Rrethi vicioz i korrupsionit

Në vitin 2011, Kostandin Xhuvani – i biri i Luiza Xhuvanit, deputetes rilindase – vrau një njeri dhe u dënua me vetëm dy vjet burg. Atëherë, avokati, gjykatësi, prokurori, që të tre ranë dakord njëzëri që faji ishte i viktimës. Meqë viktima nuk ankohej dot, Kostandini u dënua simbolikisht me vetëm dy vjet burg për vrasje në një kohë që për mospagim të energjisë elektrike qeveria po kërcënon shtetasit me nga tri vjet burg.

Si përfundim, mbas dy vitesh, vrasësi Konstandin, i lënë i lirë që të vazhdojë Konstanten e Krimit, edhe njëherë ngriti pllakën e varrit të drejtësisë shqiptare për t’u ringjallur tëkë si Kostandini i legjendës… katër të vrarë! Mes viktimave, edhe një 19-vjeçar që një Zot e di se ç’bënte në atë lokal në orën 4 të mëngjesit. (Në Shtetet e Bashkuara, të rinjve nën 21-vjeç as nuk u lejohet të hyjnë në klube nate, e lëre më t’u shërbehet alkool.)

Keqardhje për jetët e humbura! Keqardhje për një 19-vjeçar që i merret jeta në agun e saj. Ç’bëhet kështu në Shqipëri?

Mësohet se i riu 19-vjeç që ka humbur jetën tragjikisht qenka djali i një ish-prokurori të apelit. Ndoshta i ati i 19-vjeçarit të vrarë nuk është ish-prokurori që ka nxjerrë Kostandin Xhuvanin të pafajshëm në vitin 2011. Por edhe në mos pastë qenë ai vetë prokurori i çështjes, ka qenë një tjetër koleg i tij. Ndonjë nga të shumtët përfaqësues të “drejtësisë” shqiptare që japin dënime qesharake për djemtë e deputetëve e familjarët e politikanëve. Një nga të shumtët e një sistemi drejtësie që po e shkatërron shtetin shqiptar si një gangrenë!

Vrasësi duhet dënuar dhe vendosur mbrapa hekurave. Nuk janë të marrë bota që luftojnë të kenë një drejtësi të paanshme. Sepse përndryshe ndodh kështu si po ngjet në Shqipëri: djali i ligjbërëses vret si t’i teket dhe drejtësia e njëanshme e dënon në mënyrë qesharake. E kur lihet i lirë vrasësi, ai godet prapë. Siç ka goditi mbrëmë!

Nëse gjykatat lënë të lirë vrasës, duhet ta dinë se ai vrasës ka për t’i goditur diku edhe ata vetë në mos në person, në fëmijë, në të afërm. Siç i nodhi tragjikisht mbrëmë ish-prokurorit.

Nuk duhet të harrojnë se jetojnë në një shoqëri dhe kanë përgjegjësi para saj. Nëse një gjykatës lë të lirë një shitës droge, ai shitës droge që bleu lirinë me eurot e drogës nesër do i nxjerrë ato euro duke shitur mallin te shkollat e djalit të gjykatësit që e la të lirë. Është rreth vicioz ky, por sytë e drejtësisë shqiptare janë lëbyrur nga lakmia e makutëria, ndaj nuk shohin fare se çdo sjell e ardhmja.

Nëpër rrjete shoqërore sot i kërkohet deputetes Luiza Xhuvani që të japë dorëheqje. Për çfarë dorëheqje ajo? Është e ëma e një djali vrasës në një parlament plot me bij e bija kriminelësh, në një parlament që ka për deputetë vëllezër vrasësish, në një parlament ku ka deputetë që janë akuzuar publikisht si trafikantë femrash e trafikues droge… Në një parlament ku kërcet grushti e valon rripi, çfarë peshe ngre prania e nënës së një vrasësi?

Sa profetik tingëllon At Gjergj Fishta kur para më shumë se një shekulli shkruante:

O ju krenat edhe t’Malcis,
Pashi at Zot e at emnin t’uej,
Mos lakmoni pares s’huej:
Sado vone me pase per t’shkue
Mbi djelm t’uej ka me gjykue!

https://www.youtube.com/watch?v=TZCOQ0sPhg8

Nga Ilir Seci

I diplomuem për gjuhë e letërsi në Shkodër, Iliri ka qenë gazetar i Rilindjes së Prishtinës kur dilte në Tiranë. Sot asht mërgimtar i yni në Nju-Jork, ku merret me biznes dhe shkruen për shqiptarinë.