Nuk asht njisoj si me thanë “Unë e dua Njujorkun (ose New Yorkun)” edhe si me thanë “Unë e dua New York.” Në rastin e parë, unë po diftoj dashuninë teme për qytetin ose shtetin e Njujorkut. Në rastin e dytë po e shprehi pjesrisht nji dëshirë, por çka po due sakt s’un më bini në fije.
Tash, a po thom se dua që Prishtinë të bahet si qendra ma të madhe juesejane apo po i thom najkujt me ma ba naj punë “New York.” Se Njujorku këtu (pa “-un” në fund) mund të jetë edhe keks, edhe përshesh, edhe tambël, por kurrsesi jo qyteti që e dashunoj.
Mišel Platinia e shkel edhe ligjin veç sa me denue Shqipninë. Kurse mediat kozmopolice të Shqipnisë ashiqare e shkelin shqipen veç sa me ia shkrue futbollmafiozit emnit si n’origjinal – pas nji S, N a T në fund që e lyp gjuha jonë.
Prandej, vnojani mendjen shqipes sonë, bashkatdhetarë. Me shkrue shqip “Njujork” a me germa amerike “New York” pak randësi ka. Por kur gjuha jonë e lyp me ia shtue do tinguj nji fjale, dijeni që s’e lyp kot. Lakoni pra emnat e huej. Lakojani emnin edhe Kim Kardashianit. Besomëni se vijat e trupit nuk kanë me iu dredhë as gemue, jo.
Shkurtegëza për këtë postim: http://pli.si/1kXJsHC