Letër e hapur: Urime për ditëlindje!

Gjyshi Sherif Mjeku (korrik 2005)


Getoar Mjeku

Njeri i lirë dhe avo­kat prej Prish­tine të Dar­da­nisë. Shkrun për shqip­tarët, gju­hën, histo­rinë, e poli­ti­kën. Lexon çkamos. Ndih­mon me mirë­mbajtë saj­tin për shqip­tari, Plisi.org.

13 shkurt 2009
Seguin, Texas

I dashtun Gjysh,

Po të shkruej me të falënderue për paret e pensionit tand qe m’i kishe çue përmes mikut tonë të përbashkët. Tash nuk mund të arsyetohem për mospunë pas gjithë këtij kujdesi që ke treguar ndaj meje. Prandaj, desha që me fjalë të shpreh falënderimin tim krahas urimeve të mia të përzemërta për ditëlindjen e dyfishtë të 17 shkurtit: Urime Ditëlindjen e 88-të, o gjysh! Urime ditëlindjen e parë të shtetit tonë!

Mbase unë nuk jam në gjendje të kujtoj rëndësinë e kësaj ditëlindjeje. Por, jeta jote, me sa e sa ditëlindje pafestuar, është mësim i vyeshëm. Rrëfimi yt jetësor është i veçantë për mua sikurse është i veçantë çdo kujtim gjyshëror për shokët mi. Kështu që, mos të ma zësh për të madhe që këtë letër po ia huazojmë shoqi-shoqit që secili t’ia dërgojë gjyshit të vet. Le të ketë hise në këtë letër brezi ynë; ju gjyshërit tanë patët hise në vuajtjet e kombit përgjatë një shekulli derisa e patë këtë ditë.

Prej dhjetëvjeçarëve që i zura në gojë, shumë pak sjell ndërmend prej përvojës e më shumë prej fjalëve. Por, këto janë fjalë të besueshme, që i thonë të tjerët për ty. Gojëdhëna të kujton prej ditëve të zymta të despotëve Pjetër, Aleksandër e Pjetër. Të kujton të rritur afër shkollave ku në gjuhë të huaj mësohej urrejtja ndaj lenisë sonë, e për ty me vëllezërit s’kishte tjetër veç tuneleve të errëta të despotëve. Derisa këta krekoseshin në parada para pallateve e lapidarëve, «parada» e vetme për ju ishin karvanët e gjatë të shqiptarëve të përzënë. Ndërkaq, në lukth s’ndjeheshin gjëkundi micërimat e bukëmisrit, por nga nyjat e nofullave ju pikonin djersët.

Më kujtohet kur ishim bashkë te varri i vëllait tënd dëshmor. I vetmuar në mes të pyllit, gurvarri i skalitur, që i vutë tash në liri, s’është fort larg gurëve të kufirit të shtetit tonë. Duart tuaja që hodhën dhé e gur mbi këtë varr, vunë edhe gurët e shtëpisë e tullat e oxhakut. E veç tymit të votrës, patët edhe zjarrin e armikut që ju trazoi dy herë me radhë.

Dikur erdhi edhe shpresa për ditë fatlume. Me punë arrite të kryeje shkollë pas Luftës së Madhe. Por, lenia e gjuha jonë mbetën të papëlqyer. Vetë mësove shkronjat tona. Mësove se nuk është «energí», por «energji», vetia që nuk të mungoi për të qenë një me bashkatdhetarë kurdoherë e në çdo vështirësi.

Të thashë, i mbaj mend edhe ato që i kam parë me sy të mi. Atëherë nuk e dija se kush ishin rioshët që na erdhën në të parë me një tufë libra në krah. Veçse, konviktet e dija se ishin ndërtesat varg rrugës tatëpjetë, por nuk e kisha fort të qartë se qysh «i qitshin studentat». As nuk e dija pse të thërrisnin «roje» studentët kur vinin për ushtrime në ordinancën në shtëpinë tonë pranë postbllokut të milicisë së pushtuesit. E tash në liri, vazhdon shprehinë e vjetër—jo si roje, por si kujdestar për mua si student.

Nuk mund të mos jem mirënjohës ndaj teje, o gjysh! Nuk mund të mos i kujtoj gjithë luftëtarët e lirisë—të çetave kombëtare e së fundi Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës—si dhe njerëzit paqedashës e të dijes që popullit tonë ia siguruan mbështetjen e botës së qytetëruar. Aty bën pjesë edhe brezi yt me plot përgjegjësi.

Kam shumë kujtime, o gjysh i dashur. Veçse zor se mund t’i qes në letër tash. S’po arsyetohem këtu për pazotësinë time, por për gjuhën njerëzore që s’e arrin dot madhështinë e qëndresës së popullit tonë.

Mbetsh me shëndet, o gjysh! Të fala të gjithëve dhe më prit se do të vij shpejt.

Përqafime,
Yt nip Getoari

Botu në Koha Ditore, më 15 shkurt 2009