Gjuha shqipe e mediave të tugon. Nisën në Shqipni e tash e mësoi edhe Dardania nga i ashtuquejtuni “shtet amë” me thanë “ekzekutoi” në vend se “vrau” ose “mbyti.” (Iu lumtë. Sa ma pak të të marrin vesh katundarët, aq ma i meçëm kujtojnë se je.)
Titulli i nji lajmi ngjethës ishte “Djali ekzekuton nënën . . . .” Njiherë kujtova se po bahet fjalë për ndonji marri t’Isisit dhe se evladi i çmendun asht noj xhelat që përmbaron denimet me vdekje. Shtaza e egër ia kishte këputë (me plotkuptim të fjalës) kryet të s’amës dhe ia kish hedhë në rrugë. Por ngjarja tragjike kish pas ndodhë në Nju-Jork.
Me ekzekutue shqip domethanë me përmbarue – pra me çue deri në fund nji punë. Fjala rrjedh prej latinishtes exsequor, që përbahet nga ex (thjesht prapashtesë ndihmëse) dhe sequor (që dmth. me ndjekë). Me fjalë tjera, me ekzekutue i bjen edhe me ndjekë urdhnin deri në skej.
Njimend, e kam dijtë se ekzekutohet urdhni a vendimi i gjykatës, i denuemi me pushkatim, ose penalltia nga 11-metërshi në futboll… por tash edhe nana po u ekzekutoka? Po, mjetet tona të njoftimit e kanë denue me vdekje gjuhën tonë amtare dhe tash po e përmbarojnë vendimin. Me këte, mediat po e dishmojnë se janë kozmopolicë.
Shkurtegëza për këtë postim: https://plisi.org/?p=218