Fashizmi gjuhsor



Getoar Mjeku

Njeri i lirë dhe avo­kat prej Prish­tine të Dar­da­nisë. Shkrun për shqip­tarët, gju­hën, histo­rinë, e poli­ti­kën. Lexon çkamos. Ndih­mon me mirë­mbajtë saj­tin për shqip­tari, Plisi.org.

Fashistat e ruejnë pushtetin në të njejtën mënyrë gati kudo, tue u shpallë luftë gjuhëve e të folmeve të popullit n’emën të kinse njishmënisë kombtare. Kisha Greke e mallkoi gjuhën tonë dhe vrau pishtarë të germave shqipe. Simbas priftave helenë, Zoti i gjithdijshëm s’e kuptonte at gjuhë barbare. Në shek. XIX, Sulltan Abdylhamiti II s’i lejoi shqiptarët m’e shtypë shqip qoftë dhe nji përkthim të Kuranit me harfe arabe, sepse druente se po përçahej ymeti islam.

Dekada ma vonë, Benito Mussolini, Duçja e Italisë, ndaloi përdorimin publik të dialekteve jostandarde t’italishtes. Kaudiljoja i Spanjës, Francisco Franco, veproi ngjashëm me të folmet jokastiliane të vendit të tij. Stalini ua detyroi thuejse të gjithë popujve jorusë alfabetin çilirik, ndërsa në praktikë përkrahu edhe rusëzimin e tyne. Enver Hoxha në Shqipni e bani verboten gegnishten.

Jorrallë, megjithate, kohanikët tanë na e drejtojnë gishtin e na qortojnë për mbrapshti saherë që e kundërshtojmë trashigiminë e hidhun të diktaturës. Veçse, më thoni, a s’e krijuen vetë fashistat përçamjen? Dhe a s’asht përpjekja kundër vendimeve të tyne luftë mu kundër përçamjes? Folnie të vërtetën. Mos rrnoni në mohim.