(përditësu) Gjykata Supreme po mban të pezulluar shtrenjtimin e energjisë elektrike dhe pasurimin e oligarkëve prej pagesave të popullit. Kjo është fitorja jonë në kontestin kundër Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, të cilin po e ndjek si përfaqësues i bashkaktivistit të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Sami Kurteshi.
Më 27 nëntor 2019, një ditë pas tërmetit në Shqipëri, ZRrE ka vendosë tinëz disa tarifa nxitëse që u paguhen prodhuesve të rrymës si subvencione. Ato paguhen me pare të qytetarëve, kurse nga to përfitojnë oligarkët. Thujse të gjitha kompanitë përfituese kanë një vend operimi dhe të njëjtin pronar. Për 12 vjet sa do të zgjasë subvencionimi, konsumatorët do pagujnë të paktën 16 milionë euro, por gjasshëm mbi 27 milionë.
Jorastësisht, vendimi i ZRrE-së është në kundërshtim me kushtetutën, me normat e BE-së që zbatohen te ne, dhe me ligjet e energjisë dhe procedurës administrative. MSA-ja ndalon ndihmën shtetërore, dhe Evropa kërkon që rregullatorët të përdorin mjetet e tregut të lirë për të caktu tarifat. Përfaqësuesit e BE-së, Komunitetit të Energjisë ku bën pjesë Kosova, Ambasada Gjermane dhe shoqëria civile kanë kundërshtu vendimin e ZRrE-së, siç kemi bërë dhe ne.
Më 24 dhjetor 2019, kemi paraqitë padi në Gjykatën Themelore të Prishtinës, duke kërku anulimin e vendimit. Bashkë me padinë kemi parashtru kërkesë për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit — që i bie pezullimin e tij deri në zgjidhjen përfundimtare të rastit.
Më 27 dhjetor 2019, Gjykata Themelore ka miratu kërkesën për shtyrje. Aktvendimi që na u dorëzu në mes të janarit qe lajm i mirë për drejtësinë dhe konsumatorin.
Por një sërë ankesash mbërritën në Apel gjatë javëve vijuese. Më 23 janar 2020, u anku e paditura ZRrE. Kurse më 30 janar dhe 12 shkurt, shumë pas afatit të lejuar, parashtrunë ankesa edhe dy palë që thonë se kanë përfitu nga vendimi i ZRrE-së. Njëra nga to nuk figuron e regjistruar asgjëkundi si biznes në Kosovë. Dy ankesat e mbrame m’u dorëzunë secila rreth 10 ditë pas protokollimit në gjykatë.
Ne u përgjigjëm në secilën ankesë me argumente të qarta e bindëse. Por Gjykata e Apelit vendosi ndryshe. Më 20 shkurt, pa përfundu afati për përgjigje, Apeli nxori një aktvendim që përmend vetëm një nga tri përgjigjet tona. Tutje, aktvendimi i Apelit thotë se në shkresat e lëndës nuk ka prova për ta mbështetë shtyrjen e ekzekutimit, pa zënë ngojë asnjë nga 14 shtojcat e vëllimshme që kemi paraqitë që në ditën e padisë.
Për këto arsye, Apeli prishi aktvendimin e Themelores dhe çështjen e riktheu në rishqyrtim. Kurse Themelorja kërkoi prova se vendimi i ZRrE-së i sjell paditësit dëm vështirë të riparueshëm nëse gjykata nuk e pezullon atë.
Duke lypë sërish pezullimin, ne iu drejtumë gjykatës me dy parashtresa. Me njërën ridorëzumë të gjitha provat e mëparshme, për t’u siguru se ato ishin në dispozicion të gjykatës. Me tjetrën shpjegumë në hollësi — me aritmetikë e dokumente — dëmin e kanosur dhe shkaqet për ta shty vendimin e ZRrE-së.
Gjykata Themelore miratoi kërkesën tonë për pezullim, duke nxjerrë aktvendim të ri më 6 prill 2020.
Më 22 prill, disa palë të interesuara janë anku ndaj aktvendimit të 6 prillit. Meqë gjykatat nuk kanë punu rregullisht gjatë pandemisë, ankesa na është dorëzu tek më 8 qershor. Në ndërkohë, ka paraqitë ankesë edhe e paditura ZRrE, por ankesën e saj nuk e kemi marrë asnjëherë.
Ne kemi paraqitë përgjigjen tonë ndaj palëve të interesuara, dhe më 17 qershor, Gjykata e Apelit ka vendosë në të mirën tonë, duke refuzu të gjitha ankesat dhe duke lënë në fuqi aktvendimin e Themelores.
Në qershor, palët e interesuara i kanë kërku Gjykatës Supreme rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit. Më 23 korrik, Supremja ka refuzu kërkesën, duke u pajtu me shtyrjen e ekzekutimit. Aktgjykimi i Supremes na është dorëzu tek në dhjetor, ndërkohë që Komisioni i Ndihmës Shtetërore ka vlerësu se vendimi i ZRrE-së përbën subvencion të ndaluar me ligj.
Për interesimin e publikut, po postoj këtu të gjitha shkresat e lëndës:
- Padi për konflikt administrativ dhe kërkesë për shtyrje të ekzekutimit, 24.12.2019
- Padi për konflikt administrativ dhe kërkesë për shtyrje të ekzekutimit, 24.12.2019 — Shtojcat [7,9 MB]
- Aktvendim i Gjykatës Themelore, 27.12.2019, dorëzu 14.1.2020
- Ankesë e së paditurës, 23.1.2020, dorëzu 28.1.2020
- Përgjigje e paditësit në ankesën e së paditurës, 30.1.2020
- Ankesë e palës së interesuar, 31.1.2020, dorëzu 7.2.2020
- Përgjigje e paditësit në ankesën e palës së interesuar, 13.2.2020
- Ankesë e palës së interesuar, 10.2.2020, dorëzu 20.2.2020
- Aktvendim AA.nr.155/2020 i Gjykatës së Apelit, 20.2.2020, dorëzu 27.2.2020
- Përgjigje e paditësit në ankesën e palës së interesuar, 21.2.2020
- Aktvendim i Gjykatës Themelore, 4.3.2020, dorëzu 8.3.2020
- Parashtresë e paditësit, 5.3.2020
- Parashtresë e paditësit, 12.3.2020
- Parashtresë e paditësit, 12.3.2020 — Shtojcat [3,5 MB]
- Aktvendim i Gjykatës Themelore, 6.4.2020, dorëzu 10.4.2020
- Ankesë e palëve të interesuara, 22.4.2020, dorëzu 8.6.2020
- Përgjigje në ankesën e palëve të interesuara, 15.6.2020
- Përgjigje në ankesën e palëve të interesuara, 15.6.2020 — Shtojcat
- Ankesë e së paditurës, 10.6.2020, dorëzu 23.6.2020
- Ankesë e së paditurës, 10.6.2020 — Shtojcat, dorëzu 23.6.2020
- Aktvendim AA.nr.355/2020 i Gjykatës së Apelit, 17.6.2020, dorëzu 23.6.2020
- Kërkesë e palëve të interesuara për shqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit, 30.6.2020, dorëzu 7.7.2020
- Përgjigje në kërkesën e palëve të interesuara për shqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit, 13.7.2020
- Aktgjykim i Gjykatës Supreme UZVP-ARJ.nr.44/2020, 23.7.2020, dorëzu 17.12.2020
- Aktgjykim i Gjykatës Supreme [serbisht]: Presuda Vrhovnog Suda UZJP.ARJ.nr.44/2020, 23.7.2020, dorëzu 18.12.2020
- Parashtresë e paditësit, 21.12.2020 (njoftim për vendimin 14/2020 të Komisionit të Ndihmës Shtetërore lidhur me vendimin e ZRrE-së)
Tani po presim shqyrtimin e padisë, që mund të fillojë pas disa viteve. Por e drejta është qartazi në anën tonë, dhe përpjekjet tona për shtetin e së drejtës, tregun e lirë dhe mbrojtjen e konsumatorit nuk do t’i ndalim në asnjë çast.
Foto: Me aktivistin Sami Kurteshi, ditën e padisë kundër ZRrE-së (Gerolld Nikoliqi, Lëvizja VETËVENDOSJE!, 2019)
Shkurtegëza për këtë postim: https://pli.si/2U4kzgJ