Marrëveshjet e dëmshme me Serbinë



Getoar Mjeku

Njeri i lirë dhe avo­kat prej Prish­tine të Dar­da­nisë. Shkrun për shqip­tarët, gju­hën, histo­rinë, e poli­ti­kën. Lexon çkamos. Ndih­mon me mirë­mbajtë saj­tin për shqip­tari, Plisi.org.

Më 4 shtator 1914 të kalendarit julian, ose 17 shtator të kalendarit tonë, Esad Pasha nënshkroi me Nikolla Pashiqin traktatin e fshehtë të Nishit. Pika 11 parashihte ndërtimin e hekurudhës së Adriatikut deri në Durrës. Serbia do të shpronësonte tokat e shqiptarëve për këtë qëllim.

Më 1915, traktati i fshehtë i Londrës shestoi ricopëtimin e Shqipërisë. Serbia dhe Mali i Zi do të merrnin Shqipërinë e Veriut. Copa e mbetur e vendit do të kthehej në një pashallëk, gjasshëm i sunduar prej Esad Pashës nën proteksion të huaj. Një hartë shpjeguese që ndodhet në Bibliotekën e Kongresit Amerikan shfaq hekurudhën Danub–Adriatik, që kalon përgjatë Drinit e përskaj Shkodrës.

Më 1924, Ahmet Zogu e Nikolla Pashiqi lidhën një tjetër traktat të fshehtë. Pala shqiptare u zotu për bashkimin personal të Shqipërisë me Jugosllavinë, duke pranu Karagjorgjeviqin si mbret të përbashkët. Shqipëria u pajtu me i shkri doganat, për të siguru importin e papenguar të mallrave serbe, dhe me ia nënshtru Beogradit kishën ortodokse dhe bashkësinë islame. Zogu gjithashtu hoqi dorë nga Shën-Naumi e Vermoshi, nga ushtria e politika e jashtme, dhe e drejta me i mbrojtë shqiptarët në Jugosllavi. Fatmirësisht, ky traktat nuk u zbatu plotësisht.

Më 1941, u themelu Partia Komuniste Shqiptare, nën tutelën e të dërguarve jugosllavë Dushan Mugosha dhe Milladin Popoviq. Kur më 1943 organizatat shqiptare u pajtunë me luftu bashkë kundër pushtuesve për një Shqipëri të lirë e të bashkuar, të dërguarit jugosllavë i shtynë komunistët shqiptarë ta prishin marrëveshjen shkaku i «Shqipërisë së Madhe».

Më 2013, Hashim Thaçi nënshkroi në Bruksel marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë–Serbi. Kosova mori përsipër me kriju zajednicën serbe, një entitet me kompetenca shtetërore, që rrezikon copëtimin e brendshëm të vendit. Hashim Thaçi shtrëngoi Kuvendin e Kosovës që ta rafitikojë marrëveshjen, kurse Gjykata Kushtetuese tha se nuk ka tagër t’ia vlerësojë kushtetutshmërinë. Marrëveshja tashma ka nda gjyqësorin në vija etnike, duke ngritë një gjykatë apeli në Prishtinë për shqiptarët dhe një tjetër në Mitrovicë për serbët. Ka nda dhe policinë, duke u dhënë tagrin për të emëru komandantin rajonal kryetarëve të katër komunave veriore. Kështu marrëveshja ka zhbë kushtetutën tonë, që thotë se territori, gjyqësori dhe zinxhiri komandues i policisë janë unikë.

Më 2015, Isa Mustafa nënshkroi në Bruksel një tjetër marrëveshje për zajednicën. Gjykata Kushtetuese gjeti dhjetëra shkelje, që rrezikojnë natyrën unitare të shtetit dhe cenojnë të drejtat themelore të njeriut e të komuniteteve. (Avdullah Hoti, megjithatë, ka thënë rishtazi se Kosova do ta zbatojë në plotëni marrëveshjen e 2015-s.)

Kah 2018-a, Hashim Thaçi nisi me lobu haptaz e fuqishëm për një «kompromis të dhimbshëm» me Serbinë. Kompromisi ngërthente «korrigjimin e kufijve», çka nënkupton me i dhënë Serbisë Veriun e Kosovës. H. Thaçi madje shkoi aq larg sa me i qujtë ato vise dhuratë e Rankoviqit, duke aludu se i janë bashku Kosovës në vitet 50 me vendim të funksionarit serb që përndiqte shqiptarët. Me lobu për ndarjen e Kosovës u përdorën jashtëligjshëm miliona euro nga buxheti i shtetit.

Më 2019, Edi Rama, Aleksandar Vuçiqi e Zoran Zaevi shpallën në Novisad planin e tyre për një zonë të mini-Shengenit ballkanik. Kjo zonë nuk njeh Kosovën si shtet, shlyn kufijtë kosovarë dhe siguron hegjemoninë e oligarkëve serbë mbi ekonominë tonë.

Më 4 shtator 2020, Avdullah Hoti nënshkroi në Uashington një dokument për normalizim ekonomik me Serbinë. Ndër të tjera, dokumenti i siguron Serbisë daljen në Adriatik, e bën Kosovën pjesë të zonës së Novisadit, pranon autoritetin e kishës serbe mbi pjesë të truallit tonë, ndan asetet strategjike dhe burimet tona natyrore me Serbinë, heq dorë nga anëtarësimet ndërkombëtare, dhe kufijtë i kthen në vija administrative të papërfillshme.

Këto janë vetëm disa nga pazaret historike, në kurriz të popullit dhe me pëlqimin e satrapëve. Sot na duhet kthesa historike, për drejtësi e barazi, në të mirë të qytetarëve tanë dhe të mbarë rajonit.

GM