Pjesëtarët e komunitetit shqiptaro-amerikan i kanë dërguar letër kreut të Universitetit të Prishtinës për ta përkrahë në qëndrimin e tij rreth pranimit të studentëve. Sot, grupe të luftëtarëve protestuan para rektoratit, duke këmbëngulë që fëmijët e dëshmorëve dhe veteranëve të pranohen vetvetiu në universitet, pa marrë parasysh kriteret.
Qe letra dërguar rektorit Ramadan Zejnullahu, i cili ka kundërshtuar pranimin pa kriter të studentëve:
I nderuar Rektor Zejnullahu:
Ju shprehim mirënjohjen dhe mbështetjen tonë për qëndrimin tuaj të drejtë e parimor rreth pranimit të studentëve. Disa grupe të interesit po ju bëjnë trysni të pavend që të pranoni një listë maturantësh përkundër kritereve akademike. Shoqata të dëshmorëve e veteranëve të luftës sot protestuan para rektoratit mu për këtë qëllim, duke bërë thirrje madje dhe për dorëheqjen tuaj. Kërkesat e tyre janë të tepërta dhe nuk i shërbejnë të mirës së vendit tonë.
Kandidatët që iu është kërkuar t’i pranoni thuhet të jenë bijë dhe bija të dëshmorëve dhe luftëtarëve. Ne ndajmë dhembjen e atyre që kanë humbur praninë dhe përkrahjen e prindërve. Ndiejmë gjithashtu detyrimin tonë që secilit t’iu dalim në ndihmë, duke iu siguruar mundësi të barabarta për të gëzuar jetë të denjë dhe për ta zënë vendin e merituar në shoqëri.
Ne nuk duam padrejtësi. Nuk duam që fëmijët e të rënëve dhe veteranëve të mbesin përherë viktimë e rrethanave jetësore. Ne mund t’iu ndihmojmë vetëm duke i shtyrë ata që të ecin para e që të arrijnë sa më lart. Andaj nuk mund t’i ulim e t’i shkelim kriteret tona. Përndryshe do të rrezikonim që ata të mbeten përherë aty ku janë sot, si dhembje e barrë e jo bekim për kombin.
Protestuesit sot kërkuan jo zgjidhje por arnim për plagët e luftës. Privilegjet pa kriter dhe përparësitë që u dhurohen grupeve janë të dëmshme për gjithë shoqërinë. Ne që kemi vuajtur për dekada nën diktaturën komuniste e kuptojmë këtë më së miri.
Universiteti Hasan Prishtina duhet të jetë tempull i dijes, që pranon, brumon dhe u jep diplomë vetëm kandidatëve meritorë. Andaj, në emër të komunitetit shqiptaro-amerikan të Teksasit, shoqatave kulturore, si dhe grupeve tona të studentëve dhe profesionistëve të rinj, ju shprehim përkrahjen tonë për qëndrimin e drejtë dhe parimor që po mbani.
Ju keni zgjedhur rrugën e vështirë por të duhur për vendin tonë. Qasja juaj e ndërgjegjshme është në dobi të gjithë shoqërisë dhe ardhmënisë së të gjithë qytetarëve të Kosovës, duke përfshirë dhe fëmijët e dëshmorëve dhe luftëtarëve të lirisë.
Nga komuniteti shqiptaro-amerikan në Teksas, Shtetet e Bashkuara:
Çiltërsisht,
Ramiz Tafilaj
për komunitetinDr. jur. Getoar Mjeku
për profesionistët e rinjDrini Ahmeti
Organizata e Studentëve Shqiptaro-Amerikanë në Hjuston, Teksas (Albanian-American Student Organization of Houston, Texas)
Shkurtegëza për këtë postim: http://pli.si/1MyAZAO