Lëvizja dhe përqendrimi i popullsisë së Shqipnisë Administrative në Tiranë, Durrës, Elbasan e tjera qytete, lëvizja e veriorëve dhe jugorëve prej bjeshkësh në rrafshina — fjala vjen, kur një mirditor e një dangëlliot vendosen në Tiranë — ban që ata të takohen në një mjedis neutral ku duhet me vendosë njëfarë komunikimi të domosdoshëm.
Ky komunikim i domosdoshëm gjithsesi kërkon që të bahen kompromise dhe — me aq sa kam vërejtë unë — veriori heq dorë prej të gjitha veçorive të veta, deri te paskajorja, ndërsa jugori heq po ashtu dorë prej të gjitha veçorive të veta, deri te rotacizmi. Në këtë dyndje ka hy pashmangshëm edhe popullsia shqiptare e Shqipnisë Irredentiste (nga Kosova, Maqedonia etj.) dhe gjuha shqipe po kalon nëpër një fazë të re zhvillimesh e ndryshimesh.
Asht interesante me vu në dukje që veriori e pranon trajtën -ur pa problem të madh: i hapur, kapur, i mësuar (ndonjëherë e dëgjojmë si i mësuër), dashuri, lumturi etj., por ajo që aj s’mun me tejkalu natyrshëm asht mos me e përdorë paskajoren. Dhe po ashtu në të folunën e toskëve që jetojnë në mjedis gegnishtfolës mun me ndodhë transformim në veçori të ndryshme por ajo që ndodh shumë rrallë asht që një toskë me kthy –r-në e tij në –n-, pra, me thanë dashuni në vend të dashuri.
Kështu, për me gjetë një zgjidhje, veriori e përdor trajtën me punu edhe kur mendon se flet gjuhën e sotme standarde, por nuk përdor trajtën me punue. Ndërsa një toskë kur nis me pranu këtë paskajore nis jo menjëherë tue kalu në me punu por tue përdorë paskajoren qëllimore: për të me pjesoren punu etj., e ma vonë nis me përdorë edhe paskajoren e mirëfilltë me punu.
Gjatë qëndrimit tem për ma shumë se një vit në Tiranë kam vëzhgu me vëmendje këto dukuni të përdorimit të trajtës së shkurtë punu ndër banorë të Tiranës. Ajo asht ba e zakonshme edhe për gegët, edhe për toskët asht përdorimi i paskajores në të folunën e përditshme. Këtë e ka vu re Margaret Haslucku që në vitin 1933. Aty ajo në zgjedhimet e foljes punoj ajo përdor vazhdimisht si shembull trajtën e pjesores punu (kam punu, ke punu…). E çuditshme kur mendon se sa gramatika janë shkru për shqipen dhe kurrkujt nuk i ka shku në mendje m’ia vu veshin se qysh flitet shqipja në vetë kryeqytetin shqiptar dhe çfarë po ndodh aty me të folmet e shqiptarëve që kanë ardhë nga të gjitha krahinat, nga veriu e jugu!
Ideja asht që nëse veriori nuk mun me heqë dorë prej paskajores dhe as jugori prej rotacizmit, cila ka me qenë zgjidhja? Edhe këtë e ka dhanë vetë realiteti gjuhësor. Elbasani që asht në kërthizë të të folmeve shqipe — e në një plan të gjanë edhe të gjitha të folmet e Shqipnisë së Mesme — ka pësu këtë ndryshim të pjesores. Jo pa arsye sepse asht gjendë nën presionin e dy kryedialekteve. Si rezultat ka dalë një pjesore e shkurtë punu dhe asht përhapë, masandej, gjithnjë e ma shumë në veri. Natyrisht, kjo tash për tash asht vetëm një pandehje e jemja. Kjo dukuni e pjesores së shkurtë, me kontaktet e vazhdueshme, po përhapet edhe ndër jugorët që jetojnë në Shqipninë e Mesme.
* * *
Një ilustrim i mirë për këto që thashë asht edhe kjo intervistë me skulptorin Mumtaz Dhrami, në studion e të cilit kam qenë disa herë gjatë vitit 1996. Z. Dhrami asht gjirokastrit, i lindun e i rritun aty. Por tanë jetën — tash asht tetëdhjetëvjeç — ka jetu në Tiranë.
Ata që kanë durim me e ndëgju këtë intervistë mbresëlanëse (pjesët 1, 2, 3) me skulptorin e njohun shqiptar, Mumtaz Dhrami, kanë me u bindë menjëherë për natyrshmëninë e paskajores së tipit me punu në të folunën e tij.
Mumtaz Dhrami përdor trajta dialektore të tosknishtes: “pastaja”, “lith” (lidh), “tregojti” (tregoi), “i math” (i madh), “gdhënda” (gdhenda) etj. Por në të folunën e tij ka hy natyrshëm paskajorja e mirëfilltë shqipe. E bashkë me këtë edhe trajta të tjera fjalësh si “lojna”, trajta e monoftongëzueme e diftongut ue “fillumë” (për filluem), “fëminia” (megjithëse gazetarja e pyet tue përdorë trajtën toske të kësaj fjale, “fëmijëri”) etj.
Edhe ma interesant asht monoftongizimi që ndodh në përdorimin e foljes “për të rujtur” (ruajtur). Ky monoftongëzim (ue>u) dihet që asht dukuni vetëm e gegnishtes — për të rujtun, për të lujtun, për të qujtun etj. — dhe jo e toskënishtes. Mirëpo tash ndodh një dukuni krejt e re: monoftongizimi karakteristik i gegnishtes ndodh në temën e kësaj foljeje, por kësaj teme i shtohet prapashtesa e tosknishtes –ur dhe jo ajo e gegnishtes –un, qysh kish me u pritë dhe trajta e përdorun del “rujtur”!
Këto dukuni në gjuhën e folun, të përdoruna në një bisedë të lirë, tregojnë primjen të cilën e pata hetu qysh gjatë qëndrimit tem në Tiranë me 1996. Pikërisht ky ballafaqim me të folunën e kryeqytetin shqiptar më ka ba me mendu për zgjidhjet e mundshme në punët e standardit të shqipes, tue qenë se të folunën e trojeve jashtë Shqipnisë Administrative e kisha mjaft të njohun.
Përdorimi i trajtës së shkrurtë të pjesores punu, mësu etj., asht një dukuni normale dhe përdoret gjithnjë e ma dendun dhe pahetueshëm prej shumë folësve toskë në Tiranë, Durrës e Elbasan etj. Ky zhvillim asht i mirë për shqipen dhe ka me çu domosdo drejt një zgjidhjeje ma të pranueshme të një standardi të reformuem të shqipes. Kjo asht edhe arsyeja pse kam përdorë dhe vazhdoj me e përdorë këtë trajtë të pjesores në shkrimet e mia.
Intervista e z. Mumtaz Dhrami
https://www.youtube.com/watch?v=Vi9HKUQ0RWc
Pjesa 1:
“…që bënim lojna me ato…” 02:15
“Aty pastaj fillumë të vizatonim…” 02:33
“…burrë zotni, si me thënë…” 03:37
Gazetarja pyet: “Si ka qenë fëmijëria juaj? A ka qenë e vështirë?”
M. Dhrami: “Fëminia ka qenë… Fëmini do të thoshja e gëzuar…” 04:20
“lumejtë” (jo “lumenjtë”) 05:40
“U mërzita shumë, me thënë të drejtën…” 07:12
“Nuk kishte ndonjë preferencë për të rujtur gishtat!” 08:20
Pjesa 2:
“Problemi është tashi këtu që me punu me nudo…” 13:00
Pjesa 3:
“…duhet me i ribë edhe një herë… ose me ribë armaturën. Me e zbulu, me e lidhë, kryqat që i kemi ne…” 05:40
“…duhet me u mbulu…” 05:50
“prandaja duhet mos me e lëshu punën nga dora…” 08:35
Shkurtegëza për këtë postim: https://plisi.org/?p=4422