Më 24 fror 1969, deputetët në Prishtinë miratunë Ligjën kushtetuese, e cila i dha fund zyrtarisht emërtimin kundravers Kosovë-Metohi.
Krahina e atëhershme e Jugosllavisë do të quhej vetëm Kosovë, tue flakë tej binomin kolonial që qe vendosë mbas rianeksimit më 1945.
Metohia (srb. Metohija, nga greqishtja μετόχια) asht emni sërb për gjysmën perëndimore të vendit, që shqip i thonë Rrafshi i Dukagjinit. Por përtej kuptimit gjeografik, ky toponim e pasqyron mëtimin e Sërbisë mbi truellin: Metohia domethanë tokë manastiri — pra gjoja e kishës sërbe.
Tue e votu Ligjën kushtetuese gjysmë shekulli ma parë, Kuvendi i Kosovës sa ia shkurtoi emnin vendit, po aq e këputi dhe vargun e padrejtësive ndaj popullit vendas shqiptar.
Në shtator 1945, Kosova e pushtueme qe organizu si njisi me nivelin ma t’ulët të vetëqeverisjes. Ndonëse shqip u qujt Krahina Autonome e Kosovës-Metohisë, sërbisht ishte thjesht oblast (rreth), nji shkallë ma poshtë se pokrajina (krahina) e Vojvodinës.
Me kushtetutën jugosllave të 1963-s, përcaktimi pokrajina u përdor edhe për Kosovën. Por siç dëfton historiani Noel Malcolm, autonomia e Kosovës e preku nadirin historik, ndërsa krijimi i njisive autonome dhe kompetencat e tyne iu lanë në dorë Sërbisë.
Siç shpjegonte kryetari i Kuvendit Fadil Hoxha, teksti i miratuem në fror 1969 qe «rezultat i një pune intensive pothuajse dyvjeçare». Kjo punë kish nisë me ndryshime të mëdha në krejt Jugosllavinë në mesvitet 60 me nji lojë pushteti mes udhëheqësit Josip Broz Tito dhe kreun të sigurimit shtetnor, Aleksandar Rankoviq.
Më 1966, Rankoviqi e mori teposhtëzen kur ia zbulunë çimkat që i kish me përgju Titon në dhomën e fjetjes. Me largimin e Rankoviqit, mori fund dhe qendërsimi i pushtetit dhe spastrimi etnik e terrori që i kish ndjekë që prej fund-Luftës së Dytë Botnore.
Shqiptarët nuk e jetësunë dot kërkesën e tyne për Kosovën republikë. Por ndryshimet në kushtetutën jugosllave të 1963-s prunë goxha përparim. Më 1968, Amendamenti VII hoqi emnin Metohi, dhe e ngriti Kosovën në njisi përbamëse të federatës. Kosova mbeti njiherësh krahinë mbrenda Republikës së Sërbisë, por tagri i krahinës nuk mvarej ma prej kushtetutës republikane. Me Amendamentin XVIII, krahina fitoi përgjegjësitë e nji republike.
Ligja kushtetuese e Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës pasoi mbrenda muejsh, më 1969. Ky ishte i pari akt themeltar që Kosova miratonte për vetveten. Pesë vjet ma vonë, dolën kushtetutat federative dhe krahinore që fuqizunë dhe ma tej Kosovën si krahinë, tue i njohë disa të drejta edhe në marrëdhanie ndërkombëtare.
Vitin që nxori Ligjën Kushtetuese, Kuvendi i Kosovës miratoi dhe ligjin për themelimin e Universitetit të Prishtinës. Shqiptarët si popull përparunë me hapa të shpejtë n’ekonomi e kulturë gjatë viteve ’70, por u përballën me shtypje gjithherë në rritje mbas vdekjes të Titos më 1980.
Me të konsolidu pushtetin, diktatori sërb Sllobodan Millosheviq ia hoqi Kosovës vetëqeverisjen, tue ia shtu emnit dhe bishtin Metohija. Popullsia shumicë nuk i njohu asnjiherë vendimet e dhunshme të Millosheviqit, por kambënguli në të drejtën e vet për pamvarësi, që e arriti tek në mijëvjeçarin e ri.
Sot, veç emnit Kosovë, qytetarët përdorin dhe emnin e lashtë Dardani.
Shih dhe:
- Të gjitha kushtetutat e Kosovës (shënim)
- Kushtetuta e tashme dhe historike të Kosovës
- Ligja kushtetuese e KSA të Kosovës (1969) [16,6 MB]
- Kushtetuta e KSA të Kosovës (1974) [53,6 MB]
Shkurtegëza për këtë postim: https://pli.si/2BPVaPv