Pushteti kushtetues i popullit

Simbas Gjykatës Kushtetuese, partia që ka fitue ma së shumti vota në zgjedhje e ka të drejtën me propozue kandidatin për kryetar të Kuvendit. Por kjo s’domethanë se kryekuvendari duhet të jetë prej radhëve të PDK-së. Aq ma pak nuk ia jep të drejtën asaj partie që përban pakicën me mbajtë peng formimin e qeverisë.

Tue mos e thirrë mbledhjen kushtetuese t’organit ligjvenës, kryesuesja e rastësishme po e shkel kushtetutën katërcipnisht. Simbas nenit 66.1, ajo mbledhje asht dashtë me u mbajtë 30 ditë mbasi KQZ-ja i vërtetoi rezultatet e zgjedhjeve.

Tue pritë që partitë të merren vesh mes vete, edhe kryetarja e republikës po e shkel kushtetutën. Ajo që e para e detyroi gjykatën e ngratë me ia krye rrangët e randa të politikës nuk po ban kurrgja. Punë e madhe që me ligjin ma të naltë përgjegjsi e kryetares asht me u kujdesë për mbarëvajtjen e shtetit.

Ndërkohë, blloku Vlan e ka si shumicën në Kuvend, ashtu dhe përkrahjen e popullit për ta drejtue qeverinë. Heret a vonë, blloktarët – antarët e bllokut e jo bllokuesit – kanë me folë dhe me e marrë në duer tagrin që u takon. Si përfaqsues të popullit sovran, Vlani duhet të thirret në pushtetin kushtetues, që qëndron mbi të tanë.

Populli, n’emën të të cilit asht miratue kushtetuta e tashme, ka dhe fuqinë me e ndryshe, shfuqizue, a zavendësue ate si të dojë. Dorën në zemër, populli s’mund ta shkelë besën që e ka dhanë kur ka lypë demokraci: se do t’i respektojë të drejtat themelore të secilit njeri. Por për çkado tjetër, nuk ka zot që e ndal.

Ndërsa qytetarëve iu janë shtjerrë të gjitha shtigjet për ta jetsue demokracinë në Dardani, kushtetuta po e dëshmon pafuqinë e saj. Ndoshta ate nuk ka nevojë as me e shpallë kush të shfuqizueme, kur mbetet thjesht nji copë letër që kuptim nuk ka. Populli sovran e kushtetutëbamës mund ta shpallë ligjin e ri ma të naltë.

Dardanisë i vyen nji kushtetutë e prrajshme – e hartueme mirë e pa të metat e paraardhëses së saj. I vyen nji gjykatë që nuk ngarkohet me punë jogjyqsore prej politikanëve të paaftë. Dhe para së gjithash, i vyen nji rend i ri që ia kthen dejsinë e nderin popullit sovran.

Nga Getoar Mjeku

Njeri i lirë dhe avo­kat prej Prish­tine të Dar­da­nisë. Shkrun për shqip­tarët, gju­hën, histo­rinë, e poli­ti­kën. Lexon çkamos. Ndih­mon me mirë­mbajtë saj­tin për shqip­tari, Plisi.org.