Standardi dhe gegnishtja

Anketë rreth gjuhës standarde (Univ. Oslo, 2011)
Anketë rreth gjuhës standarde (Univ. Oslo, 2011)

Nji natyrë përfundimtare dhe e pandryshueshme e gjuhës, cilado ajo, thjesht nuk ekziston. Prurjet, si krejt risimet e ndryshimet në gjuhë, varen veç nga besojmat e përpjekjet njerëzore. Ç’mendësi kemi sot lidhur me hapjen e mëtejme të standardit ndaj prurjeve prej gegnishtes?

Ngjallin kureshtje rezultatet nga nji anketë që, ndonëse nuk synon me e njohtë imtësisht këtë çështje, na i jep do të dhëna interesante për shqyrtim. Anketa është kry nga kompania ndërkombëtare IPSOS në gjysmën e dytë të vitit 2011 për nevojat e Universitetit të Oslos. Ndër qinda pyetjet për çështje etnie, politike, feje, historie e demografie, figuron edhe kjo: «A mendoni se gjuha letrare duhet të rishikohet për ta bërë më të afërt me dialektet e veriut».

Veç 6% nga të anketuarit në jugun e shtetit përgjigjen pozitivisht, 2% «nuk e dinë», kurse 92% përgjigjen «jo». Në veriun e vendit ndryshojnë shifrat: 53% përgjigjen «po», «nuk e dinë» 4%, kurse negativisht përgjigjen 43%. Rajoni qendror i vendit del me 21% «po», 5% që «nuk e dinë» dhe 74% që zgjedhin «jo».

Anketë rreth gjuhës standarde (Univ. Oslo, 2011)
Anketë rreth gjuhës standarde (Univ. Oslo, 2011)

Nga anketa disponojmë veç përkthimin n’anglisht të pyetjes që u është shtru të anketuarve: «Do you think that standard Albanian language (gjuha letrare) should be revised to make it closer to the northern dialects». Sintagma shqipe në kllapa jep të dhënën se si është emërtu gjatë anketimit vetë subjekti i pyetjes për të anketuarin: «gjuha letrare». Megjithatë, nuk dimë nëse «revised» do të ketë qenë «rishiku», «revidu», «rishqyrtu» ose ndonji tjetër folje. Kjo sepse varet ç’nënkupton i anketuari nga folja vetë, duke qenë propozimi mbi fatin e standardit i përmbledhur pikërisht brenda kësaj. Ç’sasi të përmbajtjes së ndryshuar sugjeron vetë kuptimi që i anketuari i njeh foljes së përdorur?

Shumëfish mundemi me e zhbiru më tej formulimin e pyetjes. Duke e ditë se objekt matjeje këtu ka qenë varieteti që dimë se në anketë është emërtu «gjuhë letrare», mund të merremi me sintagmën vetë. Specialistët kanë nisë të priren më fort drejt përdorimit të cilësorit standard për varietetin në fjalë, duke e zhvendosë kuptimin e nocionit «gjuhë letrare» për ta emërtu, herë më ngusht e herë me gjerësisht, varietetin e përdorur në krijimtarinë artistike. Dhe prirja më e madhe për prani të shtuar të shqipes së veriut shënohet pikërisht te kjo «gjuhë letrare», tek dalin vazhdimisht tregime, romane, vëllime poetike, tekste këngësh, filma, shfaqje teatrale, në nji gjuhë «letrare» jo detyrimisht «standarde». Megjithatë, për përdorues jospecialistë, që nuk zhyten në përimtime të tilla gjuhësore, emërtimi «gjuhë letrare» kryen punë për ta mbërthy përmbledhtazi nocionin e varietetit më prestigjoz të gjuhës që po matet këtu.

Vetë pyetja, duke qenë e vetmja për fatin gjuhësor të shqipes standarde përbrenda nji morie pyetjesh gjithnduer të anketës, nuk kërkon më shumë sesa me mësu nji ndjesi, madje krejt të përgjithshme, lidhur me çështjen. Nëse ç’heton i anketuari ndaj çështjes është në thelb njifarë doze «frike» kundrejt propozimit që në pyetje përmbahet («gjuha letrare të rishikohet për ta bërë më të afërt me dialektet e veriut»), s’do mend se do përgjigjet negativisht. Dhe kjo lloj «frike» ndaj nji rikqyrjeje të mundshme të standardit mbetet ende dukshëm mbizotëruese, mbasi, nga 1574 të anketuarit, 75% përgjigjen «jo»; pra 3 në çdo 4 veta. Dhe anasjelltas, nëse ç’heton i anketuari ndaj çështjes është në thelb njifarë doze çfarëdo dashamirësie, përgjigjja jepet pozitive.

Raportet dukshëm të ndryshme mes parapëlqimeve në rajonin verior, qendror e jugor të vendit dëftojnë se rajoni verior favorizon «me rishiku» (revise) standardin me 53%, rajoni qendror me 21%, ndërsa jugori me 6%. Në nivel bruto, 25% e të anketuarve. Pra, 1 në çdo 4. Të shtrihej anketa në gjithë hapësirën shqipfolëse që përdor shqipen si gjuhë zyrtare, përqindja e përgjigjeve pozitive do të ishte edhe më e lartë. Megjithatë, në mungesë matjesh konkrete, me dhënë nivelin e saktë të ngritjes mbetet spekulim.

Sido me qenë, dy janë vektorët e lëvizjeve shpresëdhënëse për nji shqipe standarde më të baraspeshuar në raport me kryedialektet, që dalin nga tabela. Zbërthimi i të anketuarve sipas grupmoshave shpalos se prirja drejt «po»-së vjen e rritet me moshat shoqërisht më aktive. Më së paku tolerantë dëftohen ndaj propozimit të anketuarit e grupmoshës >60, prej të cilëve veç 12% përgjigjen pozitivisht e më së shumti priren drejt «rishikimeve» në grupmoshën 18-29 vjeç, me 25% të të anketuarve, pra 1 në çdo 4. Grupmosha 30-44 vjeç nuk qëndron shum më poshtë: 24% brenda saj përgjigjen pozitivisht, dy herë më shum pra sesa te brezi i prindëve të tyre.

Duke qenë raporti i standardit ndaj dy kryedialekteve të tij temë e përhapur mirë në vetëdijen publike në këtë çerekshekull, nuk habit fakti se moshat më aktive zënë majën e këtij vektori me prirje të ngritjes.

Nji tjetër vektor me prirje të ngritjes është ai që mat ndryshoren e të ardhurave në familje për anëtar. Këtu përgjigjen pozitivisht 17% në segmentin «deri në 75 €», 16% në «75-100 €» dhe 36% me «mbi 150 €». 24% që nuk shpalosin të ardhurat, përgjigjen pozitivisht.

Më e pakta që mësojmë nga ky vektor është kur e kundrojmë përballë asaj që dimë nga përvojat: mundësia për ta ndiku vendimmarrjen e përbashkët rritet përpjestimisht me shtimin e mjeteve financiare që shtresat sociale zotërojnë. Prandaj, ngritja e këtij vektori vjen si nji tjetër lëvizje drejt përgjigjes pozitive për këtë pyetje të anketës.

Ç’thonë tjetër këto të dhëna? Për aq sa toleranca ndaj idesë së përafrimit edhe me tipare të shqipes veriore po përhapet në mendësinë kolektive, për aq po përhapet vetë ndërveprimi mes shqiptarëve nga vise të ndryshme. Dhe prandaj, e kqyrur nën llupën sociolinguistike, toleranca e shtuar për reforma gjuhësore nuk është tjetër veçse fytyra jashtëgjuhësore e përafrimeve gjuhësore. Njohja e shtuar e elementeve të shqipes veriore vjen prej kontakteve dhe lëvizjeve të shtuara të popullsisë.

Vetë kosovarishtja, tiparet e të cilës nuk janë më aspak të huaja në Shqipëri, kuptohet me lehtësi dhe ka shtu praninë edhe nëpër mediat e kryerrymës në Tiranë. Kjo nënkupton se «frika nga e panjohura», që detyrimisht dikton aktivizimin e mekanizmave mbrojtës kundrejt propozimeve për përafrime me shqipen e veriut, është zbutë dukshëm.

Kuptohet, me 3 në çdo 4 të anketuar që ende përgjigjen «jo» rreth çështjes, mbetet ende shum punë përpara. Në nji truall jo krejt të dalë nga mendësia e periudhës socialiste, kur për dekada u ndoq linja zyrtare që dialektet i shihte si mbetje të feudalizmit, mbase është e vështirë me pritë më shum. Vetë A. Kostallari, me emrin e të cilit u ngjit pandashëm e gjithë përpjekja për normimin e gjuhës në periudhën socialiste, në nji konferencë shkencore më 1984 shpallte:

Dialektet e shqipes, ashtu si edhe të gjuhëve të tjera, vërtet, në kohën tonë janë në rrugën e shuarjes, por ato si variante të gjuhës së folur, kanë nji qëndrueshmëri relative mjaft të madhe. Gjuha letrare ndikon gjithnji më fuqishëm e më thellë mbi to, ua ngushton truallin gjeografik e shoqëror dhe ua robëron jetësinë, por ajo edhe ndikohet prej tyre. Ky është nji proces dialektik, që, pa dyshim, do të çojë dalngadalë e shkallë-shkallë në nji epokë kur në jetën e popullit do të zotërojë në qytet e fshat vetëm gjuha letrare, me sistem të pasur të stileve të saj, por e sotmja nuk i takon kësaj tërësisht.

Nga gjuhësia dimë se dialektet janë në thelb emërtime për varietetet që hetojmë nëpër shtirjen gjeografike të gjuhës, tipar i natyrshëm i saj ky; i fusim përmbledhtazi në përmasën e ndryshimit të gjuhës që e quajmë diatopike. Kjo nënkupton se edhe në ditën e të ardhmes hipotetike, sikur e gjithë bota të fliste nji të vetme gjuhë, ajo do të njihte ndryshime të diktuara prej koordinatash të ndryshme gjeografike.

Varietetit standard duhet t’i interesojë pasurimi me prurje prej mbisistemit Gjuhë Shqipe. Dimë se njisia gjuhësore, cilado ajo, kur të jetë bë pjesë e standardit, vishet me prestigj dhe prandaj prejardhja, gjeografike, etimologjike dhe çfarëdo tjetër tipari i njisisë në fjalë mbetet dytësor, ndonjiherë me interes veç për studiues disiplinash të gjuhësisë.

Secili përdorues ka mundësi dhe të drejtë me pjesëmarrë në formësimin e fatit të shqipes së përbashkët dhe me ia ofru njisitë gjuhësore që parapëlqen. Kjo sepse me nxjerrë njisi gjuhësore në përdorim, është me i nxjerrë në treg: gjithmonë dikush mund t’i përvetojë e t’i përhapë tutje. Detyrë e gjuhësisë, sot dhe në të ardhmen e saj, mbetet prandaj me punu drejt sofistikimit të mjeteve e mënyrave të matjeve të nji korpusi përherë më të gjerë e të përditësuar, e që për më tej, do të mundësoheshin online. Vetëm kështu sigurojmë matje objektive dhe njohje reale jo veç të qëndrimeve të përdoruesve por edhe të prirjeve gjuhësore të tyre dhe rrjedhimisht marrim vendime të mirinformuara, e jo më krye më vete.

Nga Gazmend Bërlajolli

Gjuhëtar i shkolluar në Angli. Merret me studime dhe përkthime letrare. Shkrun në standardin e vjetër t'Elbasanit dhe zotohet për një gjuhë kombëtare gjithëpërfshirëse për shqiptarët.