Facebooku asht bombardu prej komenteve krenare për suksesin e Majlinda Kelmendit. Xhudistja në kategorinë e femnave deri në 52 kilogramë fitoi medaljen e artë në Kampionatin Evropian.
Por xhudo nuk asht sport popullor! Përkundrazi, asht nji ndër sportet ma jopopullore dhe joatraktive për me u shiku. Unë as rregullat nuk i dij, qashtu si shumica e kosovarëve tjerë. Po pse atëherë gjithë ky gëzim i shfrenuem?
Nëse kishim qenë vend i fortë në sporte, atëherë ky sukses në xhudo (mos i harroni kategoritë) kish me mbetë krejt i pavërejtshëm. Mirëpo, Kosova asht krejt e pasuksesshme në secilin sport që ka randësi e popullaritet.
Nuk punohet! Tanë ditën, njerëz të ndryshëm qesin shkumë prej goje tue e kujtu Prishtinën e artë të viteve 80-të. Ose edhe Prishtinën e sodit në basketboll. Ose edhe suksesin “mosvet të madh” t’Aziz Salihut.
Fryhet tepër shum randësia e sukseseve sepse ka pak — shum pak suksese. Mendohet kolektivisht se Kosova asht vend i vogël, megjithëse i ka të paktën 1,7 milion banorë. Kosovarët nuk e njohin aq mirë gjeografinë sa me e dijtë që vende pakrahasimisht ma të vogla kanë suksese njiqind herë ma të mëdha. Mendohet poashtu se rrethanat politike dhe pamundësia me marrë pjesë në garat ndërkombtare e kanë ndalë suksesin tonë. Por në fakt, edhe sportet që janë pranu ndërkombtarisht fëtyrën na e kanë marrë. Ndërkohë që sporti bindshëm ma popullori, futbolli, organizohet qaq keq sa s’ka kuptim as me folë për te.
Po pse tanë ky dell me u fry, me u krenu? Sepse jemi të pasuksesshëm e mburravecë, dhe poashtu koxha racistë. Për me u fry me diçka, jemi në gjendje me e shpikë ndonji sport e me dalë të parët.
Ky sukses në xhudo e kallzon thjesht pasuksesin tonë!
Foto: DanRho, 2015 (CC BY-SA 4.0)
Shkurtegëza për këtë postim: http://pli.si/1T2IjrQ
Suksesi i Majlindës, megjithate, e dëshmon punën e madhe që e ka ba ajo. Dhe na duhet të jemi krenarë për arritjet e saj. Me e përçmu xhudon si sport jopopullor asht si me thanë se Inva Mula nuk asht artiste e madhe se muzika klasike nuk e ka namin e muzikës pop. Asht si me thanë edhe se Dardania nuk asht vend i randësishëm se nuk asht gjithaq i populluem. Numrat s’e tregojnë çdoherë suksesin.
Por unë pajtohem me Jetlirin në thelbin e porosisë së tij: «Nuk punohet!» Te na vërtet nuk punohet. Dhe Jetliri ka të drejtë me na qortu që kemi mbetë aq mbrapa në sa e sa sporte e fusha tjera, dhe me na e kujtu se duhet me folë ma pak e me punu ma shum.
Muzika klasike as që krahasohet me muzikën komerciale pop ose tallavanë. Artistikisht qëndron ma nalt. Por, kur flasim për sportin atëherë flasim gjithmonë për popullaritetin dhe randësinë e tij. Sporti pa shikuesin nuk asht sport po thjesht lojë. Prandaj, në këtë kuptim xhudo nuk ka ndonjifar randësie. As që përmendet në magazinat sportive. Asht jashtë vëmendjes. Ky asht krejt kuptimi i asaj që po e mendoj me parandësi.
Natyrisht që Majlinda duhet me u lavdu tue qenë mjeshtre e këtij sporti. Bashkë me krejt klubin e saj. Ama prap, ky sukses dështon me na qitë në sytë e botës si të suksesshëm në sporte.