Gegnishtja dhe gjuha e mahallës

Foto: Sanmint (2007)

Kur nji mik ma bani nji vërejtje dashamirëse se si me e shkru nji fjale gege, u përgjigjja pak a shum kështu: Mvaret prej dialektit. Dardanisht kish me u shkru ashtu siç po sugjeron ti!

Por ndërsa kujtova se e dhashë përgjigjen e duhun, pasoi habia e bashkëbiseduesit: «Kah na piku tash kjo “dardanishte”? Hajgare, a?»

Shpjegimi im se e kisha fjalën për «gegnisht[en] verilindore (me të nënfolmet e veta) që flitet në Dardani» nuk kreu punë. Miku ma preu shkurt: «Atëherë, prit kur të fillojë dikush me shkru edhe mahallëmullaisufisht, nji ditë, simbas lagjes ku banon, në Gjakovë, pra.»

Nuk e dij nëse s’u morëm vesh pse unë e qujta vendin tim me emnin e tij të lashtë, Dardani. (Athue ai mendoi se isha tue folë për lagjen Dardania të Prishtinës? Por unë e përmenda «gegnisht[en] verilindore (me të nënfolmet e veta)». Si mund të ketë «të nënfolme[]» gjuha e nji mahalle?)

Se me gegnishten unë po nënkuptokam gjuhën e lagjes sime më kan thanë dhe ma heret. U kam tregu qortuesve se e kan gabim. (Qe, p.sh., shkrimet: «Nuk jemi shkatërrimtarë, duam lirinë», botu te Shekulli ose këtu në bllog, dhe «Jumkanisht, kamkenisht, kamqënisht».)

Por për herë të parë kët ngarkesë po ma bante dikush që vetë shkrun gegnisht. Për t’u çuditë, njimend, sepse miku im asht i vetëdijshëm pse shqiptarët sod dalin jasht normës së shkrimit.

Na shkrujmë gegnisht sepse e duem gjuhën shqipe. Na duem me i rujtë pasunitë e saj, por edhe me i përhapë në mbarë shqiptarinë. Dhe e dijmë se kët qëllim s’mund ta arrijmë tue ngrehë kufij, por tue lëvizë drejt nji vendtakimi të përbashkët.

Prandaj, s’mund të flas unë këtu për lagje e nëndialekte. E përmenda njanin prej dialekteve kryesore gege — gegnishten verilindore, që e qujta dardanishte (ose, në daçi, kosovarishte). Dardanisht ka shkru pak a shum dhe Pjetër Bogdani. Gazeta Shkupi në fillmshek. XX mund ta ketë përdorë at dialekt, por nuk e njoh aq landën e saj për me folë me saktësi.

Nji tjetër dialekt asht shkodranishtja, si variant i gegnishtes veriperëndimore. Shum shkrimtarë të Dardanisë të fillimshek. XX, tue përfshi rilindasin Shtjefën Gjeçovi, kan ba përpjekje me iu afru traditës letrare të Shkodrës. E banë këte për dy arsye: së pari, dardanishtja ishte dialekt i skajshëm; së dyti, shkodranishtja ishte regjë ma fort në shkrime e botime bashkëkohore.

Por përfundimisht ka edhe nji tjetër dialekt me traditë aq të theksueme letrare sa sod asht sinonim i vetë gegnishtes. Nji normë shkrimi e mbështetun në të folmen e Elbasanit — që duket gegnisht, tingëllon toskërisht, dhe praktikisht asht gërshetim i dy degëve të shqipes — shërbeu si gjuhë e administratës për dekada të tana.

Elbasani historikisht ka qenë urë lidhëse mes veriut e jugut. Jo rastësisht dhe të folmen e atij qyteti e kan veçu si gjuhë të përbashkët të kombit. Shqiptarët kan thanë: «shqipe e Elbasanit, turçe e Stambollit»; të huejt e kan krahasu shqipen e Elbasanit me gjermanishten e Hanoverit, me frengjishten e Parisit, ose italishten e Toskanës.

Elbasanishtja u përmend si themel i gjuhës kombtare qysh në kohët e Rilindjes, u sugjeru zyrtarisht më 1909, dhe u normu sa u përket çashtjeve themelore më 1917. Kjo normë letrare, e plotsueme herëmbashere, u përdor në zyrat e shtetit derisa u zavendësu arbitrarisht me toskërishten — më 1945 në Shqipninë Londinare dhe më 1969 në Dardani.

Edhe sod, çdo përpjekje serioze për ta ringjallë gegnishten ka parasysh traditën e mbështetun n’elbasanishte. Vetë ky kumend që po e postoj këtu asht pak a shum shqipe e Elbasanit.

Dikur, për nji llapjan, si mixhën e tim eti, e folmja e Shqipnisë së Mesme ka qenë e pakuptueshme. (Kur partizanët i thanë Bacës Hamit «pirdhu që këtej, o do ta këpusim kokën si gjelit», ai e kuptoi vetëm fjalën «këpusim», që në Llap e thonë si «kputum».)

Prandej, gegnishtja në kuptimin e ngushtë s’asht gjuha e lagjes sime; asht vetëm pika ku mbas sa dekadash e me shum mund kemi mbërri, vetëm për me u marrë vesh me bashkëkombasit tanë. Na kemi lëvizë, por duhet edhe pak për ta gëzu nji gjuhë kombtare të përbashkët.

Deri atëherë gegnishtja e Elbasanit, e pasunueme me prumje prej të gjitha të folmeve tona, ka me qenë shpëtimi i shqipes dhe mbarë kombit.

Nga Getoar Mjeku

Njeri i lirë dhe avo­kat prej Prish­tine të Dar­da­nisë. Shkrun për shqip­tarët, gju­hën, histo­rinë, e poli­ti­kën. Lexon çkamos. Ndih­mon me mirë­mbajtë saj­tin për shqip­tari, Plisi.org.

4 komente

  1. Fundi i artikullit, që zakonisht shpreh edhe një dëshirë për të ardhmen, duhet të zgjerohet pak them unë. Njëra prej fjalëve kyçe që përmend poshtë është “reforma gjuhsore”, temë, të cilën unë gjatë leximit prisja të trajtohej.

    Pa humbur kohë: unë jam për një zgjerim të gjuhës standarte (shtimin e fjalëve gege) dhe jo për ripërcaktimin e saj në elbasanishte (anipse qytetin e kam vendlinje) që do të nënkuptonte shumë punë kote. Një reformë klasike me një sërë ndryshimesh në një moment të caktuar më duket arbitrare dhe artificjale. Mandej reforma do të kapte vetëm ato 12 brezat që ndodhen në struktura shkollore, pra është përjashtuese ndaj një pjese të shoqërisë. Parapëlqej idenë e shtimit të disa fjalëve në vazhdimësi, pra jo menjëherë. Kjo i jep një rrjedhje natyrale gjërave dhe i mundëson tërë shoqërisë të merret me gjuhën më me vrull ngaqë diskursi gjuhësor do të zgjatej dhe njerëzit s’kanë se si të mos përfshihen në debat.

    1. Faleminderit për komentin. Këtu u përqendrova te gegnishtja letrare, tue mos u thellu në çashtjet e reformës. Por në bllog mund të gjesh shkrime të shumta — si të miat, ashtu dhe t’autorëve tjerë — ku kemi diskutu ndryshimet e nevojshme për ate që gjuhtari Agim Morina po e qun «Shqipja e Përbashkët». Qe nji shkrim i kohëve të fundit: «Si po ndryshon gjuha shqipe» (http://pli.si/1OEot48).

      Unë besoj se dialekti standard i vitit 1917, që mbështetej në të folmen e Elbasanit, asht zgjidhja tejet e përshtatshme për nji gjuhë të përbashkët kombtare n’akademi, biznes, e administratë shtetnore. Por rrethanat në terren jan të tilla që do të detyrojnë nji zgjidhje kompromisi, — jo zgjidhje ideale, por nji ma të mirë se gjendje e tanishme damtuese.

      Kjo rrugë e ndërmjetme besoj se do jetë Shqipja e Përbashkët nji ditë. Do ta ketë paskajoren me+ (p.sh., «me punu»), pjesoren e shkurtueme (p.sh., «kam punu», jo «kam punuar»), por dhe rotaqizmin dhe Ë-në e theksuar të toskërishtes (pra, «është Shqipëri», jo «asht Shqipni»).

      Të fala,
      Getoari

  2. Pos gjuhës standarde të gjitha i ke ‘të mahallave’ o Getoar djaloshi! S’jemi ne sa Kina që t’bëhët fjalë për hapsira t’pa fund fizike, gjuhsore, kulturore e tjera, Getoar qellim-miri ? Jemi vend i vogël dhe komb i vogël, dhe çdo çapurritje për afirmim të gjuhëve të mëhallave çon ujë në favor të konspiracioneve a “konspiracioneve” a la ‘kombi Kosovar’, ‘etnia ‘Malësorët’, e Malit të Zi a të shtatqind dreqënve, etj. Jemi komb i vogël që ti lejojmë vehtës të mëndojmë dhe të dashurojmë gjuhën tonë jasht kornizave dhe frymës së politikave kombëtare!
    A nuk e sheh se dita ditës po rritet numri i këtyre të mjerëve që po çirren se s’jemi një, o Getoar qellim-miri! Këtë mendësi e ushqejnë edhe me keso “diverzitete” gjuhësore, të gjuhëve të mëhallave, miku im. Le të flet kush si të dojë në shtëpi të vehtën; dhe gjetiu, gjithandej, pse jo! Por mos, mos, mos ua legjitimoni këtë duke legjitimuar të folmet e ‘mëhallave’, aman! Se, kurë të bëhët vonë s’do të jesh as ti as unë që tu themi fëmijëve dhe nipave tanë që do të vetquhen me komb sipas ‘gjuhëve të mëhallave’, “na falni, paskeshim qenë gabim”!

    1. I nderuem z. Ragip:

      Ju falënderoj shum për qytetarinë dhe mirëkuptimin. Deri tash jorrallë na kan qujtë «shkatërrimtarë» e «antikombëtarë» vetëm pse kemi mendu ndryshe. Andaj kritika dashamirëse po na i zgjon shpresat se nji ditë kemi me arritë me i zgjidhë problemet tona — si për gjuhën, si për çashtje tjera — qytetarisht.

      Qytetaria ka me na ndihmu mos me u ba pikë e pesë mes vete. Sepse:

      «Nuk ka fe as s’ka parti
      që e përçan këtë Shqiptari!»

      Në fillim të shek. XX, në trojet shqiptare veprojshin disa tradita ligjore (Kanuni i Lekë Dukagjinit, Kanuni i Skenderbeut, Kanuni i Labërisë, etj.). Shqiptarët kishin tri a katër fe. Shqipja shkruhej në tri ligjeronja: gegnisht, toskërisht, dhe arbërisht. Shqiponja kishte dy krena. Por na kishim nji shpirt të përbashkët, parime ligjore të përbashkëta, nji gjuhë shqipe, dhe nji flamur kombtar. Ishim dhe jemi nji komb.

      Dallimet e mbrendshme nuk na ndajnë. Na ndan mosbashkëpunimi ynë. Edhe 16 vjet mbas lufte, në Dardani nuk ka mjaft njerëz që e flasin rrjedhshëm toskërishten (ose gjuhën standarde) në mënyrë që t’ua mësojnë ate të tjerëve, as nuk ka mjaft dardanë në Tiranë për t’i përhapë pasunitë gjuhsore të këtyne anëve në troje tjera shqiptare. Edhe 16 vjet mbas lufte, tregtinë ma të madhe Dardania e ban me Sërbinë, shtetin anmik. Edhe 16 vjet mbas lufte, na ende nuk kemi nji ligë kombtare të futbollit. Qe, këto gjana na ndajnë.

      Na kemi nji shembull të mirë te fqijtë se si mund të dështojë përpjekja për ta bashku nji komb të ndamë. Dhe duhet me iu shmangë shembullit të tyne. Sërbët e kroatët kan jo vetëm nji gjuhë, por të njejtin dialekt — dialektin shtokavian të sistemit gjuhsor jugosllav. Por s’u morën vesh asnjiherë: sërbët kambëngulën se ata kishin të drejtën me e sundu krejt vendin, dhe luftunë jo me e ba nji komb jugosllav, por me e ba Jugosllavinë Sërbi. Jo rastësisht dhe dështoi përpjekja e tyne.

      Na gjithmonë kemi dijtë me e çmu dhe e me e rujtë shumllojshmëninë tonë. Andaj dhe s’kemi pse me ndjekë shembuj të gabuem. Tek e mbramja, vetë shkenca na thotë se sa ma shum laramani gjenesh që ka nji gjallesë, aq ma të mëdha i ka edhe mundësitë me mbijetu. Thirrja jonë për me e rujtë dhe me i përhapë pasunitë gjuhsore tue e zhvillu lirshëm gjuhën shqipe ka ndërmend vetëm me na forcu përballë sfidave t’evolvimit.

      Të fala të përzemërta,
      Getoari

Komentet janë mbyllur.