Sami Frashëri për ndalimin e shkollave shqip

… Grekëretë kanë një shok të fortë, me të cilënë janë zënë shëndoshë dorë-për-dorë për të humburë kombërin’ e gjuhën’ e Shqipëtarëvet; ay shok është Tyrku, i cili i ndih Greqisë e patrikërisë’ së Fenerit në këtë punë me sa i vjen nga dora.

Për të bërë punën’ e Grekut qeveri e Tyrqisë nukë le të hapetë nonjë shkollë, të shkeletë nonjë livrë a të bëhetë nonjë mësim e nonjë mbrodhëri në gjuhët shqip, duke ndihurë shkollavet greqisht me ç’do farë mëndyre, e duke mbajturë Shqipëtarët’ e krishtenë nënë xgjedhë të priftërisë së Fenerit.

Pas Tyrqet e Grekërvet Shqipëria ka armikër Bulgarët’ e Sërbëtë, të cilëtë duanë të bëjnë nëpër anët të lindjes’ e të veriut të Shqipërisë ato që bëjnë Grekëritë n’anët të jugësë. Edhe nëpër ato anë shumë Shqipëtarë orthodhoksë, aqë të paditur’ e të pakupëtuarë sa të tjerëtë tregojnë një dëshira për gjuhët’ e Shqehet, e duanë të harojnë gjuhën’ e bukurë që kanë folurë prindërit’ e tyre që kaqë mijë vjet e tëhu. Ç’i math turp! e ç’e madhe poshtëri e unjtëri e fëlliqurë! Pô edhe këtyre Shqehe u ndihinë Tyrqitë, të cilët atyre u lenë duartë çpenguarë të bëjnë ç’të duanë e neve na i lidhinë skrupullë; atyre u apënë fermanë të hapinë shkolla e mitropolitirëra ndër vëndet tanë, e neve s’na lenë të kemi as një shkollë të vogëlë! Pa menduarë një herë se Grekëretë e Shqehtë janë miqt’ e Tyrqisë a po Shqipëtarëtë, edhe cilëtë kanë derdhurë edhe derdhinë edhe sot gjak për të?

(…)

Kur panë këto të mira në gjuhët shqip e mbrodhësin’ e madhe të shkronjavet tona, e kupëtuanë që Shqipëria do t’u dalë nga thonjtë, edhe u bashkuanë gjithë për të ndaluarë të shkruarët’ e gjuhës shqipe. Tyrq, Grekër, Shqeh e të tjerë, sado q’ armikë në mes të tyre, dhanë dorënë njëri jatërit kuntrë neve. Port’ e Lartë e palat’ i Yllit, patrikëri’ e Fenerit, qeveri’ e Athinësë etj. u bashkuanë në këtë punë; Tyrku ndaloj të hapuritë shkolla shqip, zuri livratë në tellonë, nukë la të shkelësh as një copë kartë në gjuhët tënë, edhe i vështoj me sy armiku duke quajturë komitë, pas zakonit të ti, gjith’ ata që doninë të shkruajn’ e të këndojnë në këtë gjuhë; Greku thiri, e çori lëveretë që nga Athina kuntrë të shkruarit të gjuhësë sanë, ngrehu një-mij’ intrikëra kuntrë Shqiptarëve që duanë gjuhën’ e tyre, i vrau të shumëtë me dorët të Tyrkut; patriku e dhespôtëtë hodhë aforismatë si Hyji rrufenë qëmoti.

Gjithë këta ndalime bënë të mos shtohen’ e të mos përhapenë shkollatë shqip në Shqipëri e të mos dalënë livra e ditare etj. në gjuhët tënë; pô nukë ndaluanë dot Shqipëtarëtë nga të mësuarëtë shkronjatë shqip. Shqipëtari është mësuarë të nxërë shkronja edhe pa shkollë, në shesht’ edhe pa livra e të shkruara me dorë.

Pamë mê siprë qysh Tyrqitë u lidhinë duart’ e këmbëtë Shqipëtarëvet, edhe i mbajnë t’i hanë e t’i përçajnë të tjerëtë Greqtë, Shqehtë etj. Shqipëria gjer më sot e ka mbajture kombërin’ e gjuhën’ e saj, pô paskëtaj s’e mban dot, po s’bëri edhe ajo shkolla e të vejë mbarë në diturit; po qeveri e Tyrkut Shqipëtarë s’e le të hapnjë shkolla e të shpjerë përpara gjuhën’ e ti, kur të tjerëtë, armiqët’ e saj edhe të Shqipërisë i le të dlir’ e të çpenguarë të bëjnë ç’të duanë.

Kështu të jetë që të ronjë Tyrqia edhe ca vjet, do të mos mbetetë mê Shqipëri, pô ky vënt do të jetë copëtuarë për jetë në mes të Greqet e të Shqehet.

(…)

M’e par’ e këtyrë është gjuha; s’munt të ketë Shqipëri pa Shqipëtar, s’munt të këtë Shqipëtar pa gjuhë shqip, s’munt të ketë gjuhë shqip pa shkronja shqipe e pa shkolla në të cilat të mësohetë shqipja. P’andaj mê parë nga të gjitha do të mbahetë gjuha, të shtrëngohetë qeveri e Tyrkut t’a ngrerë ndalimnë q’i ka vënë guhësë shqip, e të lërë shkollatë shqip të hapenë e livrat’ e fletoretë shqipe të hyjnë e të shkelenë çpenguarë në Shqipëri. Ç’do Shqipëtar të mësonjë mê parë të shkruanj’ e të këndonjë shqip, pa pastaj gjuhëra të tjera.

(Sami Halit FRASHËRI, “Shqipëria ç’ka qenë qënë, ç’është e ç’do të bëhetë”, Bukuresht, 1899)

Nga Plisi

Themelu më 28 nëntor 2012, Plisi është sajt për qytetari dhe shqiptari.