Esad Pasha, figurë terri

Esad Pasha ua dorëzon Shkodrën malazezëve (1913)


Getoar Mjeku

Njeri i lirë dhe avo­kat prej Prish­tine të Dar­da­nisë. Shkrun për shqip­tarët, gju­hën, histo­rinë, e poli­ti­kën. Lexon çkamos. Ndih­mon me mirë­mbajtë saj­tin për shqip­tari, Plisi.org.

Esad Pasha s’ka luftu kurrë për Shqipninë. Ka punu kundër saj.

Më 1912, braktisi lëvizjen kombëtare. Si figurë me ndikim, mori pjesën në mbledhjen e Taksimit në Stamboll, ku krenët e kombit u pajtunë me ngritë krye për vetëqeverisjen e Shqipnisë. Esadi e la Hasan Prishtinën me luftu i vetëm në Kosovë. Kryengritja quhet e përgjithshme se pritej me u shtri në tanë vendin — Esadi me luftu në Shqipninë e Mesme, Hasani në Dardani.

Më 1913, si oficer osman, Esadi porositi vrasjen e komandantit Riza Pasha, që mbronte Shkodrën e rrethueme prej malazezëve. Mbasi i zuni vendin Rizait, Esadi ia dorëzoi qytetin anmikut. Si rrjedhojë, Austro-Hungaria mike u detyru me heqë dorë prej Gjakovës për t’ia kthy Shkodrën Shqipnisë.

Më 1913, si bandit provincial, Esadi e kundërshtoi qeverinë e Vlorës t’Ismail Qemalit, që kish përkrahjen edhe të konservatorëve si Isë Boletini. Esadi ngriti nji qeveri të veten në Shqipninë e Mesme, me përkrahjen e Sërbisë.

Më 1913, si sundimtar i Shqipnisë së Mesme, Esadi pranoi copëtimin e vendit simbas planeve sllavogreke, sepse shqiptarët nën Vjosë s’ishin «myslimanë të mirë», por bektashij e ortodoksë.

Më 1914, si ministër qeverie, Esadi u çu kundër Princ Vidit dhe qeverisë së Durrësit, për të kërku nji prijës mysliman, çka nënkuptonte kthim nën Turqi. Esadi mori pushtetin për vete, mbasi përzuni Vidin prej Durrësit dhe qëroi hesapet me rebelët e tjerë proosmanë.

Më 1914, si sundimtar i Shqipnisë së cungueme, Esadi nënshkroi traktat miqësie nënshtruese me Sërbinë, ndërkohë që u mor vesh me Greqinë për t’ia falë Shqipninë e Jugut.

Më 1915, mbasi kish plasë Lufta e Parë Botnore, Esadi e mirëpriti Sërbinë me i pushtu varg qytetet tona dhe e ndihmoi me u largu që andej kur nisi me e ndjekë Austro-Hungaria. Perandoria habsburge dërgoi ushtrinë e vet në Shqipni për t’iu kundërvu Sërbisë e Esadit, kurse fuqitë e tjera shfrytëzunë rastin me shti në dorë vise të Shqipnisë. Më 1916, vendi ynë u pushtu dhe u nda sërish në shumë pjesë. (Për fatin tonë, austrohungarezët përkrahën vetëqeverisjen vendore, thirrën komisionin për njisimin e gjuhës, hapën shkolla, shtrunë rrugë e ngritën godina si askush ma parë.)

Esadi kurrë s’e pranoi flamurin kuqezi me shqiponjën dykrenare. Kurrë nuk e pranoi kombin tonë, të përbamë prej shqiptarësh të feve të ndryshme.

Më 1920, si oportunist që vetëquhej kryetar i qeverisë së Shqipnisë dhe përkrahës i Aleatëve, ndodhej në Paris, për të marrë pjesë në konferencën e paqes. Aty kërkonte përkrahjen e Aleatëve për t’u ba sundimtar i vetëm i Shqipnisë.

Avni Rustemi vrau Esadin në qershor 1920, në Paris. Ato ditë, shokët e Avniut kishin nisë në Vlorë luftën kundër Italisë. Kjo qe lufta e parë e plotë e shtetit shqiptar. Shqipnia ngadhënjeu. Në gusht 1920, riktheu pak a shumë kufijtë e 1913-s, tue parandalu copëtimin e matejmë që i kanosej.

Esad Pasha rridhte nga nji popull e familje fisnike, por vetë mori rrjedhë të prapë — kundër kusherijve të tij atdhetarë Abdi e Murat Toptani.

Miss Edith Durhami e përshkrunte Esad Pashën si nji mbetje mesjetare e njeri të pandershëm që s’njihte komb e që i shitej kujtdo që pagunte ma mirë. Populli ynë e kujton shkurt si tradhtar.

Foto: Esad Pasha ua dorëzon Shkodrën malazezëve (1913)