Mos e përdor shëmtinë dhe/ose. Lidhëzat dhe e ose me thyesë në mes. Mos. Është e panatyrshme. Edhe veç duket keq dhe krijon huti.
Paramendoje një shpallje për punë që thotë: “Kërkohet njohja e gjuhës shqipe dhe/ose gjuhës serbe.” Tani, a duhet me i dijtë të dy gjuhët, apo mjafton njëra? Pra, ka dy mundësi: (1) lypet me dijtë shqip dhe sërbisht ose (2) lypet me dijtë shqip ose sërbisht.
Ky është qartë gabim. Por as kjo fjali nuk tingëllon mirë: “Kandidati duhet ta ketë kryer fakultetin e bujqësisë dhe/ose fakultetin e mjekësisë.” Mjafton pa dhe. Kandidati që i ka kry të dy fakultetet i përmbush kushtet.
Nëse vërtet duhet vetëm njëri fakultet, çka do të ish rast i rrallë, do të thoshim: ose këtë ose atë fakultet. Mujmë edhe me e shtu një “por jo të dy” në fund.
Kur fjalia është pohore, dhe liston disa kushte, lidhëza dhe domethënë se duhet me i plotësu të gjitha kushtet. Kumulativisht i thonë juristët. Kurse lidhëza ose nënkupton se mjafton me e përmbushë vetëm njërin nga kushtet. Për shembull, kandidati duhet të ketë: diplomën e shkollës së mesme; kursin e daktilografisë; ose 5 vjet përvojë pune. Mjafton me pasë njërën.
Kur fjalia është mohore, pra ka një nuk, dhe i liston gjërat e ndaluara, mjafton me përdorë vetëm dhe. Kur e ke ndonjë nga gjërat e ndaluara, e ke shkelë rregullën. Akademiku amerikan Bryan Garner, që këshillon mos me përdorë dhe/ose-së, e përmend mbishkrimin: “Nuk lejohet [me hy me] ushqim dhe pije”. Nuk domethënë me pasë edhe ushqim edhe pije që me e shkelë rregullën.
Nuk do mend se gjuha nuk i mënjanon të gjitha dykuptimsitë. Dhe ne mund të gjejmë raste ku lidhëzat dhe ja ose nuk na tregojnë krejt çka dojmë me dijtë. Por vagëtinë e asaj fjalie nuk e zhbëjmë nëse e fusin në të një dhe/ose.
Shembulli ma i randë i dhe/ose-së në gjuhën shqipe është natyrisht preambula e kushtetutës së Shqipërisë e 1998-s. Thotë: “Ne, Populli i Shqipërisë, […] me besim te Zoti dhe/ose te vlera të tjera universale […]”.
Kushtetuta është miratu me referendum. Hartuesit me gjasë e kanë përmendë Zotin për me i joshë besimtarët, sidomos ata që kanë vujtë gjatë regjimit komunist që e ndaloi fenë. Kurse qatë ose e kanë futë për me i rahatu jobesimtarët. Pra, ata që s’besojnë në Zot besojnë në “vlera të tjera universale”. Por shih tash katrahurën që e kanë kriju.
Teksti thotë: “me besim te Zoti dhe/ose te vlera të tjera universale”. Dikush mund të besojë te Zoti – apo në Zot? – ashtu si te vlerat tjera. Dikush mund të besojë, siç e thashë, te vlerat tjera, por jo në Zot. Por a ka të tillë që besojnë në Zot, por jo te vlera tjera të gjithësishme?
Kushtetuta nuk i përcakton medoemos ato të mira në të cilat thirret populli. Por duke i qujtë “universale”, len mbresën se janë të pacenueshme. Të drejtat dhe liritë themelore të njeriut mund të quhen vlerë e gjithësishme. Veçse me lidhëzat dhe/ose, preambula sikur i lejon qytetarëve me zgjedhë në dunë t’i pranojnë.
Sepse dhe/ose nuk kryn kurrfarë pune. Veç prish punë. Nëse vetëm njëra lidhëz nuk mjafton, shih shkruje fjalinë ndryshe. Mendo mos vetë mendimi nuk është aq i goditur. Por mos shto fjalë që veç e rëndojnë letrën dhe syrin.
Shkurtegëza për këtë postim: https://plisi.org/?p=4983