Noel Malcolm, «Independence For Kosovo» [Pavarësi për Kosovën], New York Times, 1999-06-09.
Në qoftë lufta vazhdim i politikës në një mënyrë tjetër, vlen me e njohë politikën dhe me dijtë në ka kuptim. Debati rreth Kosovës deri javën e kaluar u përqendru rëndom në çështje ushtarake e morale — nevojën për trupa në terren, arsyetimin e bombardimeve, e kështu me radhë. Edhe gjatë bisedimeve tani të dështuara të paqes, pyetjet rreth të ardhmes afatgjate politike të Kosovës kanë marrë pak vëmendje. E këto janë pyetjet ma të rëndësishme.
Linja zyrtare e qeverive të Natos është pak a shumë kjo: Nën mbrojtjen e një force ndërkombëtare, Kosova do ta zhvillojë administratën e vet autonome, ndërsa do të mbetet brenda shtetit federativ jugosllav. Kjo domethënë se kosovarët do të kenë pasaporta jugosllave, do të mund të thirren në ushtrinë jugosllave, të pagujnë taksa jugosllave dhe t’i nënshtrohen kontrollit jugosllav në kufi (po ata kufij ku policia jugosllave i ka plaçkitë dhe i ka shti me ecë nëpër mina pak javë ma parë).
Në ndërkohë, thonë politikanët e Natos, Sllobodan Millosheviqi do të ketë ra prej pushtetit dhe një udhëheqje e re, demokratike në Beograd do t’i njohë të drejtat e shqiptarëve të Kosovës, pa i trajtu ma si qytetarë jugosllavë të klasit të dytë.
Fatkeqësisht, askush nuk na ka thënë se cili prej politikanëve të mundshëm do ta marrë përsipër këtë detyrë të përndritur. Sigurisht se jo Vojisllav Shesheli, nacionalisti fanatik sërb që publikisht ka bë thirrje me i infektu shqiptarët kosovarë me virusin e sidës. As Vuk Drashkoviqi, që ndërtoi karrierë politike me namin e zëdhënësit të paragjykimeve antimyslimane. E me gjasë as Zoran Gjingjiqi, udhëheqësi i Partisë Demokratike, që u dha mbështetje të pakursyer ekstremistëve sërbë të Bosnjës gjatë luftës së atjeshme.
Siç e dijmë, shumica e sërbëve nuk i dojnë kosovarët si partnerë të barabartë në një shtet jugosllav; ma parë do të donin mos me i pasë fare në shtetin e tyre. E vërteta e hidhur është se politika e përgjithshme e zotit Millosheviq ndaj Kosovës — me mbajtë territorin dhe me i heqë qafe njerëzit — vijon të jetë sinqerisht popullore në Sërbi.
Sapo të bëhet përfundimisht e qartë se kjo politikë është pengu, politikanët sërbë do të fillojnë me punu drejt një versioni të tkurrur të të njëjtit qëllim: copëtimit të Kosovës, me ç’rast Sërbia do ta mbajë gjysmën veriore të krahinës dhe do t’i dëbojë të gjithë shqiptarët prej aty. Nëse vendosja e një force ndërkombëtare përfshin krijimin e një zone të posaçme për trupat ruse në veri, copëtimi defakto do të pasojë shpejt, meqë pak shqiptarë do të jenë të gatshëm të kthehen në shtëpitë e tyre nën «mbrojtjen» e aleatëve ma të afërt të Beogradit.
Disa komentatorë perëndimorë veçse kanë nisë me përkrahë ndarjen si zgjidhjen ma të mirë afatgjate. Argumente zakonisht mvishet me pohime se gjysma veriore e Kosovës ashtu-kështu është hapësirë etnikisht sërbe, ose me përmendje të «vendeve të shenjta» të sërbëve. Por qebesa, gjysma veriore e Kosovës është po aq truall me shumicë shqiptare sa edhe jugu: në regjistrimin e fundit të besueshëm të popullsisë (1981), komunat e mëdha veriore të Vushtrrisë e Podujevës, për shembull, kanë pasë shumicë shqiptare prej 88 e 96 për qind.
E sa për shfrytëzimin e kishave e manastireve për ta arsyetu copëtimin, ky është thjesht trillim fetar: interesi i njëmendtë i zotit Millosheviq në Kosovën veriore është ekonomik, jo manastik. Ai i don minierat e pasura të rrethit të Trepçës dhe fabrikat e termocentralet që lidhen me to — asetet thelbësore pa të cilat çfarëdo cope e mbetur në jug si Kosovë e pavarur nuk do të ishte fare e qëndrueshme ekonomikisht.
Kuptohet, duhet kujdesë për manastiret e kishat, dhe të drejtat e atyre që falen në to (një pakicë e vogël e sërbëve, që në të gjitha survejimet e paraluftës dilnin popullata ma jofetare në ish-Jugosllavi) duhet të respektohen. Por është vështirë me besu se, në fundshekullin XX, qinda-mija qytetarëve kosovarë mund t’u kërkohet t’i braktisin përjetësisht shtëpitë e tyre në qytete si Vushtrria dhe Mitrovica, vetëm shkaku i pranisë fizike të një ndërtese manastiri nja 30 kilometra larg.
Nëse copëtimi është i paarsyetueshëm, dhe nëse riintegrimi i Kosovës në Jugosllavi i parealizueshëm, ç’zgjedhje afatgjate mbeten? Ka vetëm dy mundësi. Ose situata mbetet e ngrirë pas vendosjes së dhjeta-mija trupave të Natos, që pastaj caktohen për të ushtru një protektorat defakto mbi Kosovën, ose Kosovës i lejohet, dikur, me u bë e pavarur dhe me i rujtë kufijtë e saj me ushtri të veten.
Në afat të gjatë, zgjedhja e dytë u shërben ma fort interesave të Perëndimit. Këtë sigurisht e parapëlqejnë fuqishëm edhe shqiptarët e Kosovës, që kanë votu dërrmueshëm për pavarësi qysh më 1991. Për këtë kanë luftu ushtarët vullnetarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës; pa njëfarë garancie të vetëvendosjes eventuale, ata do të ngurrojnë me i dorëzu armët, dhe udhëheqësit e tyre do të bëhen ma shumë radikalë, jo ma pak.
Një garanci e tillë e vetëvendosjes (edhe pse me formulim të dykuptimtë) qe përfshi në Marrëveshjen e Rambujesë; përndryshe, shqiptarët kurrë nuk do ta kishin nënshkru atë dokument. Se shqiptarët e kanë pranu planin e Rambujesë merret si punë e kryer sot. E prapë, ajo garanci kyçe u hoq nga plani që e paraqiti javën e kaluar i dërguari rus, Viktor Çernomirdin, dhe kryetari Martti Ahtisaari i Finlandës.
Qeveritë perëndimore gjithmonë kanë thënë se janë kundër idesë së pavarësisë për Kosovën. Pse janë aq të vendosur për të përjashtu një opsion afatgjatë që mundëson zgjidhje të vërtetë dhe të drejtë? Edhe pse e kam diskutu këtë çështje me shumë politikanë, diplomatë e akademikë gjatë viteve të fundit, asnjëherë s’kam marrë përgjigje bindëse (ose të mirinformuar).
Një përgjigje standarde është se pavarësimi i Kosovës do të inkurajonte edhe shqiptarët e Maqedonisë me kërku shkëputje territoriale nga ai shtet. Veç kjo i keqparaqet synimet e politikanëve shqiptarë atje, të cilët gjithmonë kanë bë fushatë për ma shumë të drejta politike brenda Maqedonisë, e jo për t’u nda. Sidoqoftë, kërcënimi ma i madh ndaj stabilitetit të Maqedonisë sot është prania e dukshme e qinda-mija refugjatëve kosovarë — njerëz që s’do kthehen në Kosovë nëse besojnë se heret a vonë do t’i nënshtrohet, sërish, sundimit jugosllav.
Tjetra përgjigje standarde është se Kosova e pavarur do të përbënte precedent për të gjitha grupet e tjera që kërkojnë shkëputje: baskët, kurdët a kushdoqoftë. Kjo e keqparaqet bazën juridike të kërkesës kosovare për pavarësi. Në Jugosllavinë e vjetër, Kosova ka qenë njësi federative dhe formalisht e përkufizuar jo vetëm si krahinë e Sërbisë por njëherësh, dhe ç’është ma e rëndësishmja, si përbërëse e federatës.
Kur federata është shpërbë më 1991 e ’92, secila njësi ka pasë të drejtë ligjore për vetëvendosje. Pavarësia për Kosovën do të ndiqte kështu një precedent të vjetër: atë që e kanë vendosë Sllovenia e Kroacia. Dhe asnjë vend tjetër nuk do të mund ta ndiqte këtë precedent pa qenë federata në ecuri të shpërbërjes së plotë — një rast i rrallë në historinë politike moderne.
I vetmi precedent i rrezikshëm e i ri është ai që Perëndimi po planifikon ta krijojë: pushtim i përhershëm nga Natoja i një pjese të një shteti sovran. Një përfundim i tillë nuk është në interesin e Perëndimit, dhe sigurisht kurrë nuk do të kënaqë kosovarët, interesat e të cilëve tërë kjo politikë perëndimore qe dizajnu, gjoja, me i mbrojtë.
Shkurtegëza për këtë postim: https://pli.si/2Br6B00