Pse duhet me qenë në krah të të madhit Atë Nikolla Marku? Pse shqiptarët duhet të zgjohen nga letargjia?


Avatar photo

Agim Morina

Gjuhëtar, artist, poet, dhe mësues shqiptar nga Prizreni. I mërguar në Londër prej viteve 1990. Përkrah Shqipen e Përbashkët me paskajore gege dhe me R-në toske.

Atë Nikolla Marku është për dekada të tëra i vetmi klerik në trojet shqiptare që ka dalë haptas kundër një institucioni zyrtar të kishës së tij të uzurpuar nga agjentë të Greqisë dhe nuk është ndalë asnjëherë së kundërshtuari këtë megjithëse i është nënshtruar çdo lloji të presionit, kërcënimit, propagandës dhe sulmeve fizike. Është i vetmi që edhe sot e kësaj dite e mban lart flamurin e shqiptarizmës dhe luftën për kishën e tij në emër të shqiptarizmës.

Dikujt kjo mund t’i duket si një ngjarje e rastit, si një konflikt për interesa më të ngushta që paraqitet si një veprim atdhetar. Por nuk është kështu. Sulmet e pareshtura shoviniste nga ana e Greqisë nisën që në agun e demokracisë në Shqipërinë Administrative. Shqipëria e mpakur nga një regjim totalitarist e diktatorial stalinist u pa si një pre e lehtë për hienat e Greqisë. Ka pasur provokime dhe shantazhime të panumërta që nga sulmet ndaj qendrave ushtarake në kufi, keqtrajtimi shtazarak i emigrantëve shqiptarë, kushtëzimet dhe kthimet me operacione fshesa etj. Por, roli i Kishës Ortodokse Greke në gjithë këtë lojë ishte më shumë se kriminal. Kisha Ortodokse Greke u kthye në instrument agjenture dhe manipulimi të jashtëzakonshëm të makinerisë shoviniste greke.

Suksesi më i madh i kësaj makinerie shoviniste ishte instalimi me mashtrim i të ashtuquajturit “kryepeshkop” Janullatos. Ai mori këtë rol me gjithë kundërshtimin e popullsisë ortodokse shqiptare. Por roli i politikanëve shqiptarë nga Ramiz Alia, Sali Berisha, Fatos Nano etj., ka qenë më shumë sesa vetëm sulm ndaj interesave të shtetit shqiptar. Megjithëse pushtetarët shqiptarë nuk është dashur të bëjnë asgjë më shumë pos të kërkojnë zbatimin pikë për pikë të Statutit të Kishës Ortodokse Shqiptare që thotë në nenin 16 se në krye të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare mund të emërohet vetëm një person me shtetësi shqiptare dhe i lindur në Shqipëri. Janullatosi nuk plotëson asnjë nga këto kushte.

Sidoqoftë, është e mahnitshme se si Atë Nikolla Marku arriti t’i bëjë ballë, për kaq kohë, të gjitha presioneve të pafundme të Greqisë me gjithë pasivitetin shembullor të pushtetarëve shqiptarë. Atë Nikolla Marku sot nuk mbron vetëm statusin dhe pozitën e ligjshme të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, por ai mbron interesat e gjithë popullit shqiptar. Ai sot nuk është vetëm një klerik, ai është një luftëtar i cili edhe pse i vetëm nuk dorëzohet, edhe pse pa përkrahje të shtetit të vet, nuk heq dorë nga mbrojtja e interesave themelore të po atij shteti.

Në vitin e trazuar 1997 bashkë me Bajram Kabashin u gjendëm në vorbullën e ngjarjeve të këtij viti, në të cilat, pa asnjë dyshim, ka pasur gisht Greqia. Nga Shqipëria e atyre ditëve kemi shkruar një varg artikujsh, reportazhesh e intervistash për ngjarjet e kobshme. Në një nga ato ditë z. Kabashi vendosi të shkonte në Elbasan dhe të intervistonte Atë Nikolla Markun. Me t’u kthyer të z. Kabashi në Tiranë, takuam dhe bëmë intervistë edhe me një tjetër atdhetar të madh, një tjetër njeri mendjendritur, z. Petrit Bidoshi, anëtar i Komitetit për Mbrojtjen e Autoqefalisë së Kishës Ortodokse Shqiptare i cili i printe përpjekjeve për dëbimin e Janullatosit. Bisedat me z. Bidoshi ishin mbresëlënëse. Informacionet që morëm nga ai për rrjedhat e instalimit të agjentit grek Janullatos dhe gjendjen e Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare ishin jashtëzakonisht të vlefshme. Dhe një nga këto informacione ishte një libërth-pamflet i të ashtuquajturit “mitropolit i Dropullit, Pogonianisë dhe Konicës” Sebastianos. Ky agjent shovinist grek nën petkun fetar përhapte propagandën më të ndyrë kundër Shqipërisë dhe pohonte pa frikë e turp se Jugu i Shqipërisë, jo më pak se deri në Shkumbin, i takonte Greqisë. Për të pasur idenë më të qartë se me kë ka të bëjë Atë Nikolla Marku do të shpalos disa fragmente nga një libërth-pamflet i cili u shpërnda në Shqipëri në vitin 1992.

Pjesë nga libërth-pamfleti Vorio Epiri i Greqisë

E quajtëm për detyrë që në këtë libër, pavarësisht nga pretendimet monstruoze të shqiptarëve, të japim një përgjigje. Sigurisht, jo sepse besojmë se shqiptarët do të ndërrojnë mendje, por për të vërtetën e vetëm për të vërtetën, për të treguar, pra, se me ç’mënyra dinake e me çfarë shpifjesh përpiqen shqiptarët të shtrembërojnë faktet. Shpresojmë se kështu do të ndihmojmë të vërtetën që të lëshojë dritën e saj anembanë, të vërtetën se Vorio Epiri ishte, është dhe do të mbetet grek.

Konicë, më 15 mars 1992

Mitropoliti i Dropullit, Pogonianisë dhe Konicës
SEBASTIANOS

[…]

Pra, atje, në lumin Shkumbin i vendosin kufijtë e Epirit shkencëtarët më në zë, si V. GEORGIEV, P. LEVEQUE, E. LEPPORE, N. HAMMOND, F. PAPAZOGLOU etj. si dhe arkeologët e shquar epirotë D. EVANGELIDIS, F. PETSAS, S. DAKARIS etj.

Të gjitha këto mjaftojnë për të bërë të qartë se në Vorio Epir çdo gjë është, në mënyrë të padiskutueshme, epirotase-greke.

[…]

2) “Arvanitët” e Greqisë – grekë të kulluar.

Si i rrjedhojë e atyre pretimeve, shumë epirotë u larguan nga trojet e tyre. Zbritën drejt pjesëve të tjera të Greqisë, në Tesali. Atikë, Peloponez, etj., duke sjellë nga vendlindja e tyre edhe gjuhën arvanitase të cilën e mësuan nga lidhjet e ndryshme dhe shkëmbimet tregtare që kishin me shqiptarët. Pra, edhe të ashtuquajturat “fshatra arvanitase” të Atikës, banorët e të cilëve flasin shqip, janë grekë të kulluar, bile do të thoshim se janë më grekë se grekët e tjerë. Në bisedat e ndryshme në lidhje me çështjen vorioepirotë, kishim fatin e mirë të njiheshim me ta, sepse vizituam shumë herë Spatën, Markopullin dhe gjithë zonën përreth. Askund tjetër nuk hasëm një entusiazëm të tillë kaq të flaktë.

3) Dallimi midis epirotëve dhe shqiptarëve, gegëve dhe toskëve.

Duhet të theksojmë akoma se, dallimi midis epirotëve dhe shqiptarëve mund të vërehet edhe nga pikëpamja antropologjike. Për më tepër, dallim i dukshëm ekziston edhe midis gegëve dhe toskëve. Të parët konsiderohen si shqiptarë të mirëfilltë dhe banojnë në tokat që shtrihen përtej lumit Shkumbin, ndërsa të dytët banojnë poshtë lumit Shkumbin dhe konsiderohen tradicionalisht si epirotë, të cilët edhe pse u bënë myslimanë, ruajtën traditat dhe zakonet e epirotëve si dhe shumë zakone kristiane e emra, bile mjaft festa të krishtere i kremtojnë bashkë me ne.

[…]

Për fat të keq, të islamizuarit nuk ishin vetëm të humburit e fesë, por edhe të humburit e kombit. Femohuesit bëheshin edhe atdhemohues, bëheshin turq, turkoshqiptarë. Toskët, siç e kemi përmendur, ishin epirotë. Me ndërrimin e fesë humbën edhe helenizmin e tyre. U turqizuan. Dhe, siç ishte e natyrshme, u njësuan me turqit.

[…]

3) Shqiptarët, gjithmonë në krah të armiqve të helenizmit

Krejt ndryshe nga vorioepirotët, shqiptarët nuk luftuan kurrë për të fituar lirinë e tyre, por gjithmonë rreshtoheshin në krah të turqve kundër grekëve. Ata përdori Ali Pasha kundër suliotëve. Eshtë gjithashtu fakt se pjesa kryesore e ushtrisë turke, ajo më fanatike, e cila ishte grumbulluar për shtypjen e Revolucionit Grek, ishte e përbërë prej turkoshqiptarëve. Luftuan me aq tërbim, saqë mund të themi me bindje se lufta e vitit 1821 nuk u zhvillua midis grekëve dhe turqve, por midis grekëve dhe shqiptarëve.[…]

Po! Është e domosdoshme ta themi hapur dhe ta përsërisim: Shqiptarët nuk luftuan kurrë për lirinë e tyre, kurrë nuk menduan për të. U mjaftonte të ishin skllevër. Dhe le të mos na i përmendin” shumë “miqtë” shqiptarë luftërat e Gjergj Kastriotit, apo siç quhet ndryshe, të Skënderbeut. Sepse Gjergj Kastrioti Skënderbeu beu, i cili luftoi me trimëri e heroizëm, nuk ishte as shqiptar, as turk. Ishte, ashtu siç e pranon ai vetë në letrat e tij, epirot dhe i krishterë.

Për fat të keq, deri më 1913, Shqiptarët nuk kishin ndërgjegje kombëtare. Shikonin vetëm interesin e tyre dhe ndërronin padronë në lidhje me shpërblimin që merrnin. Vërtet, sa e sa padronë ndërruan edhe në shekullin XX, qysh atëhere që u krijuan si shtet? Turq, italianë, austriakë, gjermanë, rusë, kinezë, ndërsa tani u kthyen prapë tek italianët dhe turqit. Por, tani rendin edhe diku tjetër. Rendin drejt Amerikës dhe TPE-së, ku do t’u japin më shumë petrodollarë, siç u shpreh me cinizëm R. Alia. Të tillë sedër e të tillë ndërgjegje kombëtare kanë…

[…]

(G) GREQIA PER VORIO EPIRIN

1) Tri herë e çliroi Vorio Epirin

Fakti se Greqia e çiiroi Vorio Epirin tri herë, d.m.th më 1913, 1914 dhe 1940, është provë bindëse e helenizmit të Vorio Epirit.

[…]

4) Detyra e drejtuesve dhe e popullit grek

Detyrë e të gjithë grekëve pa përjashtim, e Shtetit, e Kishës, e politikanëve dhe e popullit në përgjithësi, është përkrahja ndaj popullit vëlla të shumëvuajtur të Vorio Epirit, deri sa edhe ai të realizojë ëndrrën e tij të shumëpritur, BASHKIMIN ME NËNËN GREQI.

Ardhtë sa më shpejt ajo ditë! AMIN!