Përvjetori i Luftës së Spanjës

Parulla «¡No pasarán!» në Madrid (Mihail Kolcov, 1936/37)


Getoar Mjeku

Njeri i lirë dhe avo­kat prej Prish­tine të Dar­da­nisë. Shkrun për shqip­tarët, gju­hën, histo­rinë, e poli­ti­kën. Lexon çkamos. Ndih­mon me mirë­mbajtë saj­tin për shqip­tari, Plisi.org.

Sot 81 vjet mori fund Lufta Qytetare e Spanjës (1936–1939), një kaptinë e errët e historisë evropiane.

Pata lexu si fëmijë në një pamflet se Mbret­nija Shqip­tare e njohu e para re­gjimin e Francisco Fran­cos, kau­diljos që mori pushtetin më 1 prill 1939. Burime të tjera më thonë se Shqipëria ka qëndru as­nja­nëse, të paktën në fillet e krizës.

Idealistat mbajtën anë, por humbën luftën. Francoja nuk rrejti në shpalljen e fito­res kur tha se «një shtet tota­litar» ka me sundu kombin.

Regjimi i tij shtypës ka qenë shëm­bëll­tyrë e fashizmit – e ngritur me ndihmën e Gjer­­manisë së Hitlerit e të Italisë së Mussolinit. Kur nazi­fashistat bombardunë ka­tun­din bask të Gernikës më 1937, mjeshtri Pablo Pi­caso përjetësoi gratë e fë­mijët e vramë në një nga pikturat e tij ma të famshme.

Gjakovari Asim Vokshi ra po atë vit, si pjesë e batalionit ndër­kom­bëtar Gari­baldi, që vajti me u ndihmu forcave re­publikane kundër nacio­na­listëve të Francos. Në luftë humbën jetën rreth 9 nga 34 vullnetarët shqiptarë. (Njëri qebesa u plagos në luftë dhe u zhduk në kamp për­qend­rimi nazist.)

Shkrimtari ynë Petro Marko kujton Asimin në romanin e tij Hasta la vista, të botuar më 1958.

«Asim Vokshi, biri i dalluar i malësisë, i Gjakovës, ushtar i vogël i Bajram Currit, se kur ishte Asimi i vogël në shko­llën fillore të Kol­gecajt, kishte marrë pjesë me ma­lësorët kundër shtypjes», shkrun Markoja.

Petro Marko, «Hasta la vista» (1958; ribot. Rilindja: Prishtinë, 1987) f. 24.
Petro Marko, Hasta la vista (1958; ribot. Rilindja: Prishtinë, 1987) f. 24.

Himarioti liridashës, që gjithashtu luftoi në Spanjë, flet për kon­flik­tin e egër edhe në vetë­jetëshkrimin e tij Intervistë me vet­veten (Retë dhe gurët).

Por republikanët nuk mbë­rritën me ven­dosë demo­kraci të mirë­filltë. Shumë sy­resh u bënë vegël e dik­tatorit sovjetik Josif Sta­lin, që ndërhyri për t’i pastru ra­dhët e të maj­tëve prej kun­dër­shta­rëve të tij. Për re­pub­likën në Spanjë luf­tunë komandantë si Meh­met Shehu, i cili vite ma vonë – kuj­ton­te Át Zef Pllumi – do ua shkundte shqip­ta­rëve cigaren në sy, do i push­ka­tonte pa gjyq, e do i tor­tu­ronte si krye­­ministri ma sun­­dim­gjatë i Shqi­pë­risë. Kurse njerëzit ide­alis­ta si George Or­welli u ndanë të zhgënjyer prej mashtrimit e shpër­dorimit stalinist.

Shoqnodemokrati Or­well shkroi një libër me kujtime për luftën e Spanjës dhe botoi ro­manin satirik Fer­ma e kafshëve (ang. Animal Farm), që e thumbon Sta­linin dhe ko­mu­niz­min. Edhe romani anti­­diktaturë «1984» gjas­shëm ka dalë prej fry­mëzimit që kalem­xhiut bri­ta­nik ia kanë dhanë për­je­timet e luftës.

Në anën tjetër, shkrim­tari J.R.R. Tolkein, autori i Zotit t’unazave (ang. Lord of the Rings), u bë kun­dërshtar i ashpër i re­pub­li­ka­nëve spa­njollë, kur mori vesh për vras­jet e njerëzve të pa­faj­shëm, tue për­fshi klerin katolik.

Francoja sundoi me grusht të hekurt deri kur vdiq më 1975. Shtetin ia la pas­ar­dhë­sit që caktoi vetë, tra­shë­gim­tarit të derës së Bur­­bo­nëve, nipit të mbretit Al­fons XIII, që kish lëshu vendin me shpall­­jen e republikës më 1931. (Në Mesjetë, Alfons Shpirtmadhi, mbret i Ara­­gonës spa­njolle, Siçilisë e Na­polit, ka qenë for­ma­lisht edhe su­ze­ran i Shqi­pë­risë së Skën­der­beut.) Gjonkarli apo Juan Carlos I u bë mbret më 22 nëntor 1975, dy ditë pas vdekjes së kaudiljos, dhe për dy vjet ri­ktheu monarkinë ku­sh­tetuese dhe vendosi demo­kracinë në Spanjë.

Më 1977, udhëheqësit në mërgim të repub­li­kës e pra­nunë re­gji­min e ri. Zgjedhje të lira u mbajtën po atë vit, dhe kushtetuta de­mo­­kra­tike që ka sot vendi ibe­rian u mi­ratu në vitin vijues. Ele­mente të kësaj ku­sh­tetute i ka për­vetësu Kosova, që ka miratu ligjin e saj ma të naltë pas pavarësimit më 2008. Kjo e për­bashkët e pa­ras­të­sishme duhet të shër­bejë si shkas që Mbre­tëria e Spanjës ta njohë Repub­likën e Kosovës si shtet të pavarur.