Tue dhanë gisht për zajednicën, krenët e vendit pranuen vullnetarisht ate që pushtuesi s’ka mujtë me na e mponu as me dhunë dikur: pushtetin sipror të Sërbisë mbi Dardaninë.
Marrëveshja e mbrame ia dorzon sovranitetin nji pakice kombtare për me sundu e papengueme si të bardhët dikur në Sydafrikë. Kolonistat do të kenë tagër me nxjerrë ligje pa iu përzi kush, pos Sërbisë. Ujdia e Brukselit kurrkund nuk thotë se ata do t’i binden kushtetutës dardane ja se do ta njohin për shtet Dardaninë. Prishtina do t’i mbrojë, do t’u japë pare, dhe do t’ua tumirë çdo tekë të tyne.
Shqiptarët jasht zajednice do të qeverisin vetëm përkrah sërbëve, të cilët do vijojnë me i gëzu karriget e garantueme dhe fjalën e fundit në çdo çashtje jetike të shtetsisë. Për flamurin e dërzhavës së komunave, si për ushtrinë e Dardanisë, ka me u pvetë Lista Srpska. A në trollin e zajednicës, për shqiptarët s’do ketë kurrfarë garancie, as madje nji ulse n’organin ligjvenës. Pushteti me ligj do t’u takojë dhe shërbejë vetëm sllavëve.
Gati 20 mijë shqiptarë banojnë sod në komunat që pritet t’i sundojë tinëz-shteti i hequn si shoqatë bamirsie. Në ma të mirin rast, ata do t’u nënshtrohen ligjeve të Sërbisë, fëmijët e tyne do të mësojnë në shkolla me libra të Sërbisë, dhe për kafshatë goje, për rrymë e ujë, e për nji të kqyrme në bollnicë do t’i bahen i madh e i vogël rrogtarë Sërbisë.
Por qysh na mëson historia, ata do të përfundojnë ma keqas, vra, burgu, a përzanë prej plangut amnor. Sepse anmiku asht i pabesë, siç ka qenë gjithnji, dhe Beogradi kurrë s’ka heqë dorë prej andrrës së kahmotshme me i zhdukë shqiptarët prej faqes së dheut.
Qebesa, ne s’e meritojmë me qenë, nëse e lejmë kend me e coptu Dardaninë. Nji ish-komunist jugosllav e zaptoi diqysh kryeministrinë. Por s’ta ka tjetërsu kurrë çka natyra e ka falë Shqipni!
Shkurtegëza për këtë postim: http://pli.si/2As0mqG
Komente & ndërlidhje