Ky është flamuri i Teksasit, ku kam kalu një dekadë jetë me studime e punë. Teksasi është shteti i kryetarit amerikan George W. Bush, që vendosmërisht pat thënë se «mjaft domethënë mjaft, Kosova ka me qenë e pavarur».
Ndërsa këtë javë festumë fitoren në zgjedhje dhe përvjetorin e pavarësisë së Dardanisë, bashkatdhetarët dhe miqtë e mi në Teksas u përballën me një stuhi të rrallë dimri.
Të mësuarve me mot të ngrohtë e dimra të lehtë, acari i sivjetëm u çrregulloi përditshmërinë plot punë e gjallëri. Mullijtë e erës janë ngri, rrjeti i shpërndarjes ka ra, gypat kanë pëlcitë, dhe gati gjysma e shtëpive kanë mbetë pa ujë, rrymë e nxemje në temperatura -10 e teposhtë. Kerret nuk kanë as goma dimri, për me ecë nëpër borë, që tanimë ka mbulu plazhet dhe ka përshku bregdetin prej 591 kilometrash nga Luiziana në Meksikë.
«Gjithçka është ma e madhe në Teksas», thonë. Hovi i stuhisë u shumëfishu atje. Por edhe qëndresa do të jetë ma e madhe.
Teksasi, si shtet i fuqishëm e punëtor, pritet të mësojë nga kjo përvojë dhe të ndryshojë shumçka në infrastrukturë dhe shërbime ndaj qytetarëve. Kondicioneri i ajrit thonë u përsos në qytetin e Hjustonit, për t’i ba ballë të nxehtët. Ka njëfarë madhështie perandorake, kujtojnë si në hajgare, me të shti me nirthtë në pikë të verës. Të nirthtët e sivjetit mund ta shtyjë Teksasin me zhvillu teknologji të reja, që mbase do të na i bëjnë ma të lehtë dimrat edhe neve që i përjetojmë ma shpesh.
Teksasi është shteti i dytë me territor e popullsi në ShBA. Ka gati 30 milionë banorë dhe sipërfaqe sa Gjermania e Italia bashkë. Ky shtet amerikan, që dikur ka qenë republikë e pavarur, ka ekonominë e nëntë në botë. Shquhet për veprimtari të llojllojshme, nga bujqësia e nafta te teknologjia informative, financat e shëndetësia.
Metropolet e mëdha si Hjustoni e Dallasi gjenden në Teksas, bashkë me mija shqiptarë, që njihen për restorantet e ushqimit italian, por i gjen padyshim në çdo fushë tjetër.
Populli teksan është bujar. Emri i shtetit rrjedh nga fjala «tajsha», që në gjuhën e një kombi vendas domethënë shok. Shokët e mi në Teksas do ta kalojnë edhe këtë sprovë.
Moti pritet të ndreqet këtë fundjavë, dhe bashkë me motin lajmet që vijnë nga ajo anë e Atlantikut.
Mbahu Teksas! Stay strong, Texas! ¡Mantente fuerte, Texas!
Shkurtegëza për këtë postim: https://plisi.org/?p=7048