Një magar sa dy zyrtarë

Ua bëra miqve një kuiz drejtshkrimi në Insta­gram. Shumica u përgjigj «gabim».

Pyetje 1: Drejtshkrim?

(A) Një magar sa dy zyrtar — 7,5 %
(B) Një magar sa dy zyrtarë — 30 %
(C) Një magarë sa dy zyrtarë — 6,25 %
(D) Një gomarë sa dy zyrtarë — 56,25 %

Përgjigjja e saktë: (B)

Pyetje 2: Drejtshkrim?

(A) Të rinjtë s’janë seriozë — 27,06 %
(B) Të rinjët s’janë serioz — 25,88 %
(C) Të rinjtë s’janë serioz — 35,29 %
(D) Të rinjët s’jan serioz — 11,76 %

Përgjigjja e saktë: (A)

Pyetje 3: Drejtshkrim?

(A) Me pas miq të mirë — 15,94 %
(B) Për të patur miqë të mirë — 4,35 %
(C) Për të pasur miqë të mirë — 36,23 %
(D) Me pasë miq të mirë — 43,48 %

Përgjigjja e saktë: (D)

Ka kohë që e përsëris se drejtshkrimi nuk është gjëja ma e rëndësishme për me shkru mirë. (Në këtë postim, vetë po shkoj kun­dër «rregullave zyr­tare» që i ka caktu Kon­gre­si i Drejt­shkrimit i 1972-s, dhe po e ndjek ma fort tra­di­tën letrare dhe mënyrën si e përdorim sot shqipen.)

Por përgjigjet që mora dëf­tojnë probleme ma të thella: si e sa e mësojmë shqi­pen në shkollë, sa le­xojmë, si mendojmë për gjuhën dhe shqip­ta­rët.

Pyetjet qenë të për­gjith­shme. Ato prekin rre­gu­llat e drejt­shkrimit pa marrë para­sysh dialektin a varie­tetin letrar. Këto rregulla janë përsosë gjatë she­kujsh shkri­mi të shqipes dhe janë kodifiku që 100 vjet. Pra, miqtë e mi nuk patën me zgjedhë mes Shqip­nisë (gegnisht) e Shqipë­risë (toskërisht), që pastaj të arsye­tohe­shin me dia­lektin e tyre, por mes op­sio­neve të sakta e të ga­buara që dallojnë qartë si Shqip­­ria a Shçip­ria dhe Shqi­përia.

Sot shqipja shkruhet në shumë varietete. Mbi­zo­të­ron varieteti standard, me bazë to­s­kë­ri­sh­ten, që u ven­dos në Shqipërinë Lon­dinare pas Luftës së Dytë Botërore dhe u san­ksionu për­fundimisht më 1972. Deri më 1969, në vise shqip­tare është përdorë stan­dardi i vjetër, i mbë­shtetur në të folmen e Elba­sanit, një gegnishte ju­go­re që tingëllon tos­kë­risht. Shumë shkrues ende e ndjekin traditën shkod­rane të gegnishtes veri­­perën­dimore, dhe mjaft koso­varë shkrujnë me dromca të dar­da­nishtes apo geg­nishtes veri­lin­dore.

Disa, siç po bëj unë në këtë postim, shkrujnë në një lloj standardi të për­shta­tur, që po e qujnë shqipe e për­bashkët ose neo­stan­dard. Ka dhe tradita let­rare toske e arbë­reshe. (Shkrimi i folur, në rrjete sho­që­rore e me­sazhe pri­vate, nuk lloga­ritet traditë let­rare.)

Por të gjitha këto va­ri­e­te­te kanë një alfabet dhe disa pa­rime theme­lore të drejt­shkri­mit. Pyetjet e mia për­qend­ro­het në ato parime.

Kuizi në Instagram nuk është ndonjë sondazh i mprehtë shkencor, por i kon­fir­mon matjet që i bëj përditë me sy të lirë, veç­mas ndër kosovarë, të cilët për­bëjnë shu­micën e shoqërisë sime. Qe ku ia huq shumica në secilën pyetje.

Pyetja 1

Kjo është tricky question. Se në njërën anë, te­s­ton a dimë me e formu shumë­sin e emrave magar e zyr­tar, e në anën tjetër, na huton me zgjedhjen e fjalëve.

Plot kosovarë mendojnë — gabi­misht — se veç katun­darët thonë magar, dhe se s’bën kurrqysh me e shkru këtë fjalë. (Në libra del edhe si magjar.) Vërtet ajo nuk e gëzon pre­stigjin e sino­nimit go­mar, por unë kam pyetë për drejtshkrim, jo për zgjedhje të fja­lë­ve. (Mu ndo­sh­ta më pëlqen ma fort fjala ar­bëreshe gaj­dhur a ghajdhur, veçse s’jam në pozitë me ia im­ponu askujt.)

Gjasshëm, shumica habi­ten me germën ë. Men­dojnë se kur e qet një ë në fund të fjalës, zanorja para ë-së zgjatet. Por ky është për­gjithësim me shumë për­jashtime.

Parimisht, shqipja e shkru­ar nuk i shënon za­noret e gjata. Varieteti i sotëm stan­dard nuk i përfill fare. Por edhe rregullat e dikur­shme su­gjerojnë me e shënu gja­tësinë vetëm në ras­te të caktuara. Gegët një­mend i zgjatin zanoret para ë-së, mi­rë­po jo gjith­monë.

Qe, për shembull, një prish­tinas i shqipton një­lloj frazat tregues insti­tu­ci­onal dhe tre­gues insti­tu­cionalë. Fraza e parë është njëjës (njâjës): një/nji tre­gues institu­cio­nal; e dyta shumës: dy/shum(ë) tre­gues(a) institucionalë.

Shumësi i mbiemrit social bëhet socialë, siç e dëshmon titulli i kë­tij kreu të Kushtetutës së Shqi­përisë (1998/2016)

Gjithashtu, dardanishtja (apo gegnishtja veri­lin­dore) nuk e ndërron shqip­timin kur flasin për (një) shqiptar dhe (dy) shqip­tarë. A-ja në ato raste është e gjatë, por jo për shkak të ë-së.

Në raste të tjera, shumë të folme të shqipes e veçojnë shumësit me -a në vend të ë-së sta­ndarde: dy stu­den­ta (për dy studentë), dy dok­tora (për dy doktorë).

Për me ditë qysh me shkru sakt një fjalë, vlen me e këqyrë Fjalorin e Gjuhës së Sotme Shqipe, që e bo­ton Akademia e Shkencave e Shqipërisë. Botimi i mbramë i 2006-s ndodhet në rrjet në fjalorthi.com. Të metat i ka të pa­nu­mërta, por është pikënisje e mirë dhe referenca ma e plotë për shqipen.

Fjalori zakonisht e tregon një­jësin dhe shu­më­sin e em­rit kësisoj: gomar,-ë,-ët. Kështu dihet se shumësi bë­het duke e shtu një -ë, kurse trajta e shquar e shu­mësit lyp -ët.

Gjithashtu, kryn punë libri me rregullat e drejt­­shkri­mit 1972, që është botu më 1973 (Tiranë) e 1974 (Pri­shtinë). Dashamirët e gju­hës e kanë digjitizu këtë libër dhe e kanë nxjerrë në www.drejtshkrimi.info. (Çu­di­tërisht, nuk hapet pa www.)

Veçmas në lidhje me pyetjen 1, shih:

  • Fjala zyrtar në Fjalorin e Akademisë (2006)
  • Fjala gomar në Fjalorin e Akademisë (2006)
  • Fjala magjar në Fjalorin e Akademisë (2006)
  • Rregulla 40 e drejtshkrimit 1972, për shumësin e emrave
  • Rregulla të tjera të drejtshkrimit 1972 për shumësin e emrave dhe mbiemrave
  • Rregulla B.I.17 e drejtshkrimit 1964 (standardi i vjetër)

Pyetja 2

Edhe kjo pyetje na teston për shumësin. Shu­mësi i em­rave mashkullorë shpesh merr ë në fund, edhe nëse kjo ë nuk e ndë­rron shqip­timin: një njeri serioz pra bëhet dy njerëz seriozë.

Por ka shumë përjashtime. Një i ri bëhet dy të rij (geg.) ose dy të rinj (tosk.). Këtu ë-ja fundore mund të ketë qenë e pranishme dikur, por është ngjitë me n-në dhe ka dhënë nj. Prandaj, nuk shkruhet rinjë–rinjët, e as thonjë–thonjët ose gi­shtë­ri­një–gi­shtë­rinjët. Këto janë stër­ko­rri­gji­me që i bën një gegë kur mun­dohet me ko­muniku tos­kërisht.

Ngjashëm ndodh me em­rat që në njëjës mba­rojnë me k ose g e në shumës me q e gj: mik–miq e zog–zogj. Edhe këtu k-ja ose g-ja asht ngjitë me ë-në dhe ka dhanë q ose gj.

Traditat letrare dallojnë në më­­nyrën si i shkrujnë këta emra në trajtën e shqu­ar të shumësit. Vari­eteti standard thotë: rinjtë, tho­njtë, gishtërinjtë, miqtë, zogjtë. Kështu e rujnë një ë mbas t-së, që dikur e kanë pasë edhe em­rat tjerë: shqipë­ta­rëtë (sot shqiptarët) e bu­rratë (sot burrat). Traditat tjera lejojnë me e bjerrë ë-në në fund: rijt, thojt, miqt, zogjt (por gishtat). Këtë ta thonë ma së miri ata që rrinë në Miqt Pub në Prishtinë.

Reklama e Miqt Pubit që bën lojë fjalësh shqip e anglisht: I MIQT YOU tingëllon si I missed you (Më ke mungu).

Ka shumë emra tjerë që s’ndryshojnë fare nga një­jësi në shumës: një mësues bë­het dy mësues. Në do ras­te, nëse na duhet pa­tjetër me e dallu shu­më­sin, mund t’ua shtojmë një -a (jo­sta­n­dar­de): dy më­suesa. Kështu kanë bë për­kthyesit e pro­g­ramit Word­Press, me të cilin e mbajmë këtë sajt, për me e dallu një për­do­ru­es nga disa përdoruesa.

Për ma shumë, shih:

  • Fjala ri në Fjalorin e Akademisë (2006)
  • Fjala serioz në Fjalorin e Akademisë (2006)
  • Rregulla 40 e drejtshkrimit 1972, për shu­mësin e emrave
  • Rregulla të tjera të drejtshkrimit 1972 për shumësin e emrave dhe mbiemrave
  • Rregulla A.I.2, pika 18, e drejt­shkrimit 1964 (stan­dardi i vjetër), për ë-në fundore

Pyetja 3

E thashë ma sipër, shkru­het miq, jo miqë. Por shkru­het edhe me pasë, jo me pas.

Në shkollë nuk na e mësojnë paskajoren: me folë, me shku(e), me punu, me da­shtë. Na më­sojnë për që­llimoren (për të folur, për të shkuar, për të pu­nuar, për të da­shur), që ga­bi­misht e qujnë pa­skajore. Andaj dhe s’kemi faj që s’dimë si me e shkru. As kemi faj që e për­buzim shpesh­herë, se kështu na e kanë ngulitë në krye tash e mbi gjysmë shekulli, ani pse është e pa­zëve­ndë­sue­shme.

Përgjigjet që miqtë e mi i kanë dhanë në këtë pyetje shpër­faqin këto dy pro­ble­me: që s’dimë me e shkru paskajoren ose që s’gu­xojmë me e përdorë.

Literatura nuk na ndihmon gjithaq. Rregullat që kanë dalë nga Kongresi i Drejt­shkrimit 1972 e shpër­fillin paskajoren. Kurse Fjalori i Aka­de­misë jep shpjegim dhe shembuj të kufizuar: «pjesë e pa­ska­jores së gegërishtes (p.sh.: me pasë; me ardhë; me folë etj.)».

Udhëzimet e standardit të vjetër e prekin pa­skajoren tër­thorazi. Për shembull, rre­gullat e Komisisë Let­rare Shqipe, botu më 1917, ra­dhitin një listë fjalësh, ku foljet jepen me pa­ska­jore: me mbajtë, me mbjellë, kuvendue, me lë­kundë, me ndrydhë, me pa­ndehë. Ngjashëm, rre­gullat e miratueme në Pri­shtinë më 1964 përmendin foljet me pasë, me qenë, me pritë.

Veçse kudo vërejmë që pa­skajorja del me za­no­re në fund: rëndom e ose ë. Për­ja­sh­tim mund të bëjë folja me hangër; të tjerat lypin zanore. Kohëve të fundit, po e lar­gojmë e-në fun­dore aty ku nuk e shqip­tojmë: e shkrujmë me punu, në vend se me punue, që na tingëllon e vjet­ruar. Por edhe në këtë rast, pa­skajorja mba­ron me zanore.

Paskajorja përbëhet prej pje­sëzës me dhe pje­sores së foljes: me + pjesore. Tos­kë­risht pje­sorja del me -ur ose -uar në fund: punuar, pasur. Paskajorja e lyp pje­so­ren e shkurtë, por me zanore: me punu(e), me pasë.

Ë-ja ka vlerë. Flen me atë sikur-rre­gullën që e zgjat za­noren para­prake, por edhe e dallon pa­skajoren prej trajtave tjera.

Microsoft Wordi ndodh që pjesoren pasë të na e nën­vi­zojë si gabim, duke na su­gjeru me e zë­vendësu me pas. Por këtu e ka ga­bim ko­m­p­ju­te­ri, aq sa dhe shko­lla që nuk na e ka mësu shqipen ashtu siç është. Nuk është njëlloj si me e pasë mi­kun në zemër si me e lënë pas.

Shih:

  • Ma shumë për paskajoren dhe pjesoren
  • Fjala me në Fjalorin e Akademisë (2006)
  • Fjala mik në Fjalorin e Akademisë (2006)
  • Fjala pas në Fjalorin e Akademisë (2006)
  • Rregulla § 11 e drejtshkrimit 1917 (standardi i vjetër), që përmend disa fjalë në paskajore
  • Rregulla B.VI.1 e drejtshkrimit 1964 (standardi i vjetër), që u referohet foljeve në paskajore

Opsionet: Çka me bë?

Mos me iu përzi shqiptarëve. Ata që me­rren me gabime drejt­shkrimore — po thonë do psi­kologë — janë puçërr në prapanicë dhe nuk kanë ndojsend ma të menç­me me përmendë. Një­mend, duhet me u marrë me për­mbajtjen, ma fort se me trajtën. Por drejt­shkrimi ka me pasë vlerë për gjuhën aq kohë sa të ketë vlerë krehri për flo­kët, dhe njerëzit kanë me vazhdu me pyetë se si shkru­het ndonjë fjalë, edhe nëse nuk ka rëndësi se qysh.

Gjuhëtari që merret me këtë punë tani mund të bë­het preskriptiv ose para­shkru­es, për­caktues: me thënë se duhet kështu ose ashtu, tue për­cak­tu rregu­lla siç ia merr mendja. Por mund të jetë dhe deskriptiv ose për­shkrues: me tregu qysh po e shkrujnë shqipen shqip­tarët, pa e nga­të­rru me tekat e veta.

Ka shumë arsye me qenë thjesht përshkrues. Gju­hën dhe rregullat e saj i ka kriju populli shumë kohë para se me pasë gjuhë­tarë. Edhe gjuhë­tarët nuk mujnë me para­pa çdo ne­vojë e çdo imtësi të për­do­rimit të gjuhës.

Por nganjëherë, do rre­gulla na ndihmojnë. Të paktën na ndër­gjegjë­sojnë për gju­hën. Na e shpej­tojnë le­ximin dhe na mbrojnë prej hu­ti­meve. Na lehtësojnë me e gjetë një ma­terial në internet duke e shkru sakt fjalën kyçe. Na mënjanojnë dy­kup­­ti­mësitë e ab­sur­di­tetet, ose thjesht për­shtypjen e mos­dijes.

Andaj, ia vlen me i qartësu rre­gullat me qasje të baras­peshuara — sa duke për­caktu ato aq dhe tue e për­shkru përdorimin. Pas­taj na mbetet ne­ve nëse do të shkrujmë kështu ose ashtu.

Me ndreqë arsimin. Shkollat lypset të na më­sojnë të vërtetën: shqipja nuk shkru­­­het gjith­monë ashtu siç shqip­tohet; e as shqip­tohet gjithmonë ashtu siç shkru­het. Këtu vjen në shprehje puna e ë-së dhe halli i zanores së zgja­tur dhe shu­mësit të emrave.

Duhet me na e mësu shqi­pen ashtu siç është. Fjala kerr mund të mos e ketë na­min e ve­tu­rës, por është fjalë shqipe. Kur as­një libër shkolle nuk na dëf­ton se shkru­het me rr, nuk është çudi që nesër ta shkrujmë në disa trajta: ker, kerr, car, etj. Ose ta hu­mbin këtë fjalë dhe nga­dalë të gjithë gjuhën shqipe.

Duhet me kuptu se ë-ja dhe toskërishtja nuk na bëjnë ma të mençëm. Tue shkru gish­tërinjtë, na tre­gojmë që s’i dimë rre­gullat dhe në letër qe­sim diçka krejt të pa­na­tyrshme. Nëse e shkrujmë gishtat, i ndje­kim saktë rregullat e drejt­shkrimit, por dhe gjuhën e thjeshtë të po­pullit. Shihe dhe fjalorin.

Me i thjeshtu rregullat. Rregullat e shqipes stan­dar­de lypin me i ndreqë. Por na nuk mujmë me pritë një profet që do ta or­ga­nizojë një kon­gres të ri drejt­shkrimi për ta zgjidhë këtë problem. Zgjidhjen e kemi në dorë vetë.

Shqipja standarde lehtë bëhet shqipe gjithë­për­fshi­rëse që rahaton shumë­çka. Bë­het shqipe e për­bashkët. Thjesht, duhet me e pranu pje­soren e shkurtë (kam pu­nu) krahas të gjatës (kam punuar). Dhe kështu do ta kemi sistemi edhe pa­ska­jo­ren (me punu), por edhe fjalët që nuk shkojnë pa paskajore (p.sh., themi na­tyr­shëm «nuk bën me rrejtë», por jo «nuk bën të rresh»).

Të nesërmen mund sho­him ndryshime edhe ma të thella. Mbase do ta ri­shi­konim edhe shumësin e em­rave me arsye­timin e thjeshtë: nëse nuk e da­llojmë në të fo­lur, pse ta da­llojmë në shkrim? Atë­herë, do mund të shkru­hej: një shqiptar, dy shqip­­tar.

Por thelbi sërish asht me e pranu shqipen pa ngu­rrim. Me shkru shkurt e shqip, që i bjen në gjuhë të thjeshtë të popullit. Dhe si parim themelor me e kuptu se gjuha e shkruar nuk ka pse të dallojë nga e folura pa ndonjë arsye të fortë.

(Për ma shumë rreth shkri­mit shkurt e shqip, shih këtu.)

Është goxha vështirë. Se për një gjuhë me kaq lara­mani sa shqipja, shkruesi i ngja­­son babës e të birit që marrin udhë me gomar dhe ngado që kalojnë mbe­ten të sharë. Edhe me i ndjekë me përpikëri rre­gullat e drejtshkrimit shqip, di­kush ka me thënë që filani s’po ditka me shkru.

Nga Getoar Mjeku

Njeri i lirë dhe avo­kat prej Prish­tine të Dar­da­nisë. Shkrun për shqip­tarët, gju­hën, histo­rinë, e poli­ti­kën. Lexon çkamos. Ndih­mon me mirë­mbajtë saj­tin për shqip­tari, Plisi.org.