Dallas, Texas — Në kryeveprën Shqipëria: Ç’ka qënë, ç’është e ç’do të bëhetë, Sami Frashëri shprehte vegimin e tij për t’ardhmen e vendit tue u mbështetë në njohunitë për të kaluemen e ndritun të kombit tonë. Tek parapëlqente që Shqipnia të bahej republikë, rilindasi ynë parahedhte, në vend të mbretit, nji pleqësi 15 «misesh», simbas parive t’Epirit të lashtë.
Fati deshti që Shqipnia, mbas Luftës së Dytë Botnore, të kishte në krye nji trup shumantarësh. Por, asht fort larg mendësh që ndërtuesit e rendit të ri të kenë jetsue porosinë e mendimtarit të madh të kombit. Në vend se ta emërtojshin pleqsi, ata e quejtën organin ma të naltë të shtetit presidium (edhe prezidium), që s’ish gja pos huazim i fjalës ruse prezidium (nga latinishtja praesidium, kryesí).
Regjimi i ri komunist, i themeluem me ndihmën e të dërguemve jugosllavë, vente në pah ma shum se dallime të rastësishme fjalësh; paraqiste nji shkëputje prej trashigimisë për hir të nji kahjeje të re ideologjike.
Udhëheqësi Enver Hoxha, i cili kishte dështue në studime të nalta dhe s’kish ndonji nam si zotnues i kulturës shqiptare, mund të mos e ketë njoftë asnjiherë mendimin e Sami Frashërit. Mirëpo, ai e njifte mirë nipin e dijetarit, Mithat Abdyl Frashërin, shkrimtar e studiues me nofkën Lumo Skëndo, i cili gjatë Luftës së Dytë Botnore drejtonte Ballin Kombëtar. Kundër kësaj organizate, Hoxha kishte luftue ma fort se ndaj cilitdo anmik, ngase nazifashistët ish e qartë se do të largoheshin, dhe pushtetin mund ta merrte veç tue shuejtë aristokracinë e vendit. Por në kët përpjekje, kreu i komunistëve u kthye edhe kundër gjuhës e trashigimisë kombtare, që për mbartës kishin frashllinjtë e familje të tjera fisnike. Siç thoshte ish-ministri i kabinetit, Xhafer Deva, Balli folte shqip, Enver Hoxha «frangisht»; Deva e shpjegonte këte me emnin që kundërshtari i tyne zgjodhi për grupin e vet ushtarak, Fronti Nacional (fr. le front national, balli kombtar).
Përveç shprehjeve, Hoxha vështirë të ketë sjellë ndonji mendim përparimtar prej demokracisë franceze. Në të vërtetë, Balli Kombëtar kërkonte me jetsue thirrjen «Shqipëria, Shqiptarëvet» sa në frymën kombtare, aq edhe të qytetnimit perëndimor; pleqnarët e Shqipnisë samiane, gjithashtu, parashiheshin si udhëheqës të nji shteti të lirë e demokratik. Ndërkaq, antarët e presidiumit të modelit stalinist i shërbejshin Partisë Komuniste, pa ushtrue kurrfarë pushteti të njimendtë. Tue vendosë kët sistem, Hoxha e ktheu Shqipninë kah lindja, iu hodh pabesisht krahëve anmiqve jugosllavë e rusë, dhe përvetsoi e pakoi pasuninë e vendit n’emën të socializmit–rendit ekonomik, të cilin prifti italian Zef Valentini, tue ndjekë shembullin e rilindasve për gjuhë të dlirë, e kishte pagzue shoqalizëm.
Jo shum kohë mbasi e përzuni prej dheut të të parëve Mithat Frashërin, Hoxha iu kthye sërish gjuhës për nevojat e tij politike. Kësaj radhe urdhnoi që toskënishtja letrare, pena e artë e së cilës kishin qenë mu mixhallarët e Mithatit, të bahej gjuhë e vetme zyrtare dhe mësimi në tanë Shqipninë. Zgjedhja e toskënishtes kulmoi me pjekjen e saj në Kongresin e Drejtshkrimit 1972 në «gjuhë të njësuar letrare». Jokomunistat, të cilët ma parë kishin përhapë fjalën se udhëheqësi stalinist s’kish fije atdhedashunie, humbulluen–përkohësisht–në zhumhurin e të robnuemve mbrenda e jashtë Shqipnisë Londinare, që po kremtojshin standardizimin e gjuhës si arritje epokale.
Tue qenë se toskënishtja po fitonte namin e gjuhës së vetme kombtare, shkrimtarëve gegë, ndërhymja e shtetit po ua binte fundin e veprimtarisë së tyne të lirë. Për hir të baraspeshës, s’mund të mohohet se «letrarishtja» kishte mbërri me i përthithë disa tipare të gegnishtes, por këto mbetën të pamjaftueshme; siç thoshte filozofi e shkrimtari Arshi Pipa, dromcat gege ishin si melmesë mbi nji haje toske. Me këte, Hoxhës pak kush ia vuni në mëdyshje gjoja shërbimin e madh kombtar, që propaganda shtetnore ia kish mveshë me rastin e Kongresit të Drejtshkrimit. Ndonëse disa gjuhtarë shqipdashës zgjodhën fjalën drejtshkrim, tue fugë huazimin ortografi, hartuesit e normës së ’72-shit nuk arritën me i sanue plagët që përbuzja komuniste ia kish shkaktue trashigimisë gjuhsore. Për ma tepër, puna e gjuhtarëve të shtetit mbeti e kufizueme dhe gjithnji përçmuese e përtretëse ndaj traditës së letërsisë e mendimit shqiptar, posaçmënisht në dialektin gegë.
Megjithate, asht pavend me kujtue se, me përzgjedhjen e toskënishtes, regjimi komunist po ndiqte udhzimet e intelektualëve të shquem toskë, aq ma pak të të shumpërmendunve frashllinj. Ndonëse vetë shkruente toskënisht, Samiu mbështeste shkrimjen e natyrshme të dy të folmeve, gegë e toskë, në nji gjuhë kombtare të pasun e të pastër; Naimi, në Bagëti e bujqësi, kishte futë disa radhë gegnisht ndër vargjet mahnitëse në të folmen e jugut. (Enveri, megjithate, folte tjetër gjuhë dhe ndiqte tjetër ideologji. Toskënishtja e vllazënve Frashëri–të dishmuem si dijetarë botnorë, që u kishin dhurue vepra edhe kombeve të tjera–ishte e nji regjistri dhe botëkuptimi përparimtar që s’i shkonte për shtati nji partizani pa kredenciale akademike a profesionale dhe me të kalueme të dyshimtë si mërgimtar në Francë e Belgjikë.)
Regjimi e mbajti gjuhën standarde për arritje t’asaj që e quente pushtet popullor. Disa kritikë, të huej, por edhe të vendit, e panë politikën gjuhsore si pjesë të nji rivaliteti apo anmiqsie, në fakt të trillueme, jug-veri. Mirëpo këto qëndrime të skajshme nuk gjejnë mbështetje te shpërfillja që diktatura enveriste i bani traditës kombtare, të gegëve e toskëve pa dallim. Në nji sundim tekmendje si ai i Hoxhës, lufta për pushtet asht prore cytja e kontrollit shtetnor mbi gjuhën. Siç i kishte shërbye komunizmi si ideologji për ta fitue pushtetin në Shqipninë e plogshtueme nga skamja, toskënishtja rastisi me i hy në punë sundimtarit të ri për ta shtri diktatin mbi shoqninë shqiptare. Tue imponue nji mënyrë të caktueme të ligjerimit, regjimi arrinte me ua pre udhët e shprehjes shqiptarëve, të primun për gjithllojshmëni e liri mendimesh.
Arsyet që e banë toskënishten të vyeshme për diktaturën qenë të shumta–ndër to pse toskënisht folte vetë Enveri me shokë, por edhe se komunistat së pari e përngurtësuen pushtetin në jug, ndërsa Gegninë nuk e zotnuen asnjiherë në plotni. Toskënishtja pra nuk fitoi epërsi pse ishte gjuha e popullit, se e tillë ishte edhe gegnishtja. N’anën tjetër, dialekti i jugut nuk «ngadhnjeu» as edhe pse komunistat u rreshtuen, siç i diftohet ndokujt, me toskët kundra gegëve. Nji ndamje e tillë politike s’kish ekzistue asnjiherë, me gjithë shumllojshmëninë kulturore e gjuhsore të popullit; komunistët e parë ishin prej tana viseve shqiptare, dhe luftën për pushtet e zhvilluen kundër nji organizate t’udhëhequn prej burrështetasve shqiptarë nga Toskëria.
Vetëm për ta mbajtë pushtetin, regjimi e shpërfilli porosinë e rilindarëve e dijetarëve të mavonshëm që gjuha të njisohej shkallëshkallshëm. Me të zgjedhun të njanit dialekt, komunistat shkelën traditën, tue sprovue edhe bindjen e palëkundun kombtare se gegët e toskët janë gema të njillojta të nji trungu të vetëm. Sod diktatura nuk asht, por njajësia e dy degëve të kombit asht si kurrnjiherë e fuqishme; shqiptarët, n’udhën e lulzimit të qëndrueshëm, kanë nisë me çmue traditën dhe me zhvillue, përkundër pengesave, nji gjuhë gjithpërfshimëse kombtare. Vendimi gjymtues i diktaturës qe i pashembullt në të kaluemen dhe i papërsëritshëm për t’ardhmen shqiptare, ashtu si edhe vetë shtypja komuniste ndaj popullit tonë.
Botu fillimisht në bllog vetjak më 30 janar 2012; përditësu më 3 shkurt 2012
Shkurtegëza për këtë postim: https://plisi.org/?p=1239