Më 1 tetor 1997, studentët kosovarë u hodhën në protestë kundër shtypjes së arsimit shqip. Serbia pushtuese mbante të uzurpuar kampusin e Universitetit të Prishtinës. Studentët shfaqën guximin me i kërku të drejtat e tyre të patjetërsueshme, duke kapërcy edhe ngurrimin prindëror të udhëheqësve të kohës.
Protesta studentore ndërgjegjësoi botën për padrejtësitë ndaj popullit tonë, ndonëse shtypja e pushtuesit u ashpërsu deri në gjenocid. Ndërtesat e universitetit i kthyem pas luftës çlirimtare të studentëve dhe atdhetarëve. Sot kryeministër i Republikës është njëri nga figurat kyçe të 1 Tetorit dhe të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
24-vjetori i protestës përkon me jubileun tjetër të arsimit tonë – po bëhen 80 vjet nga rihapja e shkollës shqipe në Dardani, falë punës së fisme të dijetarit e shkrimtarit Ernest Koliqi. Kur vrulli i historisë shembi kufirin mes shqiptarëve më 1941, Koliqi ministër i Arsimit pruni në «Tokat e Lirueme» flotiljen e mësuesve pishtarë që ushqyen ndjenjën e atdhetarisë e përparimit. Veprimtari i madh Adem Demaçi asokohe nisi klasën e parë në gjuhën shqipe.
Shkurtegëza për këtë postim: https://plisi.org/?p=7113