Më 1 nëntor 1878, krerët e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit mbajtën Kuvendin e Dibrës, ku vendosën me kërku autonominë e vendit brenda Perandorisë Osmane.
Kuvendin e udhëhoqi ushtaraku Iljaz pashë Dibra-Qoku, si nikoqir, kurse Abdyl bej Frashëri hartoi rezolutën që do t’ia dorëzonin sulltanit në Stamboll. Rezoluta e Kuvendit përmbante 5 pika:
1 — vilajeti i Shqipërisë
2 — nëpunësit shqiptarë
3 — arsimi shqip
4 — kuvendi i vilajetit
5 — buxhet për arsim dhe infrastrukturë
Pra, vilajeti i Shqipërisë do të formohej nga katër vilajetet e atëhershme: Shkodra, Kosova, Manastiri e Janina. Në Shqipëri do të shërbenin shqiptarët si nëpunës, duke i dhënë kështu fund diskriminimit dhe kolonizimit. Në shkollat që do të hapte vilajeti, do të mësohej shqip.
Në fund, viset e vilajetit do të zgjidhnin një kuvend, i cili do të caktonte buxhetin, do të emëronte qeverisë e gjykatat e vilajetit, dhe do të ndërmerrte «reforma të dobishme për shtetin dhe për kombin».
Ndonëse jo shprehimisht, rezoluta parashihte krijimin e një vilajeti vetëqeverisës, sipas një plani të diskutuar më parë në qarqet atdhetare. Parashtresa e miratuar paralajmëronte se shqiptarët nuk do të hiqnin dorë nga kërkesat e tyre.
Kuvendi i Dibrës ngarkoi Iljaz pashën me ua kumtu vendimet parisë së viseve të Gegnisë dhe me siguru pëlqimin e tyre. Abdyl Frashëri u caktu për viset e Toskërisë.
Një delegacion shqiptar ia paraqiti kërkesat qeverisë osmane në shkurt 1879. Perandoria nuk i pranoi thirrjet e Lidhjes, dhe iu përgjigj me dhunë përpjekjeve të shqiptarëve për autonomi.
Shkurtegëza për këtë postim: https://plisi.org/?p=6450