Kur një verior vret – se ia kanë vra babën krejt pa faj dhe dorasi i ka paguar miliona gjykatës së korruptuar për ta shpallë të pafajshëm – shoqëria jonë ngarend me shpallë: “gjakmarrje primitive nga veriorët e pagdhendur.”
Nana e një malësori të tillë, që vret dikë për me marrë gjakun e babës së vrarë kot, nuk ka shans me dalë në konferencë shtypi krahas kryeministrit shqiptar! Nuk ka gjasë ajo nanë me fitue simpatinë e shqiptarëve nëpërmjet portretizimit që i bën në konferencë shtypi Kryeministri Edi Rama.
Ndërsa kur Kostandin Xhuvani, çuni i një deputeteje socialiste, vret katër veta, shoqëria jonë nuk përgjithëson. Nuk përgjithëson as për faktin se dorasi recidiv tashmë kishte marrë një jetë njeriu pak vjet më parë dhe me masakrën e fundit po bëhej vrasës i pesëfishtë.
Në të kundërtën, për mami Luizën ngjarja portretizohet si një dramë e krejt shoqërisë – një shoqërie të telenovelosur që përcjell e përlotur fjalimin e deputetes që u detyrua të japë dorëheqje ngaqë i biri i saj masakroi katër veta.
Rrjetet shoqërore përmbyten nga vërshimet e simpatisë së publikut për aktoren e kthyer në politikane. Mamaja e Kostandinit del me Kryeminstrin në krah në televizion. Kryeminsitri e ngushëllon publikisht.
Nga shkrimet e shumta të botuara të nesërmen e masakrës, më mbeti në mendje portretizimi aq dashamirës që Artur Zheji i bënte kriminelit. Për publicistin, Kostandini “kishte dashur të ishte ai që nuk ishte,” pasi që ishte kalama aktorësh dhe regjisorësh. Një psikoanalizë kjo që do bënte dhe Frojdin të brofte përpjetë i habitur. Interesant pra, se asnjëherë nuk e kemi parë Zhejin e as Zhejët tjerë që jetojnë me zejen e gazetarisë të bëjnë ndonjëherë psikoanalizën e vrasësve që rëndom stereotipizohen si “gjakmarrës veriorë”!
E ama e malësorit të shtërnguem me u ba vrasës prej padrejtësisë ngujohet në shtëpi dhe s’di çka i sjell e nesërmja. Nana e malësorit është nanë vrasësi, kurse nana e Kostandinit është nanë krimineli! Ka një dallim të madh në mes të vrasësit dhe kriminelit. Vrasës njeriun e bëjnë rrethant kundër dëshirës, kurse për kriminel, njeriu zgjedh të bëhet të bëhet i tillë! Malësori vret se ka një motiv: e ka shty padrejtësia. Kostandini vret se “ashtu ia dha truri…”
Mirëpo shoqëria jonë e telenovelosur deri në palcë malësorin e portretizon si “gjakmarrës primitiv,” pa marrë në konsideratë faktin se atë e bëri vrasës drejtësia e korruptuar. E bëri vrasës gjykatësi që mori ryshfet dhe liroi vrasësin e babës për “mungesë provash.” Malësori u shty në vetëgjyqësi nga gjykata e korruptuar. Ai malësor vërtet është vrasës, por nuk është kriminel. Kriminel është Kostandin Xhuvani që vret për herë të pestë.
Dhe megjithatë, Kryeministri Rama del në konferencë shtypi përkrah të nënës së një krimineli. Aktin e dorëheqjes së saj, kreu i qeverisë mundohet që në këmbizmin politik ta shndërrojë në moral.
Zotni kryeministër: në të tilla raste masakrash, udhëheqësit e vendeve demokratike dalin në konferenca shtypi, por dalin në krahun e viktimave. Nuk ka bërë ndonjëherë vaki që prijësi i një vendi të dalë para popullit me mamanë e një masakruesi përkrah dhe të shprehë publikisht dhembshurinë ndaj saj – kushdo qoftë ajo!
Përkundër kësaj, prapë nuk kam asnjë problem që Edi Rama të dalë në konferenca të tilla për sa kohë që Edi Rama del përkrah të çdo nëne shqiptare që fati i keq e sjell të bëhet nënë krimineli.
Sepse nuk ka asnjë ndryshim Luiza Xhuvani nga cilado nënë krimineli në Shqipëri. Ajo nuk krahasohet dot me nanën e një malësori të bërë vrasës pasi e ka shtrënguar padrejtësia e sistemit tonë të korruptuar; Luiza Xhuvani është njësoj si çdo nënë krimineli në Shqipëri! Ajo është e ëma e një krimineli dhe prej kësaj damke nuk ka imunitet e as kryeministër që e shpëton.
Shkurtegëza për këtë postim: https://plisi.org/?p=252