Marrí fundjave: prokurorët, kufijtë, futbollistat

Këshilli Prourorial?
Këshilli Prourorial?

1.

Prokurorët nuk e dijnë se ç’punë kryjnë. Këshilli Prokurorial lëshoi dje nji kum­tesë ku e porositi pushtetin ligjvënës mos me ndërhy në pamvarësinë e gjyqë­sorit. Kumtesa qe reagim ndaj deputetit Rexhep Selimi që ka thanë se tok me qe­verinë duhet me u largu kryeprokurori.

Prokurorët janë pjesë e sistemit të drejtësisë, por jo e pushtetit gjyqësor. Ata janë organ i pamvarun i pushtetit përmbarues, me detyrë me i ndjekë shkeljet e ndë­shkue­shme. N’ecuni gjyqësore duhet të jenë palë e barabartë, ani pse rëndom rrijnë me gjyqtarët si me qenë të nji shpie.

Qyshdoqoftë, kur punët shkojnë mbrapsht e kur prokurorët s’dijnë as me shkru shqip, jo nji deputet, por krejt Kuvendi do të duhej me lypë përgjegjësi. Pa­mva­rësia nuk domethanë mos me punu.

2.

Ministri i mbrojtjes i Sërbisë thotë se po pret me u caktu kufini i ri përmidis Dardanisë, që pastaj ushtria sërbe me e mbrojtë kufinin. Kjo deklaratë jehon thirrjet e kryetarit jolegjitim i Kosovës Hashim Thaçi për «korrigjim kufijsh».

E qysh mundesh me ndreqë diçka kur s’e din çka? Ma parë, vetë kryetari sërb Aleksandar Vuçiqi pat thanë se s’din ku janë kufijtë e Kosovës.

Por ky i yni nuk don me u ndalë. Së fundmi, e ka përmendë copëtimin e vendit edhe në Londër, në nji institut hulumtues me ndikim. E këndej hatrohet e na thotë se nuk po e dojmë Preshevën, sa herë ia kujtojmë që po punon kundër kushtetutës e simbas porosive t’anmikut.

E drejta ndërkombëtare thotë se kur nji trevë bahet shtet i mban kufijtë që i ka pasë në prag të pamvarësimit. Cilën pjesë të këtij parimi s’po e kupton zoti Thaçi?

3.

Udhëheqësat shqipfolës të nji federate të korruptueme paskan nisë me u ba trys­ni të rijve të mërgatës mos me lujtë për kombëtaren shqip­tare të Dar­danisë. Talen­ta­ve të fut­­bollit po u thonë se nuk kanë t’ardhme në Dardani. Madje, po ua ngucin ndje­njën atdhetare tue i shpërrallu se shqiptari nuk zgjedh tjetër pos ngjyrave kuq e zi.

Këta dallaverxhij bajnë mirë me e kuptu se shqiptari nuk e shkatërron shtëpinë e vet. Kemi luftu e punu me dekada me e ça izolimin e Kosovës, e tani drejtues të FShF-së këqyrin me e sabotu për­fa­që­su­e­sen dardane — nji mundësi të rrallë që e kanë shqiptarët me e tregu veten e me përparu.

Nëse dikend e bren halli pse nuk e kemi nji kombëtare e nji shoqatë futbolli, ban mirë me pyetë FShF-në: Pse nuk i njeh kampionatet në të cilat ka lujtë Prishtina? Pse i shpërfille thirrjet e tifozave për ligën kombëtare në këto dy dekada prej çli­ri­mit të Dardanisë? Sa trajnerë kosovarë ke angazhu n’ekipet tua? Ç’ke ba për ri­ni­­në e talentueme të Shqipnisë Londinare? Sa yje i ke prodhu me shkollën ven­dase?

Por përgjigje nuk ke me marrë, sepse krenët e FShF-së kanë tjetër hall. Kur s’pu­nojnë kundër Kosovës, i trukojnë ndeshjet e kam­pio­na­tit vendas.

E kë­ndej pre­ten­dojnë se e dojnë ko­m­bin. Nji komb, nji dukë. Duka.

Por nji dukë tjetër, si ish-vëlla i ndoj ministri e njeri i pushtetit, ndodhet dhe në Kosovë. Ai asht goxha mbrapa Dukës së Tiranës. Veç në tymduhanin e kamishit e ka nuhatë dhe sportin. Ai ka nipa e famuj plot që don me i shti në lista të kom­bë­tareve U17, U19, e U21, me i rahatu në lista të referave, e me i shpërbly me bi­leta vip. Në fund ka lekë me nxjerrë saherë t’i jepet mundësia. Pakkush guxon me i bëza.

Kamishi nuhatës e ka pikatë biznisin që don me e ba me futboll. Këtij duhet me ia ba qato pyetje si FShF-së. Përgjigje nuk jep, por na mujmë dhe duhet me ia ndalë turrin sa nuk e ka kapë sportin qashtu si shtetin.

Se kur vendi ynë ua i mëshel shtigjet, rinia jonë i lyp ato tjetërkah. Kur i për­kra­him, e nderojnë kombin dhe Shqipninë e Kosovën.

Nga Getoar Mjeku

Njeri i lirë dhe avo­kat prej Prish­tine të Dar­da­nisë. Shkrun për shqip­tarët, gju­hën, histo­rinë, e poli­ti­kën. Lexon çkamos. Ndih­mon me mirë­mbajtë saj­tin për shqip­tari, Plisi.org.