Nana e teprimit

E kam thanë, dhe po e përsëris, na jemi nana e teprimit. I bartim do sende për së randi, pa nevojë. Reduntant, kishin me i thanë amerikanët.

Qe, për shembull, kodet postare në Dardani janë pesëshifrore, thue se kemi na vendbanime sa vetë Amerika. Zvicra e Shqipnia Londinare, që janë ma të vogla, i përdorin vetëm katër shifra, dhe u mjaftojnë.

Pastaj, tabllat e kerreve, përveç do veturave zyrtare, fillojnë krejt me zero. I kemi veç shtatë rajone, të shënueme me numra dyshifrorë, prej nji deri në shtatë. S’ka lidhje që zeroja kushton me u shtypë. S’ka as lidhje që na e vështirëson me ia mbajtë në mend regjistrimin ndoj kerri që na e mëshon e ik.

Tash kjo punë shpjegohet veç në dy mënyra: ose zyrtarët tanë nuk mendojnë, ose mendojnë shum.

Në rast se mendojnë shum, janë tue mendu me e zgjanu truellin e shtetit tonë, andaj dhe i kanë ba gati kodet postare pesëshifrore dhe kodet dyshifrore të targave. Kur ta kemi pushtu gjysmën e Ballkanit, do t’i kemi gati numrat me ua shkepë vendbanimeve të reja.

Por e keqja asht se na s’jemi tue i fiqiru punët qysh duhet. Se sado me pasë ambicie për t’u zgjanu, nuk marrim çka na vyn, por veç çka na ngjitet mbas — si papir tualeti që i kapet për pantolla ndoj ngathtaku kur ban me dalë prej nevojtoreje publike.

Numrat, fjalët, punët, borxhet, procedurat, zyrat e shtetit, hjekat, bërllogu, e idhnimi veç shkojnë tue na u shtu e zgjanu. Kurrë nuk na pakohen.

Qe, çerdhet e fëmijëve ose kopshtet e kalamajve, çuditnisht, tash janë institucione të arsimit parashkollor. Shkolla fillore ku kam ba tetë vjet mësim tani thirret shkolla fillore e mesme e ulët “Ismail Qemali”. Kurse universiteti ku kanë studiu prindët e mij quhet zyrtarisht Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”. Më pat ardhë mirë që ia kanë lanë emnin e nji prej themeluesve të shtetit të sodshëm të Shqipnisë, por pse duhet me i përsëritë fjalët, nuk i kam ra në fije asnjiherë.

Shih edhe: English Kosovar

Athu i kanë fajet pushtetarët?

Nji qeveri që veç bymehet i trash edhe emnat. Tekembramja, persisht nam domethanë emën, dhe pushtetarët përherë dojnë me ia rritë namin vetit.

E jo rastësisht Avokatit të Popullit tash po i thonë Institucioni i Avokatit të Popullit. Thu se s’e dijtëm na që ai e ka nji zyrë me zavendësa e nëpunësa e nuk punon fill i vetëm. Qashtu kreut të shtetit po ia bajnë Institucioni i Presidentit të Republikës, se nuk mjafton shkurteshqip me i thanë kryetari (ja — në qoftë nevoja me e veçu — zyra e kryetarit).

Shih edhe: Gjuha e Kushtetutës: President apo Kryetar?

Në dyert e ministrive, ashtu si në dokumente zyrtare, shkrun në tri gjuhë:

Republika e Kosovës — Republika Kosovo — Republic of Kosovo

Qeveria — Vlada — Government

Ministria e […] — Ministarstvo […] — Ministry of […]

Zyra për […] — Ured za […] — Office for […]

Thue se s’e dijtëm na se filan ministria asht pjesë e qeverisë! E as se filani asht “Ministri i Ministrisë së [çka po dij unë].”

Kemi fjalë sa të duesh kur nuk na vyjnë. I dallojmë gjanat ma të thjeshta që gjithmonë nënkuptohen. Madje e mjegullojmë mesazhin prej fjalëve e tingujve të tepërt. (Dikur moti e patëm përuru rrugën “Prishtinë–Llabjan–Gjilan dhe anasjelltas.”) Por kur duhet me qenë të përpiktë, ia huqim.

Ia huqim, për shembull, kur duhet me dallu shumicën që ngërthen mbi 50 përqind të diçkaje prej — të themi — morisë, shumsisë, ja ma-shumsisë, që asht ma e madhe se pjesët tjera veçeveç, por s’e mbërrin 50 përqindshin. Anglishtja, që nuk e tjerr qaq si na, i dallon: të parën i thotë majority, të dytës plurality. Kurse na përfundojmë në gjyq për kët punë.

Dhe kur të na shkrujnë gjykatat, ka gjasë që letra mos me na ardhë. Sepse na i huqim adresat. Prej pesë shifrave të kodit postar, rëndom vetëm njanës i japim vleftë praktike. Rajoni i Prishtinës, që e përfshin trevën e Llapit dhe nji pjesë të Drenicës e të Rrafshit të Kosovës, i ka të caktueme 33 kode. Vetë komuna e Prishtinës i ka 18. Por zakonshëm adresat tona na i nënshkrujmë me “10000 Prishtinë.”

Le të na gjejë postieri ku jemi mshefë. “Sokaku i parë jo, as i dyti, po i treti.”

Na e teprojmë me këso gjanash. Bjerrim kohë e mund tue thanë ate që dihet. Por ate që duhet me e thanë, s’e thomë dot.

Le t’e gjejë postieri çka po mshefim. “Veç duhet me marrë nji asi, edhe me e asihë pak qaty… Sokaku i parë jo, as i dyti, po i treti!”

Nga Getoar Mjeku

Njeri i lirë dhe avo­kat prej Prish­tine të Dar­da­nisë. Shkrun për shqip­tarët, gju­hën, histo­rinë, e poli­ti­kën. Lexon çkamos. Ndih­mon me mirë­mbajtë saj­tin për shqip­tari, Plisi.org.