mbanë disi me tezakun tonë vëngosh.

Asht punë e natyrës. Dhe natyra u fal njerëzve lirinë, që nji qeverie në shërbim të popullit s’i takon t’ua kufizojë. Për qëllime të veta, diktatura prodhoi normën e drejtshkrimit që run zyrtarisht gjuha jonë. Por ndërsa flet sot për pamvarsinë e ngrehimeve të dijes, s’i takon kryeministrit t’ua lidhë duart akademikëve me kinse-shkencën që sajoi pushteti dikur. T’i lejë të lirë.

Z. Rama mund të bajë ma shum për lirinë e Shqipërisë. Mund të bajë ma shum për «gjeneratën tjetër» – brezin e ri!


Stema e Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë — Jugosllavët përkujtunë datën e themelimit të federatës tue shënue në stemën e tyne «29.XI.1943». Fillimisht, amblema pati pesë flakadanë që simbolizojshin kombet shtetformuese: sërbët, kroatët, sllovenët, sllavo-maqedonët dhe malazezët. Mbas ndryshimeve kushtetuese të 1963-s, që njohën myslimanët (sot boshnjakët) për komb më vete, në stemë u vendos edhe pishtari i gjashtë. Shqiptarët – ndonëse ishin bashkësia ma e madhe mbas sërbëve e kroatëve – llogariteshin si «kombsi» (srb-kr. narodnost) ose pakicë kombtare joshtetformuese dhe nuk përfaqësoheshin në stemën e federatës.
Flamuri i RP dhe RPS të Shqipërisë
Flamuri i Republikës Popullore të Shqipërisë përmbante sipër shqiponjës dykrenore nji yll të verdhë pesëkandësh. Zanafilla e këtij simboli ideologjik ishte ylli i kuq që bartnin në kapuça luftarët bolshevikë gjatë Luftës Qytetare Ruse. Dekada ma vonë, yllin e përvetësunë si simbol antifashist partizanët jugosllavë, të cilët e sollën ndërkohë edhe në Shqipni. Gjatë Luftës së Dytë Botnore dhe në vitet e para të sundimit të tyne, komunistët ndryshunë disa herë flamurin. Më 1943, vunë nji yll të verdhë në sipërkandin e majtë, kurse mbasi morën pushtetin e zavendësunë me drapnin e çekanin sovjetik. Flamuri i mbramë u përcaktu kur u shpall «republika popullore» më 1946 dhe mbeti i pandryshuem deri mbas ramjes së diktaturës.

(Botu fillimisht në bllog vetjak dhe shtypin ditor në korrik 2014. Ribotu këtu me ndërhymje të vogla.)