«Ofertën më të mirë në botë, na ta shkelim me rrotë», mburrej një kompani që rishet shërbime të telefonisë. Ofertat shkojnë e vijnë, por çka na ka mbetë sot është rrjeti i dërrmuar i telefonisë mobile, thirrjet e humbura e fjalët e padëgjuara, dhe milionat tona kanë përfundu në xhepa të sundimtarëve.
Me pavarësimin e vendit më 2008, administratorët ndërkombëtarë ua kanë kalu vendasve përgjegjësitë mbi ndërmarrjet publike, ndër to dhe Telekomi i Kosovës. Kushtetuta e miratuar atë vit parashihte në nenin 119 se «Republika e Kosovës ushtron të drejtën e pronësisë mbi çdo ndërmarrje që ajo kontrollon në pajtim me interesin publik, me qëllim që të maksimalizojë vlerën afatgjate të ndërmarrjes».
Por ndër veprimet e para të vendorëve ka qenë «Marrëveshja e mbështetjes së operatorit virtual» me Z Mobilen, që s’ka pru tjetër pos plaçkë e shkatërrim me bekimin e shtetit të kapur.
Operatorë virtualë ka kudo në botë. Një operator amë i telekomunikacionit ofron shërbime përmes partnerëve: rishitësve ose operatorëve virtualë të shkallëve të ndryshme. Sa ma shumë pajisje të veta të ketë partneri, aq ma shumë pare merr prej partneritetit. Dhe në fund, i mundëson operatorit amë me u zgjëru në treg, duke depërtu te myshterijtë që s’i ka mbërri ma parë. Dikush u shet të rijve, dikush komuniteteve të caktuara, e dikush treva të reja.
Por Marrëveshja Telekomi–Z Mobile është e veçantë:
- E qun Z Mobilen operator virtual, dhe i mundëson me shfrytëzu infrastrukturën e Telekomit, si operator amë. Ekspertët Z Mobilen nuk e konsiderojnë fare operator virtual, por rishitës pa platformë të veten. Një operator virtual i mirëfilltë ka ma shumë pajisje dhe kryn shumë ma shumë punë teknike se ç’bën Z-ja, që kufizohet në ripaketim të shërbimeve dhe kujdes ndaj konsumatorit. Kjo punë nuk dallon qaq prej punës së shitësit të mbushjeve në lagje.
- E ka futë Z Mobilen si konkurrent aty ku vepron Vala e Telekomit. Le që Z-ja s’ka detyrim me shtu klientë, por nuk e pengon kush me i përvetësu që tashma janë me Valën.
- Ia ka siguru Z-së platformën e Telekomit për çmim shumëfish ma të ulët se kontratat me operatorë virtualë gjetiu. Marrëveshja i ka dhënë Telekomit vetëm 27 për qind të të ardhurave që deklaron Z Mobile, kurse Z Mobile ka mbajtë shumicën dërrmuese dhe nuk ka mbulu kostot e mirëmbajtjes. Që sa vjet madje, nuk ka pagu as 27-përqindëshin.
- I ka dhënë Z Mobiles qasje të pakufizuar në numra e kartela telefoni e në rrjetin 3G/4G, ani pse edhe numrat edhe kapaciteti i Telekomit për 3G/4G janë të kufizuar. Ç’është e vërteta, as numrat as rrjeti nuk përmenden shprehimisht në kontratë, por kanë rrjedhë prej qëllimit që thonë se e kanë pasë disa nga negociuesit.
- E ka detyru Telekomin edhe të përmbushë detyrime, edhe të pagujë ndëshkime për mospërmbushje, edhe të pagujë ndëshkime për vonesë, edhe të shlyjë pagesa të tjera.
Figurativisht, Telekomi është bërë fabrikë që ka falë mallin e vet, ndërsa Z Mobile e ka shitë atë nën çmim, para dyerve të fabrikës. Siç thotë reklama e Z Mobiles, «ofertën më të mirë në botë, na ta shkelim me rrotë». Duke shitë shërbime nën kosto, Z Mobile ka mbingarku rrjetin, dëmtu tregun dhe rëndu cilësinë e telekomunikacionit në vend. Sipas një raporti të inxhinierëve, vetëm dëmet e Telekomit sillen rreth 250 milionë eurove, duke llogaritë dëmin e rëndomtë dhe fitimin e humbur.
Më 30 korrik 2019, Marrëveshja Telekomi–Z Mobile ka skadu. Por tani ka fillu periudha kalimtare që nuk dihet qartë se sa do të zgjasë dhe si do të zbatohet. Gjithçka është në dorë të një shteti të kapur, që nuk është dashë të lejojë qysh në fillim një kontratë jokushtetuese e të paligjshme si kjo e 2009-s.
Me këqyrë holl, Marrëveshja Telekomi–Z Mobile është ligjërisht e pavlefshme. Sipas ligjit, një kontratë është nule nëse cenon rendin publik, dispozitat urdhëruese ose moralin e shoqërisë. (LMD § 89.) Dhe Marrëveshja e 2009-s merr trefish në thue:
- Shkel parimet kushtetuese mbi rendin ekonomik. Neni 119 ngërthen si parime mirëqenien e qytetarëve, zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, mirëmenaxhimin e ndërmarrjeve publike, si dhe konkurrencën e lirë dhe mbrojtjen e konsumatorëve. Marrëveshja Telekomi–Z i shkel të gjitha.
- Bie ndesh me vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës Supreme dhe me Ligjin për marrëdhëniet e detyrimeve që nuk lejojnë shumëfishimin e ndëshkimeve kontraktore: ose lejohet penalltia për vonesë ose shpërblimi për mospërmbushje, por jo të dyja. (KI 118/14, LMD §§ 259–260.) Juristët evropianë, që çmojnë autonominë e palëve kontraktuese dhe lirinë e biznesit, i qujnë ndëshkimet e paligjshme «masë plaçkitëse» (spoliating measures). Nenet e LMD-së janë dispozita urdhëruese — apo rregulla të cilat askush nuk mund t’i shmangë. Marrëveshja e 2009-s i shmang, dhe pasurinë e popullit e kthen në plaçkë.
- Mundëson sjellje të pandërgjegjshme ndaj palëve të treta. Marrëveshja shkel rendin publik dhe moralin e shoqërisë, duke stërngarku rrjetin e telekomunikacionit dhe duke pengu padrejtësisht konkurrencën dhe dëmtu konsumatorët. Burimet e telekomunikacionit nuk janë të pakufishme, kurse Z Mobile falë Marrëveshjes i trajton si të tilla.
Ani pse juridikisht e pavlefshme, Marrëveshja ka vepru me fuqi të plotë në këtë shtet të kapur e pa ligj. Dhe ndonëse periudha e bashkëpunimit fillestar ka skadu më 30 korrik, efekti i Marrëveshjes po vijon me periudhën kalimtare që s’dihet se kur do të marrë fund. Autoritetet përgjegjëse, që mund të japin përgjigje, nuk nguten me marrë vendim.
Një qeveri që punon me nder duhet të bëjë çmos me ndalë plaçkën e shkatërrimin njëherë e përgjithmonë. Dhe një shtet i lirë duhet t’i japë fund pasigurisë juridike që përjetojnë ndërmarrjet tona.
Nga puna e tyre në Telekomin e Kosovës kanë siguru kafshatën e gojës mija familje. Nga menaxhimi i ligjshëm dhe i prajshëm i ndërmarrjeve tona, mund të zhvillohet një komb i tërë.
(Autori është kandidat për deputet i Lëvizjes VETËVENDOSJE! në zgjedhjet e 6 tetorit. Pikëpamjet e shprehura janë të autorit, dhe jo domosdo të sajtit Plisi.org.)
Shkurtegëza për këtë postim: https://plisi.org/?p=6361