Kur është fjala te ligjet e reja kanunore, legaliteti dhe legjitimiteti i tyre, Kanuni sanksionon të drejtën dhe fuqinë e bërjes së ligjeve të reja kanunore, kur parasheh që ligje të reja kanunore ka të drejtë e fuqi me ba vetëm populli. Ky sanksionim politikisht paraqet themelin e shëndoshë e një demokracie popullore dhe morale dhe juridikisht paraqet burimin material të së drejtës kanunore.
E Drejta Zakonore Shqiptare e materializuar në shekullin e XX në dy botime — Kanuni i Lekë Dukagjinit (1933) dhe Kanuni i Skanderbegut (1993) — shfaq lëndën e saj provokuese për studime në fusha të ndryshme shoqërore. Vetëm si monument i kulturës juridike të popullit shqiptar, Kanuni paraqet një objekt të denjë studimi dhe analize, i pasur me institucione dhe parime juridike.
Te Kanuni më pak i njohur i Skanderbegut, kodifikuar nga Dom Frano Ilia, vërehen parimet e legalitetit, legjitimitetit, kushtetutshmërisë e ligjshmërisë, dhe kompetencës territoriale, etj.
Në hyrje të Kanunit, thuhet se shtrirja territoriale e tij përfshin Shqipërinë e sotme qendrore, më saktësisht krahinat e Principatës së Kastriotëve dhe të ndikimit të tyre, duke e quajtur këtë «njësi më vete».
Parimi i legjitimitetit shprehet në nenin 2. Ky kanun themelin e ka të përbashkët me kanunet e maleve shqiptare. «Ky kanun thirret i Skanderbegut, pse ky bani disa ligje kanunore të veçanta per krahinat e veta dhe të ndikimit të vet. Mund të quhet edhe Kanuni i Arbënit». Kur është fjala te ligjet e reja kanunore, legaliteti dhe legjitimiteti i tyre, Kanuni sanksionon të drejtën dhe fuqinë e bërjes së ligjeve të reja kanunore, kur parasheh që ligje të reja kanunore ka të drejtë e fuqi me ba vetëm populli. Ky sanksionim politikisht paraqet themelin e shëndoshë te një demokracie popullore dhe morale dhe juridikisht paraqet burimin material të së drejtës kanunore.
Kanuni bazën e tij juridike për ndëshkime dhe dënimet që i jep e mbështet në parimin e legjitimitetit, kur thotë se «ndëshkimet e dënimet që epen sambas kanunit t’pshteten në drejtësi e vullnet të popullit: Zani i popullit, Zani i Zotit», ndërsa ky postulat është realizuar nëpërmjet një parlamenti dydhomësh. «Po bani vogjëlia ndonji verejtje, paria ka detyrë të vehet përsëri në shqyrtim t’asaj pleqnie, derisa të pranohet prej vogjlisë në përgjithësi dhe atëherë merr fuqinë e ligjës detyruese».
Pra, kanuni i cili është një ligj gojor i trashëguar prej të parëve, ose i bërë kohë pas kohe mbi parime të Kanunit të maleve tona e të drejtësisë që e detyrojnë mbarë popullin ku shtrihet kanuni, parasheh që krahas zhvillimit të jetës shoqërore të zhvillohen edhe normat kanunore duke e identifikuar autorin e tij — popullin. Këtë e sanksionon shprehimisht neni 10, i cili thotë se «kanuni ecë me jetën e nevojët e popullit të çdo kohe. Për çdo arsye e nevojë të er, populli, pari e vogjli, ban ligjë të reja të përshtatuna në frymë të kanunit të vet».
Shembull i përpjekjes që e drejta kanunore shqiptare të ecë me kohën mund të gjindet në Kanunin e Skanderbegut. «Me islamizimin e pjesës më të madhe të krahinave të Kastriotëve, kto erdhen kohë mbas kohe tue i perzie e xevendsue disa ligjë të kti kanuni me ligjë të Sherjatit të Turkisë pushtetuese». Inkorporimi i të Drejtës së Sheriatit me të Drejtën Kanunore Shqiptare është rasti i parë i aderimit të së Drejtës së Sheriatit në të Drejtën Kanunore Shqiptare.
Por, asnjë ligj a normë e re kanunore nuk mund të hynte në fuqi nëse ishte në kundërshtim me Kanunin apo nuk e kishte pëlqimin e Kuvendit, si mbledhje e përgjithshme e përfaqësuesve të popullit që merrte vendime të caktuara.
Pra, në këtë kontekst Kanuni përmban parimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë. Parimi i kushtetutshmërisë është sanksionuar në nenin 29: Çdo ligjë e re, kurdoherë do të pshtetet e do të bahet mbi themelet e kanunit të përgjithtë e të maleve tona shqiptare. Ndërsa parimi i ligjshmërisë vërehet kur bëhet fjalë për ligjet e veçanta, të cila t gjithashtu duhet të mbështeten në Kanun. Ligjet e veçanta mbështetur në Kanun për një a më shumë krahina, a njësi tokësore të ndryshme, shpesh quhen zakone. Neni 12 thotë se «zakon i veçantë shpesh quhet edhe: vendim, pleqni, usull, vendom. Këto fjalë a shprehje kur e kanë fuqinë detyruese, kanë vlerën e ligjit të kanunit». Në kuptimin modern të fjalës, ato ishin dekretligje të filozofisë të së drejtës kanunore.
Në këtë kontekst shprehja «shpi e marifet, katund e adet, zakon e bajrak, Kanun e Gjomark», e ka kuptimin që doket e zakonet e një krahine a bajraku duhet të jenë në pajtim me themelet e kanunit, por pa harruar se kierarkia e kushtetushmërisë dhe ligjshmërisë për kre të saj i kishte pleqtë, jo në kuptimin kalendarik, por sipas kuptimit modern të sotëm — gjyqtarë. Pra, hierarkia e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë pleqtë: «Pleqt cilëtdo kjoshin, kur marrin me ba një pleqni, duhet të kenë parasysh: Themelet e kanunit, zakonet e vendit, drejtsinë dhe rrethanat e veçanta të punës që gjykojnë».
Ndër parimet e përgjithshme të Kanunit, radhitet precedenti, ndihma juridike, organizimi (forma) e Kuvendit, etj.
Kur kërkohet zbatimi i të drejtës së precedentit për ndonjë çështje, «të parapame prej kanunit e zakoneve të vendit, kërkojnë dhe në bajrakë të tjerë në se asht ba ndonji pleqni, a vendim për atë çështje, dhe po kje ba, si ta shoshisin edhe mund ta bajnë të veten krejt ashtu apo pjesërisht sit a shohin me udhë» (neni 35).
Një lloj ndihme apo këshille juridike, parashikohet me nenin 36, kur thuhet se bajrakët, mallet, oxhaqet, që u përkasin ndikimit të derës së Kastriotvet, në pleqni të vështira e sidomos të kundërshtueme, mund të kërkojnë mendimin e shtëpisë së Gjomarkajve t’Oroshit të Mirditës, por si mendim që nuk asht detyrues për kto vende. Zakonet e ndryshme zgjidhen me kanun të përgjithshëm, ose përfaqësuesit e krahinave marrin një vendim të përbashkët. Zakoni i veçantë e detyron vetëm atë vend, a krahinë që ta ketë ba për veti, dhe jo të tjerët. Ndërsa ndryshimi i dispozitave, anulimi, plotësimi, apo miratimi i dispozitave të reja, bëhet ashtu që hiqet apo zëvendësohet kanuni, a zakoni i vjetruar. Sa për hyrje në fuqi të vendimeve nga pleqnitë, neni 46 thotë se «pleqnia e bame dhe e pranueme simbas kanunit e ka në vetvete fuqinë detyruese».
Një sanksionim tejet interesant Kanuni e bën sa i përket interpretimit të normave të tij, kur thotë se askush i veçantë, kjoftë prej Parisë apo Vogjëlisë, në punë me të tjerë, nuk ka të drejtë ta kuptojë a ta zbatojë në krye të vet kanunin, apo vendimet që merren me pshtetje në të. Duke sanksionuar një interpretim zyrtar për ndonjë çështje të caktuar, kanuni parashtron kushtin e të qenit pjesëtar i shoqërisë, kur nën nenin 47 shprehimisht thotë: «në kjotë se donë të jesh shoq me ne, ban si të thotë katundi e bajraku». Me këtë jepet edhe sanksionimi i ekskomunikimit nga shoqëria — i njohur në të drejtën zakonore si institucioni i leqitjes, kur thuhet: «do të ndahesh prej shoqnisë për të mirë e për të keq».
Shkurtegëza për këtë postim: https://plisi.org/?p=5260