E kemi thënë më parë se shqipja po ndryshon. Gjuha standarde do bëhet heret a vonë me paskajore: kemi me e shkru me lexu. Mes thjeshtimesh tjera, do shkurtohet edhe pjesorja: kemi shkruar do bëhet kemi shkru.
Lektorët e gazetave ende i bëjnë qëndresë ndryshimit. Një shkrim, ta zëmë, me paskajore e ka vështirë me pa dritën e botimit në mediet tona.
Por në një shoqëri të lirë, janë intelektualët e mëdhenj — jo gabimqortuesit e paemër — ata që vendosin standardet. Larg trysnisë së lektorëve, emrat e përmendur të jetës publike po e ndijnë detyrën me folë dhe me shkru sa më shkurt e shqip.
Qe, në mos besofsh, se si shkrujnë me paskajore e pjesore të shkurtuar shum intelektualë tanë:
Lumir Abdixhiku është ekonomist dhe kolumnist goxha popullor. Kur lektorët s’i rrinë mbi krye, kumton lirshëm me popullin.
Jeta Xharra është një nga gazetaret më të respektuara. E përdor paskajoren dhe pjesoren e shkurtuar pa u tutë.
Agron Demi është drejtor ekzekutiv i Institutit GAP, një nga organizatat kërkimore më me ndikim në Kosovë. Rregullisht i përdor pjesoren e shkurtuar dhe paskajoren në postime tejet serioze në Facebook.
Enver Robelli është Enver Robelli.
Daut Dauti është ish-gazetar dhe historian që jeton në Angli. Shkrun kështu:
Shkëlzen Gashi është veprimtar shoqëror, analist politik, e historian. Kumtesën e tij për Adem Demaçin, simbolin e përpjekjeve për bashkim kombëtar, e paralajmëron me paskajore.
Akademik Isa Mustafa, që është kryeministër i Kosovës, ka nisë me e krasitë pjesoren. Qe si e ka citu një portal lajmesh:
Këtë shprehi po e përvetësojnë dalëngadalë edhe mediet.
Qe Telegrafi, për shembull:
Pastaj, Zëri n’internet e riboton një shkrim të Plisit me pjesore të shkurtuar dhe me paskajore:
Këtu vërehet një e vërtetë e madhe. Këta intelektualë e medie janë të gjithë nga Kosova, dhe pjesorja e shkurtuar dhe paskajorja e gjejnë përdorimin më të gjërë në Dardani.
Por ka edhe një të vërtetë tjetër: këta të cituarit e mi shkrujnë me rotaqizëm — me R në vend të N-së — që është veçori e toskërishtes.
Dhe ashtu siç ka zënë vend rotaqizmi tosk në Kosovë, do zë vend paskajorja e shqipes në Shqipëri e Maqedoni. Për ta mundësu paskajoren, duhet shkurtu pjesorja.
Punët po lëvizin ngadalë. Por qe ç’po ngjet:
Poetja e gjuhëtarja Ledi Shamku, njëherësh deputete në Kuvendin e Shqipërisë, i vargon postimet me këto thjeshtime e natyrshme që po i pëson shqipja.
Skulptori gjirokastrit Mumtaz Dhrami jep intervistë për Televizionin Shqiptar, duke e përdorë disa herë paskajoren.
Në librin e tij Pavarësia, Ilir Ikonomi nuk i shmanget paskajores kur e lyp e vërteta historike. Fjalët që Isa Boletini i kishte dhënë një gazete italiane, Ikonomi i përkthen në një gegnishte me paskajore.
Shqipja nuk do të çlirohet brenda natës nga prangët e së shkuarës. Por shqiptarët e lirë do e çlirojnë atë.
Prandaj na vyjnë njerëzit! Robotët paemër që qortojnë gabime s’na hyjnë gjithaq në punë. Askush s’don me qenë si ata. Fëmijët tanë dojnë me u bë si Jeta, si Robelli, e si Iliri. Dhe do bëhen e do ua shkojnë madje!
Shkurtegëza për këtë postim: http://pli.si/24df1hX