Kalova kah shkolla e serbëve. Mu para hyrjes kryesore kishte ardhur një kamion me dru. Ata e shkarkuan shpejt dhe e çuan prapa godinës në një depo të vogël që ishte ngjitur me shkollën e serbëve. Tymi ngjitej lart në qiell. Stufat me dru nxehnin shpejt e mirë klasat.
Prita pak, dhe në klasën time nuk erdhën as gjysma e nxënësve. Nuk mund të mbahej mësimi në ato kushte. Gjaku po më vlonte nga inati se si po na e bënin kështu në Lipjan. Punëtorëve që kujdeseshin për nxemjen iu thashë që në paralelet shqiptare nuk po digjet dot qymyri.
— A mund të na sillni dru për me u nxehë?
— Jo, — tha njëri prej tyre. — Drutë janë vetëm për shkollën afër rrugës kryesore.
Të nesërmen, i pyeta nxënësit pse nuk kishin ardhur dje në shkollë. E dija që bënte shumë ftohtë. Por, disa prej atyre që banonin në Lipjan kishin mundësi të vinin. Nuk do të më bënte aspak përshtypje nëse do të merrja arsyetime të tilla se “munguan pse qe ftohtë”, por përgjigja e njërit prej nxënësve të fshatit Konjuh më “varrosi për së gjalli”. Quhej Bejtush.
— I dashtni mësues, — tha, — nuk kam ardhë në shkollë, se m’i ka lá nana pantollat, e nuk m’u kanë terë, se ka ra borë gjithë natën.
* * *
Kështu e kujton punën si mësues në Kosovën e kohës së Rankoviqit, veprimtari dhe ish-gazetari Shaqir Salihu në librin e tij Rrëfime lirie: Shtegtimi i një mësuesi shqiptar nga burgjet serbe te Zëri i Amerikës i. Libri është botu në Prishtinë, nga shtëpia «Faik Konica», më 2017.
Pjesë të librit gjenden në sajtin e autorit, bashkë me regjistrime zanore nga fonoteka e Zërit të Amerikës. Kopje fizike të librit mund të porositen në Amazon.
Autori flet për librin dhe kujtimet e tij në promovimin e mbajtur në Prishtinë.
Kurse Holli i Famës i Zërit të Amerikës ka këto fjalë për ish-gazetarin:
Më 1969, në vapën mbytëse të një nate gushti, kur amerikanët shikonin të mrekulluar pamjet e zbritjes së njeriut në Hënë, Shaqiri s’kishte kohë të vështronte nga qielli, sepse ishte duke u arratisur nga burgu ku kishte vuajtur prej shumë muajsh. […]
“Arratisje nga ferri” — kështu e përshkruan ai udhëtimin drejt lirisë. Me të dalë në Perëndim, njerëz shpirtmirë nga Vatikani, njerëz në Romë që ai s’i kishte parë ndonjëherë, i shtrinë dorën e shpresës, i dhanë ushqim dhe strehë dhe e mbajtën të gjallë fizikisht dhe moralisht. Këta njerëz të mirë e ndihmuan të kalojë Atlantikun drejt Amerikës, ëndrrës së tij të madhe.
Më 1980, Shaqiri filloi të punojë te Zëri i Amerikës, zëri i qartë që kishte frymëzuar tek ai lirinë qysh kur jetonte në Kosovë.
Sot, kur kujton kohët e vështira që ka kaluar, ai e ndien se jetën ia ka borxh Zërit të Amerikës. Shaqiri dhe familja e tij e re u rritën bashkë me Zërin e Amerikës. Për rastësi, ai kishte lindur më 1942, vitin kur ishte krijuar Zëri i Amerikës.
Si gazetar, ai u bë dëshmitar i disa prej ngjarjeve më dramatike të shekullit:
Në mesin e viteve 1980, një valë ndryshimesh demokratike përfshiu Europën Lindore, dhe Shaqiri u ndodh në Zërin e Amerikës për të parë transformimin e diktaturave komuniste në demokraci të reja dhe për të folur rreth kësaj.
Në mars 1999, një fushatë bombardimesh amerikane kundër diktatorit serb Sllobodan Millosheviç i çliroi shqiptarët e Kosovës nga shtypja serbe. Populli i tij më në fund ishte i lirë.
[…]
Shkurtegëza për këtë postim: https://plisi.org/?p=5245