Për Dasarën

Dasara shtatëmbëdhjetë vjeçe thotë se futbolli nuk është politikë.

Dasara harron se kur luajnë dy shtete vishen nga simbolet kombëtare, duke nisë nga flamuri, ngjyrat, veshjet etj. Dhe, kur futbolli i Dasarës është vetëm futboll, siç ndodh në të gjitha vendet tjera normale (përjashto Serbinë barbare), atëherë flamuri në asnjë rrethanë s’do të konsiderohej provokim.

Dasara si tifozë dhe njohëse e lojërave të futbollit, sigurisht për moshën që ka (ndoshta edhe më shumë), duhet ta dijë se kur dy kombe luajnë mes vete, stadiumet vishen me tifozë – tifozë që, në rastin e kombëtares sonë, do të visheshin me kuq e zi që do të pasqyronte flamurin e Shqipërisë natyrale, dhe “luftëtarët” do të përballeshin në “fushëbetejë” për të shënu një fitore! U pa se kështu nuk ndodhi, e dashur, plotësisht në raport të zhdrejtë me kushtet për në BE (United in Diversity) siç thua dhe ti…

Nuk është thjesht lojë ajo që ngre në këmbë mijëra njerëz kur luajnë dy kombe, është zjarri i dashurisë për Atdheun, se dashuria për Atdheun përbën ndjenjën më fisnike dhe të lashtë të kombit tonë, që nga lashtësia, duke mos u gjunjëzuar para asnjë presioni të cilitdo armik, e së fundmi as armikut barbar Serb. Përse duhet të gjunjëzohemi para një ndeshje futbolli, dhe të lëmë që flamuri, i cili për shekuj nuk u lejua të preket nga dora e fëlliqur, sot po?!

Jo, Dasara. “Dashuria për Atdheun, ia kalon çdo dashurie tjetër,” ta mbush shpirtin me lumturinë më të madhe dhe bën që zemra të të nis e të qaj nga gëzimi. Dashuria për Atdheun, Dasara, ka frymëzuar heronjtë e futbollit në ndeshjen me Serbinë që t’ia dalin. U ka mprehë vullnetin që deri në fund të mbrojnë ngjyrat e kombëtares. Çdo njeri në botë dëshiron që vendi i tij të shkojë përpara dhe të fitojë!

Dasara, kështu vepruan edhe Serbët. “Mbrojtën” veten e tyre në faj. Për Atdhenë!

E kush s’do ta bënte?!

Unë nuk po të vë asnjë faj pse ti je mbesa e z. Berisha. (Nuk më intereson.) As nuk po të gjykoj në këtë kontekst. Po të lexoj për të disatën herë nëpër portale lajmesh dhe përpiqem të të kuptoj. Por a mundem?

Ajo që vlerësoj tek ti është ajo që të quajnë “rebele.” Vetëm njerëzit rebelë kanë ndryshuar gjërat, por në këtë rast kur ti dhe ata përdhosni idealin më të lartë të një individi, është plotësisht degjenerim. Të mendosh ndryshe, nuk do të thotë të jesh kundër, por në rastin tënd, po. Ti je kundër dhe të gjithë ata janë kundër atdhedashurisë dhe mbrojtjes së flamurit, që shkon përtej artit dhe sportit! Pa liri, moj Dasara, pa demokraci, nuk ka jetë. Shekujve të fundit, kjo ka qenë motoja jonë.

Në botë arti është produkt i rrethanave. A ke pyetë ndonjëherë veten se nga erdhi frymëzimi i Leonardo Da Vincit për Darkën e fundit? A ke pyetë ndonjëherë veten nga erdhi frymëzimi i Dostojevskit për Vëllezërit Karamazov? A ke pyetë ndonjëherë veten nga erdhi frymëzimi i Marin Barletit për Historinë e Skënderbeut?

Unë po. E kam pyetë shpesh dhe kam zbulu se njeriu është qenia më komplekse ekzistenciale, saqë ty nuk po të kuptoj teksa po thua “futbolli nuk është politikë,” derisa z. Platini misterioz dhe i gjithë populli Serb dëshmojnë të kundërtën.

Dasara, Serbët bërtisnin që të vriten shqiptarët, ashtu siç i vranë më 1998–1999. I vranë për t’i shfarosë dhe për të dëshmu se janë qeniet më të liga në rruzullin tokësor. Ti me siguri ishe e vogël dhe s’ke pa të të vriten moshataret tua tetë, nëntë a dhjetë vjeçe. Ti s’ke pa të të vriten familjarët para sysh. Ti s’ke pa të digjet një shtet. Ti ke pasë fëmijëri të lumtur, pa brengën për jetë, pa dëshirën me mbetë gjallë. Je lindë dhe rritë në liri, prandaj ty flamuri i Shqipërisë natyrale s’ta gëzon shpirtin dhe s’të qan zemra prej gëzimit, si çdo Shqiptari tjetër. Prandaj, ty s’të intereson nëse ka flamuj kuq e zi në stadium dhe, duke u paraqitë si adoleshentja më egoiste në botë, fajëson ata që mbrojtën flamurin dhe tërheq vëmendjen, si e “civilizuar.”

Mendoj se duhet ta duash Atdhenë më shumë, veç si një Dasara, jo mbesa e z. Berisha, sepse ashtu politikajt tanë kurrë nuk e kanë dashtë Atdhenë e tyre mjaftueshëm sa për t’i dalë zot!

Por, nëse ata jo, ne i dalim dhe e mbrojmë. Kemi pasë udhërrëfyes të hatashëm dhe heronj për zili!

Rrnoftë kombëtarja Shqiptare! Rrnoftë Shqiptaria, moj Dasara!

(Ky shkrim u botua së pari herë në profilin e autores në Facebook më 17 tetor 2014. )

Nga Rreze Abdullahu

Shkrimtare dhe psikologe nga Dardania. Shkrun për gratë dhe shoqërinë shqiptare. Autore e librit me kujtime, «Nuk du luftë».