Gazetari BBzh (emën i njohun për popullsinë tonë) paska kalu kah nji piceri edhe në derë e ka pa shejën «nukë punoimë». S’i paska pëlqy edhe paska cicëru mllefin në Twitter, tue u qa për «një gjuhë të bukur shqipe». Ia ka huqë mekahkrejt, dhe kështu asht kur shet mend!
Se herën e mbramë që e kam ndi zonjën Lejla nga Pogoni tue thanë «nuku», më ka ga që po ndëgjoj shqipen ma të bukur ndonjiherë. Dhe herën e mbramë që e kam pa të shkrueme këtë fjalë si «nukë», më ka ga se po lexoj dromcat ma të fuqishme të letërsisë shqipe. I kish pas shkru Faïk Konitza (Faik Konica), që e qujnë edhe atë të shqipes së sotme letrare.
E pra, në rastin ma të mirë, ky picameni, që e ka mëshelë dugajën në kohë murtaje, e ka kremtu traditën letrare. Ndë gluhënë tonë ka paturë më shumë ë. Shkruheshin deri vonë. Disa ende i shkrujmë, por s’i shqiptojmë.
Në rastin ma të keq, ky picameni ka kry punë, mbasi pica s’un po maron ma. U ka tregu myshterijve që s’po punon. Ka shkru shqip. Dhe shqip domethanë kuptueshëm. Myshterijtë e kanë marrë vesh.
Por çka s’merret vesh sot asht kjo pritshmënia e tipave si BBzh që na tjerët me dijtë çka ata mendojnë se dijnë. Nji bukëpjekës a nji magjetor, sado i zoti në zanatin e vet, nuk i përmbush kushtet me gëzu respektin e nji snobi si BBzh. Sepse nuk shkrun qaq «bukur».
Pa çka që vetë BBzh asht për faqe të zezë? As nuk përdor ë e ç, as nuk ndjek ndonji traditë të mirëfilltë letrare, as nuk e zotnon qaq drejtshkrimin 72 (qajo «ju» asht gabim). Frazeologjinë mandej e ka bukur të lodhët: sa cicërima ia nisin me «po rrotullohen në varr»?
Ma e keqja, nuk i përdor me vend fjalët e shqipes. Veç pse anglisht thuhet «writer», shqip nuk i bjen medoemos «shkrimtar». Picameni nuk asht shkrimtar, ashtu siç nuk asht picamen Ismail Kadareja. Me kutin e anglishtes, ky BBzh asht njifarë komediani që veç këqyr me i nxërcu njerëzit.
BBzh qenka gëzu sadopak mbasi picamenat që shkrujnë «nukë» nuk janë tue punu. Unë po gëzohna që s’kanë pasë punë me snoba sot.
Në fund po uroj: Përshummot Pashkët! Veçanërisht atyne picamenave bukëdhanës t’Amerikës, që sa më kanë ushqy me bukë, më kanë mbrujtë me atdhedashuni e qytetari.
Shkurtegëza për këtë postim: https://pli.si/3a28JK6