Para pak muejsh nji koleg e shpërndau në rrjete shoqnore nji video-intervistë të Top Channelit me albanologun Wilfried Fielder. Fokusi i kolegut asokohe ish te përgjegjja e studiuesit gjerman për dallimet fonetike mes gegnishtes e tosknishtes dhe përshfaqjes së këtyne në poezi. Unë u pata mbresu nga nji tjetër përgjegje e studiuesit, po pak ngeja e mungueme, e pak ma fort dembelia, banë që mbresat të mos i shkrueja ma herët.
Para se me i shpalosë reflektimet, qe pyetja e gazetares dhe përgjegjja në fjalë e Fiedlerit, të zbardhuna ma poshtë:
(8:30) PYETJE: Ka pasë debate mes gjuhëtarëve shqiptarë që në gjuhën shqipe të kish ma shum elemente te gegnishtes. A asht e konsolidueme mirë gjuha letrare shqipe?
(8:40) FIEDLER: Unë mendoj se këtu duhemi me e ba nji dallim. [1] Për sa i përket fjalorit, sa ma shum të merret nga gegnishtja. Por, për sa i përket strukturës, duhet – simbas mendimit tim, se asht puna juej, nuk asht puna e të huejve – por mue më duket se p.sh. [2] futja e infinitivit do të bante vështirësi shum të mëdha, sepse [2A] toskët nuk janë në gjendje ta përdorin – populli i thjeshtë – ta përdorë ashtu si duhet. Nuk asht në gjendje… [2B] duhet ta mësonte si nji gjuhë të huej, e kuptoni?
Standardi me paskajore, gjuhë e huej për popullin e thjeshtë tosk
Ta zbërthejmë së pari argumetin [2] mbi vështirësitë që bjen futja e paskajores (për toskët), edhe t’i marrim, për pak kohë, të mirëqena argumentet e Fiedlerit. Ai pohon se [2A] toskët nuk janë në gjendje me e përdorë paskajoren si duhet, e se [2B] shqipen me paskajore do t’u duhej me e mësu si nji gjuhë të huej.
Tue i mbajtë të mirëqena, argumentet le t’i përmbysim. Nëse toskëve të thjeshtë shqipja standarde me paskajore u vjen «gjuhë e huej», atëherë po kaq «e huej» u vjen gegëve shqipja standarde pa paskajore. Nji që në sistemin e vet përdor struktura të tipit «A mundesh me shkue me i thanë me ardhë pak këtu?» del në ujna krejt të hueja kur i duhet me e ndryshu strukturën në «A mund të shkosh t’i thuash të vijë pak këtu?». Fiedleri, e as të tjerë që mbështesin këtë linjë mendimi, nuk sqarojnë ma tej pse asht në rregull nji standard që gegëve u vjen si «gjuhë e huej», sa kohë që ai veç toskëve t’u rrjedhë flur si gjuhë burimore.
Kuptohet, vetë argumenti [2A] nuk ka kurrfarë baze në realitetin sociolinguistik: toskët janë në gjendje me e përdorë paskajoren pa fijen e problemit. Dhe kundërargument për këtë janë jo veç shembujt e panumërt të toskëve që paskajorizojnë, por edhe vetë thjeshtësia e trajtës paskajore: në shumicën dërrmuese të rasteve thjesht ke me e shkurtu pjesoren e me ia paravu pjesëzën me.
Fundja, argumenti asht krejt në favor të paskajores: nji shqipe me paskajore veç çka kish me i vetëdijesu toskët se përmasat e asaj që njihet si shqipe standarde, e prandaj detyrimisht «korrekte» (qysh standardi perceptohet prej përdoruesve të tij), kapërcejnë arealet veç të shqipes toske, dhe kjo, ç’asht e drejta, kish me shërby si nji element fort i fortë përafrues mes dy gojëve të shqipes, por edhe shqiptarëve vetë. Aktualisht, nuk ka nji arsye pse folësi i toskënishtes të mbajë vesh për me qëmtu njisi gjuhësore prej arealesh gegnishtfolëse, tek këto i kundron thjesht si «dialekte», me fjalë të tjera, të nënrendituna e të padenja për shqyrtim.
Dhe, tekembramja, vetë paskajorja e përfshime në sistemin e shqipes standarde nuk asht se kthehet në detyrim taksativ: kush lidh qykën mos me e përdorë kurrë, nuk asht se gjobitet. Struktura të tipit «duhem me shku» e «duhet të shkoj» do të bashkëjetonin mirëfilli si mundësi e stilema paralele.
Sa ma shum fjalës prej gegnishtes
Me iu kthy argumentit [1] të Fiedlerit, që në dukje të parë duket si dashamirës ndaj gegnishtes: «Për sa i përket fjalorit, sa ma shum të merret nga gegnishtja».
Këtu Fiedler shpalon mangësitë vetjake të njohjes së sistemit gjuhësor. Vetë «sistemi leksikor» (pra, fjalësi) asht ma fort nji abstraksion që gjuhëtarët e krijojnë për me e hetu gjuhën prej nji prizmi të dhanë, sesa asht diçka që ekziston në njifarë eteri të mëvetësishëm mbrenda sistemit gjuhësor.
Ta konkretizojmë me nji shembull të thjeshtë. Ta shqyrtojmë fjalinë (f):
(f) Asht marre me rrejtë.
Nëse ndjekim propozimin e Feidlerit për «sa ma shum fjalës të gegnishtes», atëherë mirëpresim nga fjalësi i masipërm marre dhe rrejtë, pra nuk i flakim as censurojmë kur na shfaqen. Por – dhe asht nji por këtu, i randësishëm fort – struktura nuk «lejon» paskajore; nuk lejon as ortografi «dialektore» (asht për është).
Prandej (f) duhet me iu nënshtru kufizimeve e diktateve. Përftojmë prandej:
(f1) Është marre të rresh.
Ose, po deshëm me ia ruejtë abstraksionin pavetor paskajores, pa e konkretizue me veten e dytë, mundemi me provu me e dhanë edhe në veten e tretë joveprore:
(f2) Është marre të rrehet.
Çashtja që del menjiherë asht se, kësisoj të modifikume, (f1) e (f2) tashma duken mjaft për çudë. Dhe kjo për vetë faktin se struktura toske e standardit mirëpret pikë së pari atë lloj fjalësi që rron mbrenda saj në habitatin vetjak. Dy njisitë leksikore, marre e rrejtë menjiherë duken si mish i huej në strukturat e reja. Le që në gojën e toskëve vetë pohimi që ban (f) lyp strukturim tjetërfare krejt, të tipit «Të gënjesh është e turpshme» ose edhe «Gënjeshtra është gjë e turpshme» e prandaj vetë përshtatjet strukturore në (f1) e (f2) përjetohen si kallpe krejt.
Qysh pra të shtohet prania e fjalësit të gegnishtes në nji strukturë jo fort mikpritëse?
Prandaj kur Fiedler ban propozimin për përvetësim ma të shumtë të fjalësit të gegnishtes, dëfton se nuk e ka të qartë faktin që fjalët rrojnë mbrenda habitatit strukturor. Vetë fakti se standardi parapëlqen leksikun tosk përmbi atë geg nuk asht thjesht rastësi, po veç dëshmim i këtij realiteti.
Në fund
Qe edhe nja dy argumente të Fiedlerit që munden me u dukë argëtuese e interesante për diskutim:
(9:36) Martin Camaj ka shkruejtë gegnisht, edhe jo nji gegnishte të standardizueme.
(10:13) Standardizimi asht i domosdoshëm, sidomos për të huejt.
Shkurtegëza për këtë postim: http://pli.si/1S2LrGo
Sa shtete ka në botë çi perdorin paksëpaku dy gjuhë (dialekte)?
Vetem në Evropë
Belgjikë: holandisht, frengisht, gjermanisht
Kroaci: kroatisht e italisht
Finlandë: finlandisht e suedisht
Irlandë: irlandishte gaelik e anglisht
Italia: në Val d’Aosta (italisht, frengisht), në Tirolin Jugor (italisht e gjermanisht, në disa komuna edhe ladino) e në disa komuna të Friuli-Venezia Giulia (italisht, sllovenisht)
Luksemburg: luksemburgisht, gjermanisht e frengisht
Malta: maltisht e anglisht
Mbretnija e Bashkeme: anglisht, uells-isht, skot-isht, skot-isht gaelik, irlandisht
Republika Çeke: çekisht e polonisht
Slloveni: sllovenisht, italisht, hungarisht
Spanjë: spanjisht, bask-isht, galician-isht e katalan-isht
Suedi: suedisht e finlandisht
Zvicer: gjermanisht, frengisht, italisht, romancio
Norvegji: norvegjisht e shkrueme në dy forma, Bokmål e Nynorsk
Pedorimi i dialektit pranohet gjithkund, edhe në hapësinen publike (fjalime politike, leksione unversitare, etj.), e konsiderohet plotësisht «norvegjisht».
Burimi i informacionit: http://www.focus.it/cultura/curiosita/quanti-paesi-bilingui-esistono-al-mondo