Obituar: Hazir Shala (1934–2014)

Veprimtari për bashkimin e trojeve shqiptare dhe njësimin e gjuhës shqipe ndërroi jetë të hënën [më 1 shtator 2014]. Hazir Shala ishte profesor në shkollën e mësuesisë më 1964, kur diktatura jugosllave e dënoi me 13 vjet burg si anëtar të një organizate që punonte për të drejtat e shqiptarëve.

Ai i përkiste një brezi të shqiptarëve që u ngarkuan me përgjegjësi të shumta për Atdheun e tyre. Hazir Shala u le në fshatin Barilevë të Prishtinës më 1934, në një kohë kur regjimi jugosllav ndalonte shkollimin shqip. Mirëpo kapitullimi i Jugosllavisë në Luftën e Dytë Botërore qe fat në fatkeqësinë e madhe të rruzullit, ndërsa Italia fashiste barti kufirin e Shqipërisë mu pranë Barilevës. Hazir Shala mori mësimet e para në gjuhën amtare.

Në Prizren kreu shkollën e mesme, ndërsa studimet e larta për gjuhën shqipe i ndoqi në Universitetin e Beogradit. Me t’u diplomu më 1959, Shala filloi punën si profesor në Shkollën Normale të Prishtinës, një ngrehim nammirë që përgatiste mësuesit e rij.

Por ajo ishte ende periudhë e vështirë për arsimin shqip, ashtu si për vetë popullin e Dardanisë. Ministër i brendshëm i Jugosllavisë ishte Aleksandar Ranković, një nacionalist sërb që përdorte pa ngurrim organet e rendit për t’i përndjekë shqiptarët. Pushteti përpiqej në veçanti me ua mohu atyre vetvetësinë kombëtare dhe me ua pengu lidhjet me Shqipërinë.

Prof. Shala shprehu mospajtimin e vet përmes punës. Bashkëpunëtorët e tij kujtojnë si ai i mbrunte nxënësit me atdhetari dhe u ligjëronte posaçërisht për veprat e rilindasve. Ai mbikëqyrte edhe grupin letrar “Migjeni,” përmes të cilit nxiste krijuesit e rij të shkruanin shqip.

Më 1963, Shala e kundërshtoi haptazi qeverinë shtypëse, duke botu në gazetën Rilindja një thirrje për njësimin e gjuhës letrare. Vështrimi “Gjuha shqipe ka një trung, një ortografi” doli në numrin e 6 janarit me bekimin e redaktorit, por pa pëlqimin e regjimit, i cili këmbëngulte se shqiptarët e Jugosllavisë flisnin një gjuhë të veçantë nga populli i Shqipërisë.

Prof. Hazir Shala në Muzeun e Skënderbeut në Krujë
Prof. Hazir Shala në Muzeun e Skënderbeut në Krujë

Gjatë atyre viteve, profesori i gjuhës shqipe iu bashkua Lëvizjes Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve (LRBSH), një organizatë e fshehtë me në krye veprimtarin Adem Demaçi. Shala u bë një nga udhëheqësit dhe ideolog i LRBSH-së, ndonëse veprimtarinë nuk e pati të gjatë. Më 1964, autoritetet e zbuluan dhe e dënuan me 13 vjet burg.

Regjimi jugosllav ia ndaloi profesorit me dhënë mësim për një kohë të gjatë. Por z. Shala punoi me i ndërgjegjësu brezat e rij për çështjen kombëtare edhe jashtë godinës së shkollës.

Pas demonstratave të 81-tës, prof. Shala u burgos sërish, bashkë me të birin. Kurse vitet 1990 i kaloi në Tiranë.

Për shumë vjet shërbeu në krye të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, një grup jopartiak që bën thirrje për një shtet të bashkuar shqiptar.

Prof. Shala ndërroi jetë pranë familjes së tij të hënën, më 1 shtator [2014]. Varrimi i veprimtarit bëhet të martën në Barilevë, në orën 16:30.

Nga Getoar Mjeku

Njeri i lirë dhe avo­kat prej Prish­tine të Dar­da­nisë. Shkrun për shqip­tarët, gju­hën, histo­rinë, e poli­ti­kën. Lexon çkamos. Ndih­mon me mirë­mbajtë saj­tin për shqip­tari, Plisi.org.